Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Kritikë Artistike

Donjeta Abazi: Imagjinata në bankën e të akuzuarve

Foto: Kushtrim Haxha

23 02 2026

Foto: Kushtrim Haxha

Foto: Kushtrim Haxha

Më 20 shkurt, nga ora 20:00, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës u dha premierë shfaqja “Nyja e Gidionit”, me autore Johnna Adams dhe regji të Hana Qena.

Drama “Nyja e Gidionit” vendoset brenda një klase, por ajo klasë nuk është vetëm hapësirë fizike ajo shndërrohet në territor tensioni moral, në një arenë ku përballen jo vetëm dy gra, por dy mënyra të të kuptuarit të botës. Takimi i nënës dhe mësueses nuk mbetet thjesht dialog; ai është një duel emocionalisht i ngarkuar që trajton përgjegjësinë prindërore, dhunën, bullizmin në shkollë dhe, mbi të gjitha, kufirin e brishtë mes fajit dhe pafajësisë. Në këtë hapësirë, në kohë reale, përplasen dy botëkuptime dhe dy koncepte të ndryshme të përgjegjësisë, edukimit dhe asaj nyje të pazgjidhshme që lind kur morali nuk ka më një qendër të qartë.

Brenda klasës së shoqërisë

Me dy aktore dhe një rrëfim që zbërthehet gradualisht në trajta të ndryshme deri në fund, shfaqja “Nyja e Gidionit” na nis në një maratonë ngjarjesh që prekin atë që nuk shihet me sy të lirë në shoqërinë që jetojmë çdo ditë, mekanizmat e heshtur të fajit, gjykimit dhe frikës. Një mësuese klase dhe një nënë (djali i së cilës ka kryer vetëvrasje ditë më parë) konfrontojnë mendimet dhe botëkuptimet e tyre deri në nyjën më të hollë të së vërtetës.

Përderisa pafajësia e mësueses së Gidionit mbërthen mençur idenë e publikut që ta shohë nënën si të tronditur nga e paarsyeshmja, rrjedha e letrës dhe detajeve të tjera në këtë bashkëbisedim na vendos përballë një të vërtete që nuk është lineare – ajo fsheh disa të vërteta brenda vetes, si shtresa që nuk zbulojnë menjëherë thelbin.

Heather (mësuesja), në këtë takim mban mbi supe institucionin, drejtësinë, ligjin, shkollën dhe, në fund, ndërgjegjen e saj; një barrë që e bën figurën e saj tragjike. Corryn (nëna) nuk ka mungesë racionaliteti; ajo ka mungesë kohe. Ajo ka munguar në mbledhjet e prindërve sepse edhe vet ligjëron poezi në një nga universitetet e vendit. Por në këtë takim ajo nuk vjen thjesht si nënë; ajo vjen si agjente morale dhe ligjore, në kërkim të arsyes së vërtetë të vetëvrasjes së djalit të saj 11-vjeçar.

Diskutimet, emocionet, tensioni dhe kërkesa për përgjigje zbulojnë diçka që ne si shoqëri nuk dimë ta pozicionojmë qartë si të drejtë apo të gabuar. Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i shfaqjes: nuk ka një formulë universale të të qenit mësues i mirë, ashtu siç nuk ka një manual të saktë për të qenë prind i mirë. Morali nuk është ekuacion me një zgjidhje të vetme.

Mësuesja, nëna ose të dyja

Në një review vite më herët në “Chicago Critic”, ideja e shfaqjes bie mbi domenin e arsimit, bullizimit, moskuptimit dhe sistemit të ngurtë arsimor jo vetëm në një vend të caktuar, por në shoqëritë moderne përgjithësisht. E njëjta ndjesi u krijua edhe natën e premierës.

Para se ta vriste veten, Gidioni ishte suspenduar nga shkolla. Shkaku i suspendimit ishte një tregim që ai kishte shkruar dhe që kishte depërtuar tek nxënësit e tjerë të klasës, disa prej të cilëve ishin të përfshirë në të. Në këtë tregim kishte dhunë, mllef ndaj mësuesve, përdhunime, forma të errëta të të bërit keq. Por Gidioni ishte i biri i një profesoreshë të poezisë, e cila që në fëmijërinë e hershme e kishte ushqyer me tregime të mitologjisë greke dhe rrëfime të tjera klasike. Rrëfimet mitike bartin dhunë, forcë, tragjedi, por edhe heroizëm. Ato janë pasqyrë e natyrës njerëzore.

Siç duket, Gidion (ashtu siç e paraqet mësuesja) kishte pëlqim për njërin nga shokët e tij në klasë. Dhe këtu fillon një tjetër shtresë e konfliktit: identiteti, refuzimi dhe frika.

Pyetjet që shfaqja i ngre dhe i lë pezull janë thellësisht filozofike:

A është mënyra e duhur e të bërit mësuesi ajo që Heather po bënte?
A ka rëndësi imagjinata e çfarëdo lloji tek një fëmijë 11-vjeçar?
Si është mënyra e duhur e të qenit prind?
A duhet prindi të jetë i pranishëm vazhdimisht apo vetëm në raste specifike?
Nëse kultura është ajo që një prind dëshiron për fëmijën e vet, a është i dëmshëm ekspozimi ndaj miteve dhe tregimeve që përmbajnë dhunë?

Këto nuk janë vetëm pyetje për personazhet. Janë pyetje për ne.

Foto: Kushtrim Haxha

Para se ta shohim skenën

Rrëfimi i Gidionit është ndër rrëfimet më të bukura të lexuara ndonjëherë. Edhe pse me përmbajtje dhune, në letërsi një rrëfim i tillë është zotësi artistike. Por ajo që mbetet pezull është kjo: a duhej të shkruhej nga një fëmijë 11-vjeçar? Dhe a duhej ta lexonin fëmijët e tjerë? Sepse në fund të ditës, ne nuk jemi si të gjithë, dhe të gjithë nuk janë si ne.

Burrëria, forca dhe format e tjera që bartin tregime të autorëve të ndryshëm, përfshirë rrëfimet mitologjike, mund të bëhen forma penalizuese tërthorazi për ata që u ekspozohen, sidomos në mungesë të pjekurisë emocionale.

Mësuesja, e cila nuk e di më fillin e të drejtës dhe të gabuarës, është zhytur thellë në një sistem që e mëson se shkolla është vend ku imagjinatat jo të rëndomta duhet të kontrollohen dhe se institucioni është mbi individin.

Metafora e maçokut të saj që vuan nga diabeti dhe së shpejti do të ngordhë, është një metaforë e fuqishme mbi fajin dhe teprinë. Kur Corryn i thotë “ti je fajtorja” (sepse ajo i kishte dhënë maçokut më shumë ushqim se sa duhej), në fakt ajo mund t’i drejtohet edhe vetes. Sepse mbi parimin jetësor, gjithçka e tepruar është e dëmshme: ushqimi i tepërt çon në sëmundje, ekspozimi i pakontrolluar ndaj dhunës mund të çojë në pasiguri emocionale.

Dhe në fund të kësaj metafore, ajo që bie në sy është tragjikja e heshtur: mësuesja nuk shpërthen në vaj për nxënësin e saj të vetëvrarë, por për maçokun. Këtu shfaqja na jep një pasqyrë të ftohtë të individit modern, ai qan për atë që i përket personalisht.

Tek aktorët dhe skenografia

Improvizimi me karrige për publikun, me idenë që ata të ndiheshin si në klasë, ishte i dobët. Ata që nuk u ulën në dy rreshtat e parë e kishin të vështirë të shihnin lëvizjet në skenë.

Por ndërtimi i klasës dhe rregullimi i saj në skenë qenë fantastike, sidomos varja e bankave dhe karrigeve në lartësi mbi kokat e aktoreve një simbolikë vizuale e presionit që rëndon mbi to.

Irena Aliu dhe Maylinda Kasumoviq e përqafuan aktin e njëra-tjetrës dhe ia bënë punën më të lehtë vetes. Siguria në akte dhe shpërthimet emocionale mes skenave ishin shtysë e domosdoshme për një dramë që jeton mbi tensionin.

“Nyja e Gidionit” është një dramë e cila nuk mund të duket e largët për publikun tonë. Ajo ka mbërritur më vonë, por është një shfaqje që i bën mirë shoqërisë njësoj si çdo formë arti që zgjon.

Kjo shfaqje nuk i përket atyre ku tragjeditë heshtin nën agoninë e protagonistëve; përkundrazi, ajo dyzon arsyen dhe emocionin dhe kërkon reflektim mbi nyjën e pazgjidhur të formulave më të vështira humane: mësuesisë dhe amësisë.

Autore: Johnna Adams
Regjisore: Hana Qena
Aktore: Irena Aliu, Maylinda Kosumoviq
Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku
Kostumografe: Hana Zeqa
Skenograf: Burim Arifi
Kompozitor: Ger Kacerja
Asistente e regjisë: Fluturë Nishori
Animacioni: Flaka Kokolli, Elsa Talla, Leonita Thaqi, Diellza Franca
Inspiciente: Nazmije Krasniqi
Dizajnere: Nita Qahili
Fotograf: Kushtrim Haxha

Shkruan Donjeta Abazi

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shprehjes Kulturore”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Agjencionit Zviceran për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Foto: Kushtrim Haxha

Donjeta Abazi: Imagjinata në bankën e të akuzuarve

23 Shk 2026

Diona Kusari: Identiteti poroz në veprat e “Pambuk” të artistëve Manushaqe Ibrahimi dhe Yll Avdiu

5 Shk 2026

Shkëlzen Maliqi: Qyteti neoromantik i Rron Qenës

17 Dhj 2025

Klara Buda: Marie-Françoise Allain Portret Postume

17 Dhj 2025

Labinot Balaj: Teatri, Kujtesa dhe Filozofia e Dokumentimit në Dodonën e viteve 1991-2001

17 Dhj 2025

Orhan Kurtolli: Kush jemi ne pa kujtesën tonë?

3 Dhj 2025