DAUT BERISHA – NGA E PARA
Vizatime dhe skica / Hani i 2 Robertëve, prill 2025
Shkëlzen Maliqi
Nga piktorët modernistë kosovarë që karrierat artistike i kanë zhvilluar jashtë Kosovës, Daut Berisha [1946–2023], është ndër më të famshmit si emër por, paradoksalisht, vepra e tij nuk njihet pothuajse fare. Po kërkove informacione për artin e tij në publikimet e pakta të respektueshme për artin modern të Kosovës, mund të gjesh vetëm disa reprodukime të veprës “Triptik” të vitit 1980, dhe nga disa reprodukime nga i ashtuquajturi “Cikli blu”. Aty-këtu eventualisht gjenden edhe reprodukime të cilësisë së dobët të disa pikturave dhe skulpturave, si dhe shkrime dhe raporte gazetareske mbi ekspozitat në Francë, ku jetonte dhe punonte prej vitesh.
Vepra më e reprodukuar e Daut Berishës është “Triptiku” [viti 1980], e publikuar në monografinë “Arti bashkëkohor i Kosovës” [GAK, 1988]. Te “Triptiku” vërehet qartë, edhe nga vetë titulli, influenca e Fransis Becon-it, sepse ky piktor britanik e kishte zakon që motivet që i pikturonte t’i bënte në tri tablo paralele me perspektiva të ndryshme. Dauti nuk ndoqi besnikërisht brutalizmin emblematik të Becon-it, me paraqitjet e trupit të njeriut në gjendje distorzioni si mish i sapotherrur në kasaphane që ende pikon gjak, por e parapëlen një figuracion të zbutur me trajta harkore dhe senzuale—jo në gjendje trishtimi nga implodimi i brendshëm çfarë shfaqej te Beconi, por si skena trishtimi të shikuara jashtë, në ambiente sociale të dehumanizuara, imazhe të të mjeruarëve e të fatkeqëve të botës. Edhe titujt e veprave që ua jepte Dauti janë depresivë: “Errësirë”, “Qorrsokak”, e të ngjashëm, sugjerojnë ndjesi të një dëshpërimi egzistencialist. Madje edhe një tablo tjetër, ndër të paktët që i kam parë, përkundër titullit “Drita e shpresës”, në të vërtetë nuk të ndjellë aspak optimizëm. Te kjo pikturë shihet një aurë drite që përhapet nga dritarja e çatisë së një mansarde, nën dritare të së cilës janë të ulur tre persona të kërrusur si në ankth, me kokat e futura ndër gjunjë, si të pashpresë, ndonëse, paradoksalisht—dhe ky është mbase mesazhi subtil i piktorit—ata mjerana, po do t’i hapnin sytë, do etë shihnin se sa pranë e kanë dritën e shpresës!

I përmenda këto dy piktura si ndihmesë për dekodimin e artit të Dautit por nuk do të shkoja më larg në interpretime sepse më mungon njohja më e plotë të opusit të krijimtarisë së tij. Pse Dauti ishte hezitues në promovimin e artit të tij, sidomos në vendlindje? E pengonin rrethanat e 80-tave dhe 90-tave? Po pas çlirimit, ç’hall kishte?
Në të vërtetë, në vitin 2015 Dauti e pranon ftesën e Galerisë Kombëtare të Kosovës për ta organizuar ekspozitën që do të ndodhte me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij. Dauti ishte i entuziazmuar, porositi shumë pëlhura dhe ngjyra, punoi një kohë… Por, pastaj, hezitoi… Sikur diçka e ndalte. Sëmundja tinzare që do t’ia shuante jetën në vitin 2023, apo mëdyshjet tjera? E sa për studion e tij… se çka ka mbetet në te nga veprat, nuk ka shumë dëshmitarë; të rallë ishin ata që i lejonte të futen brenda.
Por lajm i mirë është se arti i tij së shpejti do të bëhet i qasshëm. Në Pariz janë kryer formalitetet juridike rreth trashëgimisë që e ka lënë Dauti. Veprat do të kthehen në Kosovë te familja Berisha. Pra, ka shpresë që do të mund ta shohim një ekspozitë retrospektive të artit të tij. Urojmë që kjo të ndodhë sa më parë.
Për këtë rast, Hani i 2 Robertëve po e përmbushë një dëshirë të kahmotshme të Dautit, për organizimin e një ekspozitë të veprave të tij. Çdo herë që vinte në Prishtinë, ai gjente kohë ta vizitonte Hanin, ku kalonte ca çaste relaksi dhe e shprehte dëshirën që ta sillte një ekspozitë në Han, meqë shfrytëzimin e lokalit gastronomik si galeri arti e konsideronte ndërmarrje fisnike. “Arti dhe një gotë vere të kuqe më bëjnë të ndihem si në Dôme Café të Montaparnasit në Paris!”, thoshte Dauti.
Falë bashkëpunimit me vëllaun e tij, Arbër Berishën, na u dha mundësia e prezentimit të punimeve të hershme të Dautit, vizatimeve dhe skicave, që është sihariq për publikun e Kosovës i cili do të mund t’i shohë hapat e të parë të piktorit në krijimtari, kur ai hulumtonte, dhe në mënyrë të padjallëzuar e shpaloste talentin e tij. Këto vepra shpesh duken të pakompletuara, dhe gjithësesi kanë qenë prova hulumtuese, skica dhe varietete për realizimin e ndonjë teme që e kishte në plan ta realizonte si pikturë, si p.sh., një dyzinë portretesh të Skendërbeut, ose portretet e një vajze të bukur me flokët e rregulluar në një mënyrë karakteristike, me një tufë të ngritur lart mbi ballë, si një kreshtë llastimi prej aristokrateje, që ndonjëherë e merr edhe formën e sqepit të shqiponjës krenare, një pikanteri e Dautit që duhet të zbërthehet se a është pjellë e fantazisë së tij, apo skicë për portret të ndonjë heroine historike ose legjendare.
Kjo përzgjedhje e vizatimeve kroki me lëvizje të shpejta, të skicave nëpër gazeta, kollazheve… nga qindra sosh, shumica të panënshkruara, gjithësesi e kanë një dorëshkrim mjeshtrie dhe talenti të rrallë. Janë vepra në vete.
Dhe ka shumë kuptim që, pasi na ka munguar shumë kohë një ekspozitë e tij, artin e Daut Brishës të fillojmë ta njohim nga e para, me veprat e tija të hershme.
Mirësevjen në vendindje, Daut.
(Mars / Prill 2025)