Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Kritikë Artistike

Diona Kusari: Identiteti poroz në veprat e “Pambuk” të artistëve Manushaqe Ibrahimi dhe Yll Avdiu

29 01 2026

Ekspozita “Pambuk” e artistëve Manushaqe Ibrahimi dhe Yll Avdiu u hap në Hanin e 2 Robertëve me datën 29 janar 2026. Në këtë ekspozitë, veprat e dy artistëve përmes praktikave të ndryshme artistike bashkëbisedojnë në hapësirë mbi likuiditetin e identitetit dhe mënyrën se si japim kuptim. Të dy artistët punojnë në një mënyrë intuitive, ku vepra ka një vetëdije të veten gjatë procesit të krijimit, e ku artisti duket herë si mjet për të procesuar e herë si krijues. A është çdo zgjedhje e qëllimshme apo intuitive, a janë të dyjat e njejta gjë?

Veprat e Manushaqe Ibrahimit dhe Yll Avdiu na vijnë me një praktikë personale të zhvilluar, teksa takohen mbi vetë procesin e artit si praktikë personale interpretimi, si mjet për të biseduar me veten a subjektin pranë, apo si formë e zgjatur e një imprinti vibracional i kujtesës e përjetimeve individuale. Njëkohësisht, njëfarë krize shoqërore e mbingarkesës me identifikimin, overthinking e multiplicitetit të zgjedhjeve në shoqëri shfaqet te Ylli si formë a gjuhë e veprës, e ndërsa te Manushaqja si pikënisje. 

Manushaqe Ibrahimi ka thuajse një dekadë që merret me pikturë, duke krijuar më tej edhe projekte multimediale e të bazuara në proces, përmes mediumeve të fotografisë, filmit, instalacioneve, duke eksperimentuar në disa shtresa, edhe përmes intervenimeve hapësinore dhe artit të përfshirë në tema sociale (socially-engaged art).

Që në moshë të hershme ajo ka filluar të punojë alfabetin, një gjuhë simbolike e koduar (cipher) vetanake e cila përshkon serinë e saj të fundit të pikturave, të cilën është duke e zhvilluar që nga viti 2023. Ajo thotë se teksti i përkthyer në kodin e saj personal është elementi i parë që vjen në kanvasë, piktura merr formën vetë krahas tekstit. Fjalitë që i dëgjon nga të tjerët e që i mbesin në mendje, si një formë mesazhi a absurditeti i përsëritshëm i shërbëjnë si cytje për të punuar në një vepër. Alfabeti është një element i vazhdueshëm në punën e saj deri në momentin që dikush do t’a dekodojë. 

Figurat elastike e të shpërfytyruara në pikturat e ekspozuara të Manushaqes janë gojëhapura, në njërën anë si një reflektim mbi komunikimin e përsëritshëm e fjalosjet nga një nevojë për të folur pandërprerë, dhe në anën tjetër si ngecje a pamundësi për t’u shprehur me fjalë. Pikturat janë në një komunikim të ndërsjellë me artisten, i flasin për gjendjen emocionale e psikologjike të kohës kur i ka punuar, në të cilën gjë vërehet një akt i procesimit përmes tjerave forma simbolike në vend të gjuhës. Megjithatë, gjuha e saj mund të jetë përfaqësuese e një gjenerate e cila detyrohet të përbrendësojë një filtër normativ shoqëror, një kuadër imazhi i cili i lë në margjina ata të cilët nuk shprehen në mënyrë të pritshme e refuzojnë kuptimet sipërfaqësore.

Ylli Avdiu punon në vizatim, ilustrim, animacion dhe art digjital. Puna e tij karakterizohet nga vija e fragmente vizuale të cilat përbashkohen në një vepër përmes një rrjedhe intuitive të punës. Ylli shprehet se vijat nuk janë vetëm element pune a element estetik, por mënyrë për të menduar, reaguar dhe dhënë kuptim. Ai tregon se gjuha e përbashkët e këtyre veprave që shfaqet duke i analizuar krah më krah trajtojnë identitetin si diçka fleksibile e relacionale, si proces aq vetanak sa edhe bashkëpunues. Prandaj në veprat e Yllit na shfaqen kryesisht individë të tjerë, që shpeshherë janë persona të cilët kanë pasur rëndësi në jetën e zhvillimin e tij artistik. 

Punimet e Yllit karakterizohen nga një stil surrealist e monokromatik, me tekstura e paterne për të cilat frymëzohet nga ambienti i punës me raste – nga eksperienca e atypëratyshme, e me simbolika personale dhe referenca të dukshme në tarot e astrologji. Ylli poashtu ka fjalë e kode të veta të mveshura nëpër vepra të cilat i duhet një vëzhgues i vëmendshëm për t’i hetuar. Tek Ylli vërehet një nevojë për t’a studiuar veten dhe investiguar historinë e tij kur flet për veprën “still, becoming”, diçka aq intime po aq sa është e hapur për vëzhgim. Ky vetë-referencim na shfaqet në këtë punim të mbuluar me forma a simbolika tëvetë zhvillimit të tij artistik, me referenca në vepra paraprake, ç’gjë na vjen si kodi (cipher) i tij personal. Në njërën prej punimeve të tij janë të “fshehura” 32 sy, ky një numër i cili e ka përcjellë atë gjatë jetës.

Të dy artistët punojnë në mënyrë ciklike e shumështresore, tek ta paraqitet edhe zgjatja e punës në kohë me një vepër, gjë që flet për natyrën ciklike e jolineare të procesit kreativ, po njëkohësisht edhe të identitetit. Në pikturat e Manushaqes, figurat e saja gati njerëzore nuk dijnë të kërkojnë ndihmë, kërkojnë të preken me tjetrën por e kanë të pamundur, kërkojnë të kuptohen po njëkohësisht nuk duan t’a gjymtojnë veten përmes shprehjes. Në këtë mënyrë, gjuha e koduar bëhet edhe përbrendësim e riformulim i banalitetit të fjalive por edhe shprehje radikale e kundërshtim në të cilin artistja ruan fjalën e fundit. Në punimet e Yllit, artisti veçse e vendos shikimin e tij nga jashtë, duke përdorur kryesisht të tjerët si frymëzim. Megjithatë, densiteti por edhe plasticiteti i elementeve që duken të pafundme në veprat e tij, duket se shfaqin simbole arketipale e elemente të (nën)vetëdijes kolektive, me një qasje maksimaliste. Sikurse artisti qoftë nënvetëdijshëm apo qëllimshëm nuk dëshiron t’a qendërzojë konceptin e veprës së tij mbi një subjekt, por mbi të gjitha, e përmes këtij vështrimi ai e studion tjetrin dhe veten. 

Nëse ka nevojë për kuptim aty ku kuptimi duhet të jipet vetë, jo vetëm në art por edhe në jetë, Ylli dhe Manushaqja e gjejnë atë përmes metodave të ndryshme të punës por takohen në çështjen e identifikimit me veten përmes historive jetësore të fragmentuara – që marrin kuptim përmes sinkroniciteteve dhe një procesi intim në artin e Manushaqes, e përmes marrëdhënieve e bashkëkrijimit të kuptimit në veprat e Yllit. 

Artistët e emëruan ekspozitën “Pambuk” intuitivisht duke lënë të nënkuptohet një referencë e brendshme e përsëritur midis tyre. Pambuku, me kuptimin e tij të shtresuar, aludon në intimitet trupor, brendi delikate që bart njëkohësisht cilësi që krijojnë mbulim, madje barriera mbrojtëse, konotacione koloniale dhe punë të padukshme. Pambuku absorbon, por dendësia e tij e lehtë edhe mbush hapësirën dhe krijon shtresa, duke zbuluar si porozitetin ashtu edhe mburojën ndaj botës, simbolet dhe kuptimet të lëvizshme të jetës.

Shkruan: Diona Kusari

Diona Kusari

Artiste multidisiplinare, shkrimtare, hulumtuese dhe ndërmjetësuese kulturore me bazë në Kosovë. Puna e saj fokusohet në materializimin e të padukshmes, qoftë kjo besimi apo ideologjia, si dhe sfidimin e ndarjes së presupozuar mes privates dhe publikes. Ajo punon në kolektive me parime horizontale, si Potpuri, e cila fokusohet në praktikat e vetë-publikimit dhe vetë-prodhimit të dijes. Shkruan poezi eksperimentale, blogje, recensione e artikuj që përqendrohen në reflektim e kritikë kulturore, mbi virtualen e simboliken dhe teorizimin mbi tema të të ashtuquajturit interes publik.

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shprehjes Kulturore”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Agjencionit Zviceran për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Foto: Kushtrim Haxha

Donjeta Abazi: Imagjinata në bankën e të akuzuarve

23 Shk 2026

Diona Kusari: Identiteti poroz në veprat e “Pambuk” të artistëve Manushaqe Ibrahimi dhe Yll Avdiu

5 Shk 2026

Shkëlzen Maliqi: Qyteti neoromantik i Rron Qenës

17 Dhj 2025

Klara Buda: Marie-Françoise Allain Portret Postume

17 Dhj 2025

Labinot Balaj: Teatri, Kujtesa dhe Filozofia e Dokumentimit në Dodonën e viteve 1991-2001

17 Dhj 2025

Orhan Kurtolli: Kush jemi ne pa kujtesën tonë?

3 Dhj 2025