“Martesa, valixhet dhe ngarkesat tjera”, nga Vlora Konushevci
“Martesa, valixhet dhe ngarkesat tjera”, është titull që e bashkëvendos fjalën martesë, një fjalë me shtresim semantik shoqëror, ligjor, institucional, kulturor, normativ, emocional, simbolik (po ashtu një fjalë që shënon temën pa të cilën një pjesë e madhe e letërsisë nuk do të ekzistonte, të paktën jo ashtu siç e njohim), me fjalën valixhe, pra një nocion i domethënies së këtillë vendoset te valixhja, një objekt aq i prekshëm, konkret dhe praktik. Për më shumë, këtyre dy fjalëve u shtohen “ngarkesat e tjera”, me një përgjithësim që sjell humor të veçantë duke e konstruktuar imazhin ku të gjitha ngarkesat e jetës mund të paketohen bashkë e të mbyllen në një kuti katrore, dhe ku peshën e përvojave tona mund ta mbajmë, ta lëvizim, ta vendosim e ta zhvendosim, madje edhe të qeshim me të.
Titulli është njoftimi i parë me librin që ta tërheq ose nuk ta tërheq vëmendjen. Që në titull të librit me tregime të Vlora Konushevcit, vërehet stili i mprehtë, me humor që të ngel në mendje, nga një zë të ri në letërsinë shqipe që sjell një përmbledhje tregimesh të shkurtra me ndjeshmëri, humor dhe stil të veçantë.
Në këto tregime, autorja e përdor rrëfimtarin e vetës së parë, që i jep rrëfimit ton personal dhe intim, duke i ngjasuar stilit të rrëfimit gojor, të memoareve, të ditarit, e gjithashtu e krijon efektin e transmetimit të drejtpërdrejtë të ngjarjeve e ndjenjave. Kjo teknikë e nxit bashkëkrijimin e lexuesit në interpretim, meqenëse çdo gjë që thuhet ne vetën e parë jo patjetër është e besueshme, dhe kështu sfidohet interpretimi i asaj që thuhet dhe rritet pjesëmarrja aktive gjatë leximit.
Efekt të ngjashëm të komunikimit të drejtpërdrejtë me lexuesit ka edhe përdorimi i dialektit në rrëfim. Përderisa në mjedisin tonë dialektet në diskursin publik shpesh përdoren për të shprehur identitete e nganjëherë edhe ideologji të veçanta, në këto tregime dialekti shfaqet në mënyrë të natyrshme dhe të rrjedhshme, pa ngarkesë ideologjike. Ai shërben si një tregues stilistik i zërit rrëfimtar, duke përforcuar efektin e autenticitetit të rrëfimit letrar.
Përzgjedhja e një rrëfimtari të këtillë, në vetën e parë dhe në dialekt, që e përforcon efektin e drejtpërdrejtshërisë, nga ana tjetër i shmanget privilegjit të gjithëdijshmërisë që mund ta ketë rrëfimtari i distancuar i vetës së tretë, e rrjedhimisht e bën lexuesin më të ndjeshëm ndaj nuancave vlerësuese, gjykuese apo moralizuese. Vlora u shmanget këtyre konotacioneve negative të ndërhyrjes, përmes tonit bisedor e humoristik, në raste dhe ironik, si dhe përmes dialogut. Po e ilustroj me një fragment nga tregimi “Hekuri”: Tekefundit, cili njeri normal ka qejf me folë për shkunorëzim hala pa e pi as kafen e mëngjesit? Vetë me vete mendova: “Në jetë gjithmonë del ndoj Tinë, që t’i kujton ato që do me i harrue . Nga po ky tregim po e sjell një fragment të shkurtë: Kalova pranë tij, por s’m’u desht me e prekë që me e shty anash. Ai lëvizi vetë, pa u kthy kah unë, sikur me qenë mësue me ba vend për diçka që as nuk e prekte, as nuk e përfshinte. Ndjenja e ftohtësisë dhe distancës emocionale shfaqet e nuk thuhet përmes komenteve ndërhyrëse, dhe atmosfera e trishtimit nuk artikulohet por përçohet përmes të pathënës, duke i dhënë rrëfimit një tension të dhimbshëm.
Tregimet e kësaj përmbledhjeje përthekojnë shtresa të ndryshme tematike, që nga marrëdhëniet intime, emocionet personale, aktualiteti shoqëror, e deri te reflektimet historike. Në tregimin “Lavdia”, lufta nuk rrëfehet me gjeste grandioze apo retorikë heroike, por përmes detajeve shqetësuese që e shpërfaqin absurditetin e jetës së trishtë të personazheve që nuk janë simbole por njerëz të zakonshëm, të lodhur e të topitur emocionalisht,: E thirra n’emën, por zani më doli i mekun, sikur u tjetërsova edhe vetë. Ai ktheu kryet ngadalë. Sytë, që dikur ia tradhtonin çdo mendim që kishte, tash nuk po më thoshin gja. Sikur gjithçka mbrenda tij kish vdekë. Mezi ma përshpëriti emnin – zani i tij, ajo armë që shpresoja se kish me u shërbye tjerëve, ishte shterë. Kish humbë. E bashkë me të, edhe çdo fije shprese që më çoi deri aty….. E kështu, shteti kujdeset për ne, gratë e dëshmorëve, dëshmitaret e farsës. Me çdo pension, sikur na thonë: “Qe, hak e keni me heshtë edhe nji muaj!
Tregimi “Tri dhoma” i qaset temës të varësisë nga droga përmes syve të nënës, pa dramatizuar e pa moralizuar, duke u përqendruar në detaje të imëta, si p.sh.: Drita fluoreshente ndizej e fikej ngadalë, si me dashtë me rrëfye qysh shpresa nuk asht kurrë e plotë, veç copa-copa. Rrëfimi i shmanget stereotipizimit, dhe përçon një dhimbje të përmbajtur, por të vazhdueshme, të një shkatërrimi të përditshëm.
Një nga tiparet e prozës moderne është metarrëfimi, apo komenti i rrëfimtarit për rrëfimin, nganjëherë edhe për funksionin e rrëfimit, që po e ilustroj me fragmente nga tregimet “Udhëtari” dhe “Valixhja”: Kur u largova, ndjeva peshën e valixheve të mia. Jo t’atyne në sportel. Të miave, që i mbaj gjithmonë. Në krahnor. Pesha jeme personale, e grumbullueme ndër vite, si teshat që s’i hedh dot, se ndoshta “ka me ardhë dita kur kanë me m’ra taman”. Sa shumë i kisha ikë jetës sime, tue shpikë histori për dikënd që s’e di as kush asht……Për nji çast, shikimi m’u ndal te nji njollë në qilim. Ish e vogël, gati e padukshme, por më thirrte me e fshi. Gishtat më shkuen mbi qilim, tue lëvizë pa vetëdije mbi njollën e vogël. Çdo fjalë që doja me ia thanë m’u duk si ajo njollë – e ngulët, e pathanë, e pamundshme me u zhdukë. Nji nxitje më kaploi. Nxitje me iu rrëfye. Për çdo gja. Por veç qesha dhe i thashë:
– Po, zemër, e kqyrim.
Sot të rrёfyerit dhe rrёfyeshmёria shihen si fenomene pёrmes tё cilave e kuptojmё botёn, si aktivitet kognitiv e jo thjesht si cilësi e teksteve letrare apo edhe gjuhёsore, gjё qё u mundёson studiuesve tё gjejnё tipare narrative pavarsisht nga mediumi. Narrativizimi i pothuaj gjithçkaje dhe i kudopranishëm, shpërfaqet në referimin e zërit të rrëfimtarit ndaj vetë rrëfimit, në këto fragmente, ku rrëfimi për veten del nga rrëfimi për të tjerët, dhe ku pasiguria e fjalëve dhe mosthënia e tyre e ftojnë lexuesin për pjesëmarrje në rrëfim.
Ky tipar i të rrëfyerit ndërlidhet me mënyrën e perceptimit të identitetit sot- si konstrukt i paqëndrueshëm, i fragmentuar dhe vazhdimisht në lëvizje. Ky lloj teksti e tërheq vëmendjen kah një koncept i cili qëndron në thelb të diskursit ideologjik dhe kulturor bashkëkohor, duke u ndërthurur me rrëfimin letrar, e që sidomos vërehet te tregimi “Pazari”: Po, qai aplikacioni! Po! Aty ku krijojmë komunitete, frymëzojmë njerëz, edhe kemi ndikim. Për shembull, koleksioni jem i fundit i çantave u shit mbrenda nji jave.S’ke ndie për të?- Jo, s’kam ndie. Por më duket interesante që ndikimi yt paska të bajë me çanta, …..- Çantat që promovoj unë nuk janë thjesht produkte, janë manifestime të identitetit tonë kolektiv! – ia ktheu tjetra….Zana ia plasi gazit. Edhe unë mezi u përmbajta. Por më kaploi nji lodhje që nuk lidhej veç me bisedën. Ishte ajo ndjenja që të kaplon kur e sheh botën tek rrëshqet në dokrra dhe ti je aty mes tyne, veç sa me i dëshmue vetes që nuk ke nevojë me u ba pjesë e saj.
Ky libër, me humorin që në titull dhe me tonin bisedor, ndoshta sugjeron se pesha e jetës, duke u bashkërrëfyer me të tjerët mbahet më lehtë, dhe uroj që lexuesit ta përjetojnë këtë lehtësim. Në sfond të këtij libri, herë pas here e përjetova si një prani të heshtur, ndjeshmërinë poetike dhe forcën e qetë të zërit të babait të ndjerë të autores, poetit Abdullah Konushevci.

Prof. Asoc. Dr. Lindita Aliu Tahiri
Lindita Aliu është gjuhëtare, kritike letrare, studiuese e medias dhe komunikimit masiv, poete, përkthyese letrare dhe mësimdhënëse në Universitetin e Prishtinës prej vitit 1984. Ka botuar libra dhe studime në fushën e gjuhësisë kritike, kritikës letrare, stilistikës, dhe analizës së diskursit.

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Zhvillimi i kritikës artistike”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.