Një manifestim Dadaist te Hani
Instalimi i artistëve nga Zvicra Sophie Nadler dhe Etienne Eisele është projekt që i kushtohet posaçerisht Hanit të 2 Robertëve dhe qytetit të Prishtinës.
Dy ngjarje me trajektore kohore të ndryshme, njëra e harkut njëshekullor, tjetra e ndodhur më rishtazi, tre vjet më parë, përbëjnë intrigën motivuese që çifti i artistëve nga Zurich-u i solli përsëri në Prishtinë, që te Hani ta realizojnë intervenimin me titull “Menyja jam unë”.
Trajektorja e parë lidhet me Bienalin Manifesta 14, që është hapur në korrik të vitit 2022 në Prishtinë, ku Sophie Nadler me Etienne Eisele, si edhe shumë artistë dhe mysafirë të Bienalit, me ëndje kalonin kohën te Hani i 2 Robertëve.
Edhe pse nuk ishte pjesë e programeve të Manifestës, te Hani gjenin, pos mirëpritjes dhe ngrohtësisë, edhe famën dhe aurën e një caffe-galerie lokale me peshë historike, ngase për tri dekada, nga viti 1989 kur u themelua, shërbente edhe si tempull i artit të rezistencës, ku janë organizuar mbi 200 ekspozita dhe ngjarje të tjera kultutore.
Me trajektorën e dytë, atë shekullore, Hani i 2 Robertëve mua më lidhet me një cafe-galeri që mbase është më e famshmja në botë, që quhet “Cabaret Voltaire” dhe gjendet në Zurich, në të cilën është themeluar lëvizja artistike avangarde, më ekstravagantja, të mos themi edhe më shpotitësja dhe më çmendurakja ndër lëvizjet moderniste që zgjëruan dhe afirmuan lirinë e shprehjes artistike.
Është interesante se ndër themeluesit e “Cabaret Volgtaire”, që edhe sot është aktive, shquhet një çift artistësh zviceran, Sophie Taeuber-Arp dhe partneri i saj Hans Arp.
Sophia Nadler e sotme me partnerin Etienne Eisele, realizuan një riaranzhim subtil të hapësirës të Hanit duke rikujtuar parimet dhe praktikat e artit dadaist.
Përshkrimin e shkurtër e gjeni në tekstin e tyre ky përvoijohen edhe vëzhgimet e tyre admiruese për Hanin dhe Prishtinën.
Nga Shkëlzen Maliqi


















Ekspozita është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
