Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Rreth Hanit

Hani i 2 Robertëve është organizata e parë e pavarur kulturore në Kosovë, e themeluar në maj të vitit 1989. Fillimisht u hap si kafiteri brenda një pasazhi në formë tuneli me dhjetëra kafiteri, te kompleksi arkitekturor që u emërua Kurrizi, në lagjen Dardania të Prishtinës, dhe më vonë u zhvendos në hapsirën e njohur si Santea, në po të njëjtën lagje.

Që në fillim, Hani u veçua si një vend ku rinia dhe krijuesit mund të vepronin lirshëm, në një kohë kur aktivitetet kulturore dhe publike duheshin të autorizohen nga pushteti i ashpër i regjimit serb. Ky vetëorganizim u bë paralajmërim i hershëm për lëvizjen e rezistencës së viteve ’90.

Gjatë kësaj periudhe, Hani i 2 Robertëve u zgjerua si restorant dhe qendër aktivitetesh kulturore e informative, duke u shndërruar në pikëtakim për artistë, politikanë, diplomatë dhe gazetarë, vendorë dhe ndërkombëtarë. Aty krijohej, debatohej dhe rezistohej përmes artit dhe fjalës së lirë.

Pas luftës, Hani vazhdoi me po të njëtën energji dhe përkushtim. Së fundmi është regjistruar si organizatë joqeveritare (OJQ), e cila ndërtohet mbi trashëgiminë kulturore të Hanit si një qendër e rëndësishme në vitet e 90-ta, me një program vjetor të ekspozitave dhe aktiviteteve tjera kulturore, duke ruajtur frymën e angazhimit dhe të lirisë që e ka karakterizuar që nga dita e parë.

 

 

Misioni

Misioni i Hanit është të mbështesë dhe promovojë krijimtarinë bashkëkohore përmes organizimit të ekspozitave, rezidencave artistike, performancave, debateve dhe programeve edukative. Hani i 2 Robertëve synon të krijojë ura bashkëpunimi mes artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, të forcojë qasjen e publikut ndaj artit dhe të kontribuojë në zhvillimin e një skene kulturore të lirë, të qëndrueshme dhe përfshirëse në Kosovë.

Vizioni

Vizioni i Hanit është të jetë një qendër referente për artin dhe kulturën bashkëkohore në Kosovë, duke promovuar lirinë krijuese, qasjen kritike dhe përfshirjen e komunitetit përmes veprimtarive artistike dhe kulturore.

Historia

  • 1989 — Kur gjithçka filloi

  • Pas luftës — Hani si frymë që vazhdon...

    Në kohën kur Prishtina kishte shumë zhurmë, por pak hapësira arti, Hani mbeti aty — i hapur për ekspozita, promovime librash, debate, muzikë, film, teatër.