Open today from 16:00 - 23:30 | Sunday closed

Exhibition

Orhan Kurtolli: Beyond the Title

Curated by: Shkëlzen Maliqi

16 Gusht 2018

A janë histori kujtimet tona?

E kaluara përgjatë historisë së njerëzimit është regjistruar e regjistrohet në mënyra të ndryshme, dhe padyshim se kujtesa, fillimisht si funksion biologjik, e mundëson edhe realizimin e llojllojshëm të regjistrimeve. Historia është e njohur si disiplinë e regjistrimit dhe interpretimit të kujtesës mbi të kaluarën. Por, e kaluara, si kujtesë dhe histori në të gjitha nuancat e mundshme, është materializuar e shprehur në krijimtarinë artistike në po aq nuanca të shumta si: shkrim, skulpturë, pikturë e performance tjera.

Në studimet mbi kujtesën janë aktuale debatet mbi llojet e kujtesës dhe mënyrat e përkujtimit apo mbamendjes. “A mund të ketë fare kujtesë kolektive?”, kishte pyetur Bartlett në vitin 1932 derisa Schudson 1992, përkundrazi, kishte pyetur “A mund të jetë kujtesa tjetërsoj pos kolektive?”, dhe si përgjigje Wertsch dhe Roediger kishin dhënë një pikëtakim të këtyre dy pozicioneve, se “duhet pajtuar që individët e situuar shoqërisht janë agjentë të mbamendjes”.

Këta agjentë të mbamendjes dhe materializimit të saj si përkujtim janë pra artistët që përmes kujtesës individuale, shprehjes estetike personale, flasin për të kaluarën e cila është pjesë e një historie kolektive, e një kulture. Ata janë zëri, janë rapsodët e ngjarjeve dhe përjetimeve të caktuara në një kohë e vend të caktuar.

Arti dhe artistët janë urë e bukur ndërlidhëse mes së kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes. Veprat e tyre janë përçuese estetike të ndjenjave, përvojave, domethënieve, e kuptimeve nëpër breza. Janë mundësia më e hapur për përjetimin e interpretimin sa më individual si të krijuesit ashtu e dhe publikut, pra si të individit ashtu edhe kolektivit.

Në punimin në fjalë mund të shihet një rrëfim dhe ndërlidhje e tillë. Gruaja me mbulesë është pjesë e kujtesës sime individuale nga fëmijëria. Është gruaja e mbuluar me perçe, me vellë të zezë, e cila lehtë simbolizon edhe kujtesën që me kohë mbulohet me perçen e harresës. Por, në këtë rast kujton një pamje të rëndomtë nga e kaluara, pra është histori. Në rrugët tona gratë ecnin të veshura njësoj, dhe ishte kjo veshje pjesë e një realiteti kulturor të qytetit tonë. Ishte pjesë e një statusi shoqëror të grave tona.

Nanat e tezet mund të na ngatërroheshin lehtë kur i vërenim derisa luanim në rrugët e lagjes. Nga ecja e lehtë a mënyra e mbajtjes së duarve edhe mund të dinim është nëna Hilmije apo tezja Sadije, por megjithatë, kishim hamendje. Dhe nëse mendonim të vraponim në përqafim të tyre duhej vlerësuar e rivlerësuar forcën e përqafimit. Tezja duhej përqafuar më fortë se e takonim më rrallë! Jo vetëm ne fëmijët, po edhe burrat, baba apo burri i tezes, që rrinin së bashku në ‘sokak’, ulur pranë një guri të ndonjë dere oborri, që pinin duhan dhe bisedonin për hallet e ditës, kishin një dozë hamendjeje. Ndonjëherë hamendja mund të kthehej edhe në lojë a garë mes tyre. “Jo, kjo është Hilmija” mund të thoshte njëri, “jo, jo është Sadija” vazhdonte tjetri.

Sot çdo herë e më shpesh mund të shohim pamje të tilla të grave. Dhe kjo e sotme na bën të mendojmë, nëse duhet parë në të ardhmen më kthjellët apo duhet insistuar në qartësimin e pamjeve!?

Kjo pikturë si rezultat i kujtesës individuale, është përkujtim në një të kaluar kolektive, e cila sot mundet të kuptohet qartazi si përkujtues i zgjedhjeve që mund a duhet të bëjnë brezat sot dhe në të ardhmen. Kjo pikturë mund të kuptihet si mesazh se kujtesën duhet shpalosur nga mjegulla e harresës dhe gratë sot duhet qartësuar jo vetëm pamjet por edhe vizionin e tyre. Kjo pikturë mund të simbolizojë një rezistencë ndaj një të kaluare sa nostalgjike po aq edhe të padëshiruar jo vetëm për gratë, por për shoqërinë në përgjithësi. Konceptet abstrakte si të drejtat e njeriut janë shpesh të paqarta por përkujtimet dhe arti janë përçues kuptimesh dhe mund të qartësojnë disa dimensione dhe versione të këtyre të drejtave.

Zgjedhjet e mundësitë gjithherë janë të shumta dhe përkujtimet, sidomos ato vizuale, lehtësojnë të shihet më qartë një e ardhme e synuar.

Orhan Kurtolli

16 Gusht 2018

Prishtinë

Vizitoni verzionin virtual 360º të ekspozitës

https://lapsi360.com/H2R/VR360.html

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Read more

Manushaqe Ibrahimi & Yll Avdiu: Pambuk

16 Feb 2026

Rron Qena: The Neoromantic City

28 Jan 2026

Arbër Sahiti: What remains unseen

27 Jan 2026

Zoran Filipović: 1991

4 Nov 2025

What time could not erase

12 Oct 2025

Emma Bilbilaj: Art beyond function II

11 Oct 2025