Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Kritikë Artistike

Donjeta Abazi: Mes ishujve kulturorë dhe institucioneve – Debat për kulturën në Kosovë

09 03 2026

Më 26 shkurt, në “Hani i 2 Robërteve”, u mbajt takimi i parë i serisë së debateve Fuqizimi i Kulturës, me temën “Kultura Sot”. Panelistët e parë të bashkëbisedimit ishin Labinot Kelmendi (filozof, profesor), Shkëlzen Maliqi (filozof, publicist dhe kritik arti), Eliza Hoxha (arkitekte, artiste) dhe Mehmet Behluli (artist, profesor).

Debati, i cili zgjati më shumë se dy orë, nxiti një diskutim të gjerë mbi gjendjen e kulturës në përgjithësi dhe mbi zhvillimet e kulturës në Kosovë para dhe pas luftës. Si pikënisje për diskutimin shërbeu teksti i vitit 2011 “Kultura e pasluftës në Kosovë”, i autorit Shkëlzen Maliqi.

Panelistët ndanë pikëpamjet e tyre nga perspektivat e fushave prej të cilave vijnë dhe ngritën paralele kohore mbi zhvillimet kulturore në vend. Një nga çështjet që u theksua gjatë diskutimit ishte fakti se kultura në Kosovë vazhdon ta ketë si katalizator kryesor skenën alternative, ose atë që panelistët e quajtën “ishuj kulturorë”. Në këtë kontekst u përmendën hapësira dhe iniciativa si Termokiss, Oda, galeritë që nuk janë nën vartësinë e MKRS-së, si dhe qendra e festivale të tjera që nuk mbështeten domosdoshmërisht financiarisht nga institucionet shtetërore.

A i kaluam kulturalisht vitet ’90?

Shkëlzen Maliqi, ndër të tjera, theksoi se në rrafshin kulturor Kosova sot dallon pak ose aspak nga vitet ’90. Me këtë vlerësim u pajtuan edhe panelistët e tjerë, duke ngritur një dilemë të rëndësishme: si është e mundur që një vend, që tashmë ndodhet në një realitet politik dhe shoqëror krejt tjetër nga ai i viteve ’90, të ketë shënuar kaq pak zhvillim në sferën kulturore.

Sipas diskutimit të zhvilluar, edhe në rrethana të vështira, nën ish-Jugosllavi, jeta kulturore në Kosovë mbështetej kryesisht në iniciativa vetanake ose grupore, një realitet që, sipas panelistëve, vazhdon të jetë i ngjashëm edhe sot. Kultura, në shumë raste, mbështetet më shumë te këta “ishuj kulturorë” sesa te një mbështetje e qëndrueshme institucionale.

“Kurrë nuk kemi dalë as prej viteve ’80, as prej viteve ’90, edhe pas çlirimit, pas UNMIK-ut dhe EULEX-it. Në sferën e kulturës, gjendja jonë bazike është gati sikur në vitet ’90, në kuptimin se kultura jonë bazohet në përpjekjet individuale ose grupore dhe është e vetorganizuar”, u shpreh ndër të tjera Maliqi.

Në diskutim u përmend edhe “Manifesta 14”, festivali nomad i artit që u mbajt në Kosovë në vitin 2022 dhe që, sipas panelistëve, solli një lloj shkundjeje të nevojshme, sidomos për skenën alternative kulturore. Ndërhyrjet e Manifestës e shndërruan veçanërisht kryeqytetin në një hapësirë tërheqëse estetikisht dhe artistikisht, si për publikun vendas ashtu edhe për vizitorët e huaj.

Përfitimin më të madh nga ky event e patën pikërisht hapësirat dhe qendrat artistike që tashmë ekzistonin në skenën alternative dhe që morën një vëmendje më të madhe pas mbajtjes së festivalit.

“Për shembull, ‘Manifesta’ është një ngjarje shumë e madhe që vjen në Prishtinë në vitin 2022, në konkurrencë me vende të mëdha. Vjen në bashkëpunim me institucionet dhe aty marrin pjesë shumë artistë, përfshirë edhe ata që janë më të etabluar në skenën artistike”, theksoi ndër të tjera Mehmet Behluli, artist dhe profesor në Universitetin e Prishtinës.

Në spektrin tjetër

Në anën tjetër të diskutimit, panelistët u ndalën edhe te raporti mes institucioneve dhe krijuesve kulturorë. Sipas tyre, institucionet nuk kanë qenë gjithmonë mjaftueshëm bashkëpunuese me artistët dhe krijuesit nga fusha të ndryshme, gjë që ka krijuar një lloj vakuumi në zhvillimin dhe mirëqenien kulturore në vend.

Eliza Hoxha, si artiste dhe arkitekte, theksoi se kultura nuk mund të përkufizohet në vijëzime të ngushta. Për të, kultura përfshin shumë më tepër sesa prodhimin artistik, ajo reflektohet edhe në mënyrën se si vishemi, si flasim apo çfarë dëgjojmë.

Përveç kulturës në kuptimin e saj më të gjerë, Hoxha theksoi edhe rëndësinë e kulturës urbane, veçanërisht atë të Prishtinës si qytet.

“Kultura nuk është se nuk ka ekzistuar si prodhim, si dije, si traditë, si zanat, besim edhe në zonat rurale. Por është kapitalizuar dhe ka ardhur në një tjetër formë. Është muzeuar, interpretuar, diskutuar dhe është lartësuar, por edhe është vënë në pikëpyetje nga një gjeneratë tjetër për diçka më të re dhe për të ardhmen. Andaj qyteti ka peshën e vet…”, u shpreh ndër të tjera Hoxha.

Diskutimi nuk u ndal vetëm te kultura si prodhim artistik, por u zgjerua edhe drejt raportit mes kulturës dhe antikulturës, një temë që hap edhe diskutime filozofike. Oazat ku zhvillohen aktivitetet kulturore, fakti që kultura në Kosovë shpesh perceptohet ende si luks, si dhe përpjekjet e shpërndara mes grupeve të pavarura dhe institucioneve që ofrojnë mbështetje të pjesshme, u trajtuan nga panelistët në forma të ndryshme gjatë debatit.

Labinot Kelmendi e zgjeroi diskutimin përtej perspektivës aktuale, duke u ndalur te kuptimi i kulturës në aspektin individual dhe te rëndësia e grupeve që e shohin artin si një formë revolte dhe jo si përshtatje ndaj sistemeve dhe strukturave shoqërore.

“Shprehja më e rëndësishme për mua për ta definuar kulturën është shprehja gjermane ‘Kulturpessimismus’. Mendoj se optimizmi i tepërt na ka çuar në Auschwitz dhe Reçak. Doza e pesimizmit është e shëndoshë për të parë me distancë ndërmarrjet kulturore”, tha Kelmendi.

Debati mbi kulturën sot dhe dikur, mbi pyetjen nëse ka ndryshuar diçka dhe nëse po ku janë shënuar zhvillimet më të mëdha, si dhe reflektimet mbi rëndësinë e diskutimeve të tilla për skenën kulturore në Kosovë, ishin disa nga temat që u trajtuan gjatë këtij takimi në Hanin e dy Robertëve.

Ky debat shënoi fillimin e një cikli diskutimesh që synojnë ta vendosin kulturën në qendër të dialogut publik. Organizatorët paralajmëruan se do të pasojnë edhe debate të tjera me tema dhe perspektiva të ndryshme, si dhe me panelistë nga fusha të ndryshme të kulturës dhe shoqërisë.

Diskutimi i ardhshëm do të mbahet më 11 mars, me temën “Kultura Publike dhe Kultura e Pavarur”, me të ftuarit Sibel Halimi, Jeton Neziraj dhe Rozafa Maliqi, nën moderimin e Diona Kusarit.

Pikat kryesore të debatit do të përfshijnë marrëdhënien mes kulturës publike dhe kulturës së pavarur, reformimin e kulturës publike, si dhe administrimin dhe pavarësinë e komuniteteve kulturore.

Donjeta Abazi

Gazetare

Shkruan Donjeta Abazi

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shprehjes Kulturore”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Agjencionit Zviceran për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Donjeta Abazi: Mes ishujve kulturorë dhe institucioneve – Debat për kulturën në Kosovë

9 Mar 2026

Foto: Kushtrim Haxha

Donjeta Abazi: Imagjinata në bankën e të akuzuarve

23 Shk 2026

Diona Kusari: Identiteti poroz në veprat e “Pambuk” të artistëve Manushaqe Ibrahimi dhe Yll Avdiu

5 Shk 2026

Shkëlzen Maliqi: Qyteti neoromantik i Rron Qenës

17 Dhj 2025

Klara Buda: Marie-Françoise Allain Portret Postume

17 Dhj 2025

Labinot Balaj: Teatri, Kujtesa dhe Filozofia e Dokumentimit në Dodonën e viteve 1991-2001

17 Dhj 2025