Open today from 16:00 - 23:30 | Sunday closed

Exhibition

Blerta Berveniku: HARE E PASTËR

Curated by: Shkëlzen Maliqi

19 09 2024, 19:00

Përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Komuna e Prishtinës.

HARE E PASTËR

Blerta Berveniku është model i gruas bashkëkohore që sfidon rolin tradicional të gruas në shoqëri. Pos që është familjare, e edukuar dhe me arsimim të lartë, ajo shquhet edhe me interesime të shumta – është ndërmarrëse, ultra-maratoniste dhe, në kohën e lirë, edhe piktore. Dhe kësaj të fundit, nuk i përkushtohet thjesht si një amatore me ndjesi për arte pamore, por me seriozitetin e një krijuese që artin e ka vokacion primar dhe profesional.

Në pikturat e Blerta Bervenikut, të realizuara me vaj në pëlhurë, vërehen luhatje në stil dhe te paleta e ngjyrave ose vendosja e elementeve kompozicionale si diçka e pritshme për një piktore në fillimet e karrierës që kërkon përsosjen e dorëshkrimit vetanak krijues. Por, luhatjet janë minore. Si tërësi, piktura e Bervenikut është bindëse, e rrumbullakuar në shprehje dhe në stil. Nëse kihet parasysh se po paraqitet me ekspozitën e parë personale, arti i saj është për admirim.

Berveniku pikturon në stilin dinamik abstrakt. Mirëpo, në bazamentin e çdo pikture mund të vërehen parastruktura reale: peizazhe me pisha, kopshte me lule, lagje të qytetit, dërrasa të zeza shkolle me ca shkrime në to, biçikleta dhe automobili në rrëmujën e jetës urbane, etj. Vetëm se këtë sfond real, piktorja e shfrytëzon si skeletin e brendshëm, i cila ia mbanë baraspeshën e kompozicionit. Mbi këtë shtesë ajo pastaj intervenon duke shtuar dhe hequr ngjyrat. Te një cikël dekonstrukton skicat e reales, zbeh ose i mjegullon gjërat sikur rrëfen imazhe trishtimi. Ndërkaq, më shpesh, te një cikël tjetër, intervenimet e saja marrin kahun e kundërt – pikturat i realizon me lëvizje energjike, duke derdhur në pëlhurë ujëvarëza ngjyrash më ekspresive, e përndez pikturën, e lulëzon ose e gjallëron me efekte që, mbase, e kanë energjinë elektrizuese edhe gjatë krijimit të tyre, dhe që e transmetojnë pastaj atë energji edhe te shikuesit. Energji përndritëse që rrezaton harenë.

Nuk është edhe aq i lehtë ky gërshetim i dy shtresave, të reales me abstrakten, të cilin e eksploron Blerta Berveniku në artin e saj. Ajo e realizon këtë me kujdes sepse e ndjen se dy shtresat edhe nuk janë kompatibile. Shkrirja e tyre e vrullshme ne një tërësi kërcënon që imazhi të shpërbëhet në miksturë kaotike, në njolla të pazbërthyeshme dhe hiç të pazbërthyeshme. Për këtë arsye Blerta Berveniku zhytjen në abstraksion e realizon përmes spontanitetit të kontrolluar, pa teprime. Në instancën e fundit piktura e saj rrezaton harenë që buron nga vetë pastërtia dhe jopretencioziteti i vet aktit të pikturimit, hare të cilën ajo e gjen në punë, në shteg të vrapit, në shtëpi dhe në pëlhurë.

Shkëlzen Maliqi

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Read more

Manushaqe Ibrahimi & Yll Avdiu: Pambuk

16 Feb 2026

Rron Qena: The Neoromantic City

28 Jan 2026

Arbër Sahiti: What remains unseen

27 Jan 2026

Zoran Filipović: 1991

4 Nov 2025

What time could not erase

12 Oct 2025

Emma Bilbilaj: Art beyond function II

11 Oct 2025