Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Kritikë artistike

Labinot Balaj: Teatri, Kujtesa dhe Filozofia e Dokumentimit në Dodonën e viteve 1991-2001

30 11 2025

Recension mbi librin Alisa Canaj Maliqi, “Galeria Dodona 1997-1999”, Dukagjini, 2024

Ka vepra që mblidhen, ka arkiva që ruhen dhe ka libra që bëhen trup i një kohe. Ky katalog i Alisa Canaj Maliqit është i llojit të tretë, një formë që mishëron një periudhë, një hapësirë dhe një energji kulturore që nuk mund të kuptohet me mjete të thjeshta dokumentimi. Është një pasqyrë, jo si objekt i ngurtë, por si një mënyrë e të menduarit, një mënyrë e të qenit.

Teatri Dodona, gjysmë i dukshëm dhe gjysmë i fshehur nën trysninë e viteve të ’90-a, një kohë edhe me galeri arti (1997-1999) në një objekt shtesë aty pranë, shfaqet në këtë libër si hapësirë reflektimi filozofik për jetën, artin dhe rezistencën. Të reflektosh për një periudhë do të thotë të pranosh se ajo ka një formë që vazhdon të jetojë brenda nesh.

Pasqyra në këtë tekst nuk është thjesht metaforë estetike, ajo është koncept ontologjik. Ajo na kthen te ajo që ka mbetur, duke e bërë të dukshme atë që në realitetin e përditshëm të viteve nëntëdhjetë, ose siç njihen edhe si “vitet e gjata” në Kosovë, shpesh mbetej e padukshme, vetë gjesti i të krijuarit. Në një kohë kur liria fizike ngushtohej, pasqyra e skenës zgjerohej.

Asgjë nuk e pasqyron më mirë këtë tension të ekzistencës sesa imazhet e këtij katalogu: trupa të përkulur, fytyra të ndriçuara nga reflektorë të improvizuar, shenja të fragmentuara të një bote artistike që e ndërtonte vetveten përmes mungesës. Pasqyra këtu nuk jep vetëm refleksin e një kohe, ajo jep strukturën e saj të fshehtë. Ajo e kthen artin në dëshmi dhe në prani.

Së këndejmi, kjo i jep teatrit dhe galerisë Dodona statusin e aktit filozofik të rezistencës. Dodona gjatë viteve nga 1991 deri më 2001 nuk ishte vetëm vend i shfaqjeve dhe ekspozitave, ajo ishte laborator ontologjik i mbijetesës. Në një realitet ku institucionet shtetërore të kulturës u nënshtroheshin kontrollit ose shkatërrimit, vetë gjesti i daljes në skenë bëhej akt filozofik, një pohim i qenies në një kohë që shpesh e mohonte të qenët.

Aktorët, regjisorët, skenografët, artistët dhe kuratorët, të gjithë pa përjashtim, kontribuonin në një sistem të ri të të menduarit, ku improvizimi nuk ishte vetëm mjet artistik, por mënyrë për t’u përballur me botën. Çdo provë ishte formë e rezistencës së qetë. Çdo shfaqje, ekspozitë dhe tribunë debatike ishte rikthim i lirisë, një hapësirë ku mendimi kritik dhe imagjinata nuk mund të ndaloheshin.

Në këtë kontekst, Dodona e viteve nëntëdhjetë nuk mbetet thjesht shtëpi e artit, ajo bëhet formë e etikës sublime të rezistencës. Bëhet dëshmi e një përgjegjësie ndaj shoqërisë, ndaj së vërtetës, ndaj vetë idesë së njeriut dhe fuqisë së krijimtarisë së tij.

Të dokumentosh do të thotë të pranosh se koha nuk kalon pa lënë shenja. Por dokumentimi i Alisa Maliqit nuk është akt teknik, është akt hermeneutik. Ajo nuk kërkon vetëm të ruajë fotografinë e një momenti, por të riprodhojë tensionin e tij, frymën e tij, të pathënën e tij. Këto imazhe janë të zhveshura nga neutraliteti, ato janë të mbushura me një etikë të kujtesës.

Filozofikisht, dokumentimi është mënyrë për t’i dhënë formë asaj që përndryshe do të humbiste. Ai është një përpjekje për të kapur ato çaste ku arti e sfidon padukshmërinë, ku jeta ngurtësohet për t’u bërë e lexueshme. Në këtë katalog, dokumentimi merr rolin e një trupi të dytë në kohë, një trup që nuk ka humbur, por që vazhdon të ndërveprojë me të tashmen tonë.

Në fotografitë e këtij libri, trupat flasin. Flasin për frikën, për tensionin, për shpresën, për improvizimin e pamundur. Trupat e aktorëve në skenë dhe në imazhet e artefakteve nuk janë vetëm instrumente, janë tekst. Ata tregojnë histori që nuk ishin të regjistruara plotësisht, por u ruajtën në fotografi që kapën lëvizjet, mimikën, skulpturat dhe pikturat e një bote që gjallonte mes rreziqeve.

Dodona ishte skenë ku trupi individual dhe trupi kolektiv bashkoheshin. Në një shoqëri që përjetonte traumë, arti bëhej mënyra më e sinqertë e shërimit. Ndërsa jashtë Dodonës trupi kërcënohej, brenda saj ai rifitonte dinjitetin, gjuhën dhe hapësirën. Këto imazhe e bëjnë të dukshme marrëdhënien e ndërlikuar midis traumës dhe krijimit.

Se koha rishfaqet në trajta ciklike dhe jo lineare e dëshmojnë vitet nga 1991 deri më 1999, vite që në analet e historisë sonë nuk janë thjesht periudhë historike, por cikël. Në këtë katalog, koha nuk paraqitet si rrjedhë kronologjike, por si rrjet ku ngjarjet i rikthehen vetes për t’u rikuptuar. Përmes pasqyrës, e shkuara flet me të tashmen. Përmes dokumentit, imazhi flet me narrativën. Përmes interpretimit, arti vazhdon të veprojë edhe pas përfundimit të të shfaqurit.

Këtu koha nuk është thjesht e kaluar, ajo është e vazhdueshme. Ajo mbetet si dritë që nuk fiket brenda një salle të vogël teatri, edhe kur dritat e jashtme veniteshin.

Në fund, ky katalog nuk është retrospektivë, është ndërmjetësim. Ai jo vetëm rikujton, por rikthen në jetë. Pasqyra filozofike që strukturon këtë libër nuk tregon vetëm çfarë ishte Dodona atëherë, ajo na detyron të shohim çfarë jemi sot përmes asaj përvoje. Në këtë mënyrë, libri i Alisa Canaj Maliqit shndërrohet në hapësirë ku kujtesa nuk është vetëm akt i së kaluarës, por energji e së tashmes. Ai na mëson se dokumentimi është akt i të menduarit, se arti është formë e së vërtetës dhe se pasqyra, ajo që supozojmë se thjesht reflekton, në të vërtetë krijon.

Labinot Balaj, studiues dhe publicist

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Zhvillimi i kritikës artistike”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Foto: Kushtrim Haxha

Donjeta Abazi: Imagjinata në bankën e të akuzuarve

23 Shk 2026

Diona Kusari: Identiteti poroz në veprat e “Pambuk” të artistëve Manushaqe Ibrahimi dhe Yll Avdiu

5 Shk 2026

Shkëlzen Maliqi: Qyteti neoromantik i Rron Qenës

17 Dhj 2025

Klara Buda: Marie-Françoise Allain Portret Postume

17 Dhj 2025

Labinot Balaj: Teatri, Kujtesa dhe Filozofia e Dokumentimit në Dodonën e viteve 1991-2001

17 Dhj 2025

Orhan Kurtolli: Kush jemi ne pa kujtesën tonë?

3 Dhj 2025