MADONA OF MILAN:
EPIFANI
Ishte vjeshtë e hershme dhe një nga ato mbrëmjet me shi në Milano. Isha në tramvajin numër 23 duke u kthyer nga Duomo për në hotelin tim. N çdo stacion të ardhshëm tramvaji mbushej me udhëtarë. Prej që ishte përplot, udhëtarët qëndronin në kembë. Unë kisha ulur kokën dhe numëroja ditët e mbetura në këtë qytet mahnitës. Në një çast e ngrita shikimin lartë. Një nënë e re, me një çupë të vogël qëndronin përpara meje, kthyer me shpinë. Ajo me një dorë e mbante vajzën dhe me dorën tjetër mbahej vetë. E kishte të veshur një nga ato palltot me kapelë, nga këndet e së cilës binin pikat e shiut. Një pamje si e murgeshave, e çuditshme dhe anakronike për një nënë të re. Brenda, filloi të bëhej zapullimë. Në një nga ndaljet e tramvajit ajo u kthye dhe e hapi pallton. Unë u befasova nga pamja. Përfundi palltos, në gjirin e nënës ishte duke fjetur një foshnjë. Nga drita e dobët mezi dukej vetëm gjysma e fytyrës së foshnjes. Nuk i besoja dot syve. I ngrirë me pamjen dhe me njëmijë pyetje të heshtura: “Ç’është kjo? Çfarë po ndodh? Nëna me foshnjen e vogël, tramvaj, natë, shi, veshja, pamja, qetësia e saj…!
Prej nga erdhën?!
Ku po shkojnë?!
Nëna me foshnjen! një pamje ikonike, biblike, dhe aq hyjnore, njëjtë sikurse edhe mijëra vite më parë.
Nuk kisha përgjigje! Isha magjepsur me pamjen! Pas një çasti fillova të mendoj. Më duhet të regjistroj këtë moment. Kamerën e kisha në xhep.
Por si ta bëj? Më zuri paniku. Si ta bëj? Sikurse do fotografoja herën e parë në jetë! Në mes të kësaj dileme tramvaji u ndal, ata zbritën dhe u tretën me turmën në errësirë. Unë akoma isha i hutuar dhe nuk mund të besoja. Ajo pamje nuk mund të përshkruhej me fjalë. Pas ca minuta zbrita edhe unë për të pritur tramvajin e ardhshëm, për të vazhduar udhëtimin. Shiu ishte ndalur. Tramvaji numër 9 arriti me vonesë. Ishte një nga ato të vjetra, që akoma ishin në qarkullim. Unë kërceva brenda dhe u ula. Ndriçimi ishte shumë i dobët. I mbështetur në gjunjë, i thelluar në mendime dhe duke akuzuar vehten se si nuk arrita të përjetësoj atë moment. Kur e ngita kokën, nuk mund të besoja syve. Nëna me foshnjën dhe vajzën e vogël ishin të ulur përballë! E pamundur! E pabesueshme! Nuk mund të jetë! Isha aq i shqetësuar saqë fillova të rrënqethem! Por edhe një lloj gëzimi ndieja. Nuk mund të pritja më! Me zë të ulët dhe respekt u drejtova: “Më falni zonjë! Ju,…foshnja,…vajza juaj e vogël,…familja,… është një mrekulli, … ëëë,… jam fotograf dhe nëse më lejoni të ju fotografoj? Ajo vetëm e tundi kokën në shenjë aprovimi dhe sikurse ishte e pregaditur për këtë çast! Brenda sekondash bëra disa fotografi dhe duke u falenderuar me dy pëllëmbë të bashkuara si në lindje, zbrita. Ecja në kahje të hotelit duke mos patur përgjigje në ato njëmijë pyetje në mendjen time! Nëpër mendje më kalonin me mijëra Madona nga librat, galerite, muzeumet.
Madona? Madona! Si është e mundur?! Si mund t’i ndodh kjo një njeriu aq pak religjioz si unë?
“Deja Vu”, sikurse edhe mijëra vite më parë, “Madona”,
…këtë herë në tramvaj!
