Për 25 vjetorin e çlirimit të Prishtinës
Me titullin e ekspozitës të Nehat Beqirit, piktor nga Tetova, dishepull i shkollës së artit të Prishtinës, përmendën “tingujt e mbetur” sikur pikturat e tij bartin jehonën e ndonjë elegjie muzikore. Dhe kjo nuk është rastësi. Si besnik i stilit abstrakt të shprehjes, Beqiri me mjeshtëri krijon piktura me kompozicione si të veprave muzikore, vetëm se, kuptohet, imazet i bën me ngjyra, vija, njolla dhe kombinime të trajtave që, – fal kujdesit që ato të vendosen në mënyrë ritmike dhe melodike, – syve ua kënaq shikimin sikur që muzika i kënaq veshët. Kjo do të thotë se, në këtë koncept, si muzika ashtu edhe piktura abstrakte duhet të trajtohet tërësisht si krijimtari autonome me rregulla të veçanta të përjetimit dhe vlerësimit, pa pasur nevojë që të marrë hua mbështetje nga ndonjë narativ tjetër.
Kjo nuk do të thotë se, si mjeshtër i rafinuar për krijimin e veprave abstrakte, Beqir nuk i referoheve temave të trajtuara në artet tjera, sepse ka cikle veprash me tituj “Lojë”, “Cirk”, “Lule të egra”, madje edhe tema të luftsë, të ngrohësisë famijare, si p.sh. “Sofra”, por ndjesia dhe intenca bazike e artistit përqendrohet te pikturaliteti puro, që mbase më së miri kuptohet te ciklet e pikturave “Jazz” dhe “Blues”, si motiv më i parapëlqyer i Nehat Beqirit, ku ai përafron konceptin e vetë të pikturës, me njërën nga karakteristikat më të spikatura të Jazzit, që e dallon nga muzika klasike dhe të tjerat. Bëhet fjlë për improvizimin, trajtimin e temave boshte të melodisë me variacionet të shumta që bëhen deri edhe delirike.
Mendoj se, padyshim, abstrakcioni i Beqirit është i tipit jazz, sepse kombinon thjeshtësinë konceptuale të temave, përsëritjen e elementeve pikturale harmonike dhe racionale, me shpëthime spontane të pasazheve “iracionale” me “zhurma” dhe “njolla”, që pikturave i japin dinamikë të shtuar, sikur që improvizimet e lartësojnë jazz-in, dhe mu te ky moment vjen në pah mjeshtëria e madhe e artistit, sepse Beqiri gjithnjë gjen masën, balansin e duhur që çdo vepër e tij, si tërësi, të duket realizim me shije të hollë.
