Organizuar nga Ambasada e Francës dhe Instituti Francez në Kosovë
Marigona Ademi: Transformimi i botës me art
Ekspozitë në Kafe Galerinë Hani i 2 Robertëve
Artin e Marigona Ademit e shquan thjeshtësia e mënyrës me të cilën ajo e shfaq qëndrimin e saj të dëlirë ndaj botës. Në këtë ekspozitë ajo sjell dy cikle tematike, një me pejsazhe imagjinative me pemë të larta pranë lumit ose liqenit, diellin ose hanën në qiell – gjithëçka e stilizuar dhe përallore në dukje. Cikli tjetër përbëhet nga panoramat urbane, edhe ato në mrrekulli e harmonisë që, për çudi, autorja nuk ka prirje që t’i popullojë, nuk sheh njerëz në to. Pse? Mbase nuk mendohet se janë të tepërt, por trajtohen ndryshe, vetë imazhet e krijuara i dedikohen njerëzve, janë strofull dhe ambient për ëndërrat e tyre, propozime se si do të duhej të duket bota e transformuar me art. Janë imazhe që pëlqehen, të komponuara mirë, me ngjyra joshëse për syrin, rrezatojnë bukuri, adhurim dhe pozitivitet.
Marigona Ademi kultivon pikturën e realizmit magjik, të romantizuar pa dramacitet. Ndonëse serinë me tablo vendbanimesh e quan urban entaglements, cilësimi “ngatërresë urbane” nuk mendohet si e keqja dhe vështirësia e jetesës në qytetet bashkëkohore që, si në frymën bodleriane, do të adresoheshin si spleen Parisi dhe Lule të së keqës, që kanë qenë shprehje ankthi për shkak të pabarazive sociale të asaj kohe. Marigona e bën të kundërtën, e adreson të mirën dhe të bukurën e jetës, ndërkaq që nocioni i ngatërresës i referohet ngjyrave dhe formava shumështresore që rrëfejnë kompleksitetin pamor të urbanitetit. Kjo vërehet edhe në pejsazhet, ku natyra paraqitet e rregulluar dhe “krehur” bukur: pemët dhe godinat me harqe të larta, pranë ujit, dielli apo hana në qiell… gjithçka me një planimetri urbane të shijes të veçantë, ekskurs në romantikën vizuale paramoderne.
Te vizioni i saj i Parizit ka një si paradoks, qyteti nuk paraqitet i shtrirë horizontalisht në hapësirë, por si strukturë vertikale shtresa-shtresa, ku ndërmjet godinave shumëkatëshe vendosen zonat me gjelbërim, kështu që Parisi e ka pamjen e qytetit kaskadë, majat e të cilës prekin qiellin. Është interesant se piktorja nuk e ka shfrytëzuar asnjë shenjë të njohur identitare të Parizit, e parapëqen që t’i gjasojë kopshteve të Semiramidës të Babilonit të lashtë, edhe një tribut i autores për ndjesi romantike.
Pyetja që shtrohet për këtë qasje është mos ky lloj i apoteozës artistike çon drejt eskapizmit, ikjes nga realiteti i hidhur që sot e kërcënon edhe vetë egzistencën e njerëzimit?
Është e vërtetë se arti nuk ka fuqi vetanake për ta transformuar dhe shpëtuar botën, por nuk duhet nënçmuar fuqinë e apelit, si ky i Marigona Ademit, që t’i mbajmë sytë të hapur për mrrekullinë e botës. Në këtë aspekt ajo nuk është aspak naive, por në anën e duhur të një besimi të pakusht në art.
Shkëlzen Maliqi