Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Ekspozitë

Rron Qena: Qyteti neoromantik

Kuruar nga: Shkëlzen Maliqi

22 12 2025

Rron Qena është artisti më urbanocentrik i brezit të artistëve kosovarë të pasluftës. Botëkuptimi, frymëzimet, motivet, qasja, deri edhe rakursi i imazheve që i krijon, vijnë nga përditshmëria e urbanosferave që e përcaktojnë dhe e rrethojnë jetën e tij.

Qena ka një qasje neoromantike ndaj qytetit bashkëkohor. Prishtinën, vendlindjen e tij, ku i ka kryer studimet e artit dhe ka vendosur që ta ketë temë gati të përhershme të tablove të tij, si dhe Bremenin, ku jeton vitet e fundit, ai i sheh me sy dashamirës, afirmues, madje edhe “zbukurues”.

Prishtina, pa dyshim, duket e pëlqyer në pikturat e artistit, fal talentit dhe mjeshtërisë së “portretizimit” të kryeqytetit të Kosovës. Gjithsesi, ka edhe përjetime të tjera të Prishtinës, e arti nuk e ka për detyrë kënaqjen e çdo përjetimi, për shembull të shfaqë shqetësim për trendin e zhvillimit stihik të Prishtinës, ndërtimet me plan e pa plan, që i gëlltisin hapësirat edhe ashtu të pakta publike.

Te vepra e tij vërehen elemente kaosi në qytet, por atë e intereson konstanta e panoramave të qytetit me kodrina, dikur edhe me dy lumenj të vegjël që sot janë futur nën tokë. Më tej, Qena abstrahon rrëmujat me njerëz dhe trafikun e makinave që vështirë lëvizin nëpër ambiente të dehumanizuara. Edhe nga lagjet e ndërtesave prej betoni, çeliku dhe alumini, në punë i hyjnë më shumë reflektimet e qindra dritareve, ku shfaqen pulsimet e jetës urbane, në esencë artificiale, por që ai i bën nota ekspresive në simfonitë pikturale.

Që nga koha e romantizmit, e edhe sot, artistët e kanë përjetuar qytetin modern si tjetërsues dhe bastardues të jetës së natyrshme. Kaosi dhe gumëzhima e qyteteve të sotme janë vërtet raskapitëse dhe ngulfatëse. Shpëtimi është kërkuar shpesh te kthimi në jetën natyrore. Gogen e kishte bërë këtë duke ikur dhe duke pikturuar Polinezinë ekzotike.

Qena nuk e ka hall qytetin e alienuar nga natyra. Ai ka prirjen ta gjejë të natyrshmen dhe ekzotikën brenda qytetit. Kjo veprës së tij i jep një frymë romantizmi klasik. Dikush mund të thotë se ai bën kartolina tërheqëse, ndërkohë që realiteti i qyteteve të sotme është i mbushur me zymtësi. Por çështja është: a ka të keqe në shndërrimin e zymtësisë në hijeshi?

Procedimi i Qenës nuk është mashtrim. Po, është e vërtetë se ai i fisnikëron pamjet e qyteteve me ndërhyrje dhe thekse delikate, jo aq në kompozicion sa te ngjyrat dhe lustrat pulsante që rikonfigurojnë përditshmërinë banale të makinave të parkuara, fasadave të godinave, shesheve, kupolave të bardha apo hekurave dritëthyese të Bibliotekës Kombëtare. Me gjithë këto elemente, Qena bën ftesë ta rishohim qytetin ndryshe, si një zbulesë esëlluese.

Po të shikohen me kujdes, veprat e Qenës nuk e neglizhojnë natyrën në favor të betonit. Natyrën e gjallë ai e gjen prezente gjithandej: në pikturat me drunj, lulishte, saksitë në ballkone, oleandrat përgjatë mureve të ndërtesave. Më tej, në pikturat e fundit, Qena vendos me bollëk gonxhe të mëdha lulesh, që gati tërësisht e mbulojnë pamjen e qytetit të betonizuar. Kjo nuk është pamje dëshirore e qytetit të rregulluar si “kopsht me lule”, por më shumë një kthesë konceptuale dhe stilistike në artin e Rron Qenës. Këto piktura me lule nuk e sforcojnë vetëm ekspresivitetin, por janë thuajse abstrakte. Ose ndoshta Qena u përgjigjet antiromantikëve që qytetin e shohin vetëm si zymtësi:

Mbushni ballkonet me lule dhe muret e dhomave tuaja me art.

Nga Shkëlzen Maliqi

Kjo ekspozitë përkrahet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Kosovë

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Manushaqe Ibrahimi & Yll Avdiu: Pambuk

16 Shk 2026

Rron Qena: Qyteti neoromantik

28 Jan 2026

Arbër Sahiti: Çka s’shoh

27 Jan 2026

Zoran Filipović: 1991

4 Nën 2025

Agron Dragaj: What time could not erase

12 Tet 2025

Emma Bilbilaj: Art beyond function II

11 Tet 2025