Nga piktorët modernistë kosovarë që karrierat artistike i kanë zhvilluar jashtë Kosovës, Daut Berisha [1946–2023], është ndër më të famshmit si emër por, paradoksalisht, vepra e tij nuk njihet pothuajse fare. Po kërkove informacione për artin e tij në publikimet e pakta të respektueshme për artin modern të Kosovës, mund të gjesh vetëm disa reprodukime të veprës “Triptik” të vitit 1980, dhe nga disa reprodukime nga i ashtuquajturi “Cikli blu”. Aty-këtu eventualisht gjenden edhe reprodukime të cilësisë së dobët të disa pikturave dhe skulpturave, si dhe shkrime dhe raporte gazetareske mbi ekspozitat në Francë, ku jetonte dhe punonte prej vitesh.
Vepra më e reprodukuar e Daut Berishës është “Triptiku” [viti 1980], e publikuar në monografinë “Arti bashkëkohor i Kosovës” [GAK, 1988]. Te “Triptiku” vërehet qartë, edhe nga vetë titulli, influenca e Fransis Becon-it, sepse ky piktor britanik e kishte zakon që motivet që i pikturonte t’i bënte në tri tablo paralele me perspektiva të ndryshme. Dauti nuk ndoqi besnikërisht brutalizmin emblematik të Becon-it, me paraqitjet e trupit të njeriut në gjendje distorzioni si mish i sapotherrur në kasaphane që ende pikon gjak, por e parapëlen një figuracion të zbutur me trajta harkore dhe senzuale—jo në gjendje trishtimi nga implodimi i brendshëm çfarë shfaqej te Beconi, por si skena trishtimi të shikuara jashtë, në ambiente sociale të dehumanizuara, imazhe të të mjeruarëve e të fatkeqëve të botës. Edhe titujt e veprave që ua jepte Dauti janë depresivë: “Errësirë”, “Qorrsokak”, e të ngjashëm, sugjerojnë ndjesi të një dëshpërimi egzistencialist. Madje edhe një tablo tjetër, ndër të paktët që i kam parë, përkundër titullit “Drita e shpresës”, në të vërtetë nuk të ndjellë aspak optimizëm. Te kjo pikturë shihet një aurë drite që përhapet nga dritarja e çatisë së një mansarde, nën dritare të së cilës janë të ulur tre persona të kërrusur si në ankth, me kokat e futura ndër gjunjë, si të pashpresë, ndonëse, paradoksalisht—dhe ky është mbase mesazhi subtil i piktorit—ata mjerana, po do t’i hapnin sytë, do etë shihnin se sa pranë e kanë dritën e shpresës!



















