RRËNJA
Hani i 2 Robertëve nuk fillon me artin. Fillon me nevojën për të qenë bashkë.
Në vitet më të vështira, ky vend ishte frymë. Takim. Guxim.
Tani është një shtëpi për ata që mendojnë thellë, krijojnë lirshëm, flasin me pasion.
Nuk kemi mision. Kemi qëllim.
Të jemi vend i shprehjes. I kritikës. I kujtesës.
Nuk kemi vizion. Kemi horizont.
Një horizont që e ndërtojmë bashkë!


Ka vende që nuk maten me metra katrorë, as me çmim e pronësi. Ka vende që mbijetojnë jo pse janë mure të forta, por sepse janë tregime të shkruara nga ata që guxuan. Hani nujk duhet të vizitohet, por të përjetohet.
Një i tillë është Hani i 2 Robertëve.
Një emër i marrë nga rrëfimi i Ismail Kadaresë, nga romani Ura me tri harqe, ku Hani ishte vend takimesh, pushimi, por edhe ballafaqimi. Një vend ku njerëzit e ndryshëm kryqëzoheshin si vetë urat e qyteteve tona: të vjetër e të rinj, të ardhur e të vendosur, ata që flasin dhe ata që vetëm dëgjojnë.
-
1989 — Kur gjithçka filloi.
Në Prishtinën e viteve të zymta, ku fjala e lirë kushtonte shtrenjtë, një hapësirë e vogël në lagjen “Kurrizi” do të shndërrohej në shtëpinë e artistëve, të poetëve të natës, të mendimtarëve të zëshëm e të qetë.
E themeluar nga Merita dhe Fadil Dragaj, Hani i 2 Robertëve nuk ishte veç një kafene, por një hapësirë që i dedikohej komunitetit. Ishte mur i bardhë për ekspozita të paregjistruara në katalogët zyrtarë. Ishte tavolinë për debat të lirë. Ishte strehë për ata që nuk donin të heshtnin. Gjatë viteve ’90, Hani u bë ikonë e rezistencës kulturore në Kosovë. Janë mbajtur mbi 200 ekspozita, qindra aktivitete, koncerte, lexime poezish, biseda që nuk ruhen në asnjë arkiv përveç kujtesës së njerëzve që ishin aty.
Në 1999, dy ditë para bombardimeve të NATO-s, përballë Hanit, u plagos Fadil Dragaj dhe u vra aktorja Ardiana Abdullahu. Plumbi që mori jetën e saj mbeti shenjë e pashlyeshme në historinë e këtij vendi.
-
Pas luftës — Hani si frymë që vazhdon...
Në kohën kur Prishtina kishte shumë zhurmë, por pak hapësira arti, Hani mbeti aty — i hapur për ekspozita, promovime librash, debate, muzikë, film, teatër.
Në vitin 2022, gjatë Manifesta Biennale, Hani i 2 Robertëve u bë vendtakim për mbi 40 artistë, kritikë e kuratorë ndërkombëtarë. Ky moment riktheu Hanin, sepse Hani po priste ringjalljen. -
2024 — Hani bëhet organizatë kulturore.
Sot, Hani i 2 Robertëve është zyrtarisht OJQ, por me zemrën e tij të vjetër.
Projekti më i rëndësishëm që po e udhëheq këtë frymë të re është Kursi i Kritikës Artistike — i zhvilluar në bashkëpunim me Kosovo 2.0 dhe me përkrahjen e mediave kulturore si Sbunker dhe KultPlus.
Ky program edukon brezin e ri të kritikëve të artit, i pajis me dije teorike dhe praktike, dhe i shtyn të flasin për artin me përgjegjësi, me ndjeshmëri dhe guxim.
Në një kohë kur arti prodhohet më shpejt se sa analizohet, Hani kërkon të krijojë zëra të rinj që e lexojnë artin me sy të thellë dhe mendje të lirë.
-
Hani nuk është lokal.
As muze.
As galeri e zakonshme.Hani i 2 Robertëve është vend i takimit me veten. Me artin që nuk kërkon duartrokitje — por pyetje. Me njerëzit që kërkojnë më shumë se një natë të bukur, ata që kërkojnë kuptim.
Ky është Hani. Është formë mbijetese. Është kujtesë. Është dialog.
Dhe sidomos — është URË