Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Kritikë Artistike

Adriana Kabashi: Poezia në epokën e chatbotëve

29 11 2025

„Në mesnatën time të tretur, kur orët rëndojnë si varre,
m’u shfaq përsëri ai shushurim i vjetër,
hija që më ndjek pas shpine,
me flatra të ftohta – kujtimi i vdekjes së heshtur.“

Kështu tingëllon një strofë e poezisë së ChatGPT- së, kur ia kërkova të më shkruante një poezi që për temë ka jetën dhe vdekjen në stilin e Edgar Allan Poe-s. Ndërsa në stilin e Walt Whitman-it, jeta dhe vdekja sipas ChatGPT-së:

„O vdekje, nuk të shmangem!
Ti je motra ime e heshtur,
ajo që ecën pranë meje si hije e duruar,
duke më kujtuar se çdo hap që hedh
është i përkryer vetëm sepse është i fundit i mundshëm.
Në krahun tënd ka një qetësi të gjerë,
një fushë e pambaruar pa frikë, pa ngut,
ku shpirti pushon si bar i njomë pas shirave.“

Studiuesit dhe njohësit e poezisë së këtyre autorëve mund ta vlerësojnë se sa shëmbëllejnë këto strofa me vargjet e tyre të vërteta. Edgar Allan Poe me vargjet e tij „të errëta“, ku vdekja si hije e zezë endet mbi kokat e njerëzve dhe Wolt Whitman me poezinë e tij himn për jetën e vdekjen plot dritë e qetësi. Të dy këta u imituan me saktësi nga chatgpt. 

Me shfaqjen e inteligjencës artificiale, dilema kryesore mes poetëve, shkrimtarëve dhe studiuesve të letërsisë është bërë e qartë: a rrezikon të zëvendësohet poeti? A mund të prodhojë AI poezi më „të shitshme“? Apo edhe poezi më „të mençura“?

Domosdo, tani si kurrë më parë është e pritshme të pyesim edhe: A po ndryshon sot poezia dhe kush mund ta shkruaj atë? A do të ketë poezi në të ardhmen? Çfarë po ndodhë me të? Krizë? Transformim? Rilindje? Të gjitha ngapak.

Për momentin nuk mund ta mohojmë se chatbotët kompozojnë vargje sipas porosisë dhe si rezultat rrjetet sociale po mbushen me miliona „shkrime“ prej tyre. Ky lloj produktiviteti e ka vendosur poezinë (dhe shkrimin në përgjithësi) diku midis prodhimit të algoritmit dhe autenticitetit njerëzor.

Nëse dikur arti, estetika, kanë qenë rezultat i intuitës, përvojës dhe emocioneve të artistit (njeriut), sot edhe arti, estetika, i janë subordinuar prodhimit të algoritmeve, modeleve të inteligjencës artificiale, rrjeteve sociale dhe sistemeve që parashikojnë madje edhe dëshirat tona… 

A kemi hyre në epokën e estetikës algometrike? Sido që ta quajmë, kemi hyrë në fazën e shumë pyetjeve për konceptin trandicional të autorësisë dhe origjinalitetit. A do ta humb arti dimensionin e të papriturës, rastësisë, atë që Walter Benjamin e ka quajtur „aura e krijimit aty për aty“ dhe si do të mund të shijojmë „krijime“ që nuk kalojnë nëpër syrin e piktorit, veshin e kompozitorit apo ndjeshmërinë e poetit? Këto janë shumë pyetje, përgjigjet e të cilave sot për sot vetëm mund t`i hamendësojmë dhe diskutojmë. 

Dyshime e kundërshtime kishte edhe në shekullin XV kur u shpik makina e parë e shkrimit nga Johannes Gutenberg. Edhe pse kjo makinë revolucionarizoi e demokratizoi dijen, në kohën e saj u pa shpeshherë si teknologji destabilizuese e kërcënuese për rendin shoqëror, fetar e ekonomik. Paradoksale ndoshta, por është kundërshtuar edhe nga elitat kulturore, nga frika e “uljes së cilësisë së dijes” dhe për shkak se “Çdokush”mund të shkruante dhe të shpërndante ide.

A mund të shkruajë sot poezi çdokush? A është kjo “frika” e elitave kulturore sot, se secili mund të jetë poeti e autori? Që nga Roland Barthes që shpalli “vdekjen e autorit”  e deri te debatet e shumta bashkëkohore për krijimin kolektiv, çështja e autorësisë shpesh është mitologjizuar. Por sot, merr një dimension të ri: “big data” apo algoritmi hyn në skenë jo vetëm si mjet, por si njëlloj bashkautori, një mjet që riformulon e riprodhon gjuhë. Megjithëse poezia apo shkrimi letrar nuk është vetëm gjuhë, vetëm kombinim fjalësh e shprehjesh. 

Kështu lind dilema kryesore: Çka domethënë të jesh sot autor (poet)? A e rrezikon apo e ndihmon poetin e poezinë inteligjenca artificiale? Nëse inteligjenca artificiale është një mjet i avancuar, si mund ta përdorë autori (poeti) atë? 

Në njëfarë mënyre, teknologjia nuk është krejt neutrale. Ajo prodhon atë që ne kërkojmë, forma speciifike të mendimit. Por, ajo do ta prodhojë një poezi të probabilitetit, e cila edhe mund ta ketë bukurinë e vet – koherencë, metafora që na befasojnë – por do të jetë e kufizuar. E poeti – njeri, nuk është i kufizuar dhe del jashtë “konfigurimit “ të vet, gjë që s`mund ta bëjë makina. 

Inteligjenca artificiale mund ta zgjerojë territorin letrar, madje mundet edhe të imitojë stile poetike deri në përsosmëri. Mund të prodhojë numër të pakrahasueshëm tekstesh e poezish, por edhe mund të ndihmojë poetët e kësaj kohe të eksperimentojnë me format që më përprara as do t`i kishim menduar. Por, poezia e chatbotëve është poezi pa rrezik, pa vuajtje. Pa kohë. Madje edhe pa heshtje.

E poeti-njeri, për dallim nga kjo “makinë” e përsosur, zhgënjehet, çmendet, revoltohet, krijon papërsosmëri, mund të dështojë, mund të shkruajë keq. Mund të shkruajë keq, dhe këtu është esenca… poeti krijon liri. Dhe kjo liri është vetë estetika njerëzore. 

Inteligjenca artificiale nuk mund ta zhdukë as poezinë as autorësinë, sado vërshime të mëdha të poezive të chatbotëve të ketë nëpër rrjetet sociale. Kjo besoj se vetëm do ta zhvesh poetin nga mitologjizimi dhe do ta kthejë në thelbin e vet: zgjedhjen estetike!

Poeti i sotëm nuk shkruan më bukur se makina, por zgjedh më bukur, mendon, përjeton dhe ndjen ritmin e secilës fjalë në fjali. E këtë ritëm do ta ndjejë e kërkojë edhe lexuesi. Sepse sado makina të bukura e të përsosura të shpikë njerëzimi, njeriu gjithnjë do të ketë nevojë të kthehet në brendinë e tij, të kërkojë kuptime më të thella të ekzistencës së vet dhe këtë mund ta gjejë në ndjesinë, përvojën dhe kërkimin që ia jep udhetimi poetik mbi botë.

Prandaj s`ka frikë. Një “asistent i përsosur” apo një “bashkautor i cili i di të gjitha, është i mirëseardhur. Mjafton të dish t`ia kërkosh! Ndoshta edhe na kursen kohë për gjëra të tjera të bukura!

Adriana Kabashi

Gazetare

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Zhvillimi i kritikës artistike”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Foto: Kushtrim Haxha

Donjeta Abazi: Imagjinata në bankën e të akuzuarve

23 Shk 2026

Diona Kusari: Identiteti poroz në veprat e “Pambuk” të artistëve Manushaqe Ibrahimi dhe Yll Avdiu

5 Shk 2026

Shkëlzen Maliqi: Qyteti neoromantik i Rron Qenës

17 Dhj 2025

Klara Buda: Marie-Françoise Allain Portret Postume

17 Dhj 2025

Labinot Balaj: Teatri, Kujtesa dhe Filozofia e Dokumentimit në Dodonën e viteve 1991-2001

17 Dhj 2025

Orhan Kurtolli: Kush jemi ne pa kujtesën tonë?

3 Dhj 2025