Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Kritikë Artistike

Orhan Kurtolli: Kush jemi ne pa kujtesën tonë?

30 11 2025

E kaluara, përgjatë historisë së njerëzimit, është regjistruar dhe vazhdon të regjistrohet në mënyra të ndryshme. Padyshim, kujtesa, fillimisht si funksion biologjik, e mundëson edhe realizimin e këtyre regjistrimeve. Historia njihet si disiplinë e regjistrimit dhe interpretimit të kujtesës mbi të kaluarën. Por e kaluara, si kujtesë dhe histori në të gjitha nuancat e saj, është materializuar e shprehur në krijimtarinë artistike po aq shumëfishe: në shkrim, skulpturë, pikturë e forma të tjera performative.

Në studimet mbi kujtesën vazhdojnë të jenë aktuale debatet rreth llojeve të kujtesës dhe mënyrave të përkujtimit apo mbamendjes. “A mund të ketë fare kujtesë kolektive?”, kishte pyetur Bartlett në vitin 1932, ndërsa Schudson, më 1992, përkundrazi, pyeste: “A mund të jetë kujtesa ndryshe pos kolektive?”. Si përgjigje, Wertsch dhe Roediger dhanë një pikëtakim të këtyre dy pozicioneve, duke theksuar se “duhet pajtuar që individët e situuar shoqërisht janë agjentë të mbamendjes”.

Këta agjentë të mbamendjes dhe materializimit të saj, si formë përkujtimi, janë vetë artistët, të cilët përmes kujtesës individuale dhe shprehjes estetike personale flasin për të kaluarën që është pjesë e një historie kolektive, e një kulture. Ata janë zëri, rapsodët e ngjarjeve dhe përjetimeve të caktuara në një kohë e vend të caktuar.

Arti dhe artistët janë ura të bukura ndërlidhëse mes së kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes. Veprat e tyre janë bartëse estetike të ndjenjave, përvojave, domethënieve e kuptimeve ndër breza. Ato hapin mundësi të përjetimit dhe interpretimit thellësisht individual, qoftë nga krijuesi, qoftë nga publiku, duke i dhënë vend si individit, ashtu edhe kolektivit.

Në punimin në fjalë shihet një rrëfim i tillë ndërlidhës. Gruaja me mbulesë është pjesë e kujtesës sime individuale nga fëmijëria. Është gruaja e mbuluar me perçe, me vell të zi, e cila lehtësisht mund të simbolizojë edhe kujtesën që me kohë mbulohet nga velloja e harresës. Por në këtë rast ajo kujton një pamje të rëndomtë nga e kaluara; një histori. Në rrugët tona, gratë ecnin të veshura njësoj, dhe kjo veshje ishte pjesë e një realiteti kulturor të qytetit tonë, pjesë e një statusi shoqëror të grave.

Nanat e tezet shpesh mund t’i ngatërronim kur i shihnim gjatë lojërave në rrugët e lagjes. Nga ecja e lehtë ose mënyra e mbajtjes së duarve ndonjëherë mund të dallohej nëse ishte nëna Hilmije apo tezja Sadije, por megjithatë kishim hamendje. Dhe para se të vraponim drejt përqafimit, duhej vlerësuar (dhe rivlerësuar) forca e përqafimit. Tezja duhej përqafuar më fort, sepse e takonim më rrallë! Jo vetëm ne fëmijët, por edhe burrat, baba apo burri i tezes, që rrinin bashkë në sokak, ulur pranë një guri të derës së një oborri, duke pirë duhan e biseduar për hallet e ditës, kishin herë pas here hamendjet e tyre. Ndonjëherë hamendja kthehej në lojë a garë mes tyre: “Jo, kjo është Hilmija”, thoshte njëri; “jo, jo, është Sadija”, ia kthente tjetri.

Sot, çdo herë e më shpesh, mund të shohim pamje të tilla të grave. Dhe kjo e sotme na shtyn të mendojmë: a duhet ta shohim të ardhmen më kthjellët apo të insistojmë në qartësimin e pamjeve?

Kjo pikturë, si rezultat i kujtesës individuale, është përkujtim i një të kaluare kolektive, e cila sot mund të kuptohet qartazi si kujtues i zgjedhjeve që mund ose duhet të bëjnë brezat e sotëm dhe ata të ardhshëm. Mund të kuptohet si mesazh se kujtesa duhet shpalosur nga mjegulla e harresës, dhe se gratë sot duhet të qartësojnë jo vetëm pamjet, por edhe vizionin e tyre. Kjo pikturë mund të simbolizojë një rezistencë ndaj një të kaluare sa nostalgjike, po aq edhe të padëshiruar, jo vetëm për gratë, por për shoqërinë në tërësi. Konceptet abstrakte si të drejtat e njeriut shpesh janë të paqarta, por përkujtimet dhe arti janë përçues kuptimesh që mund të ndriçojnë disa dimensione dhe versione të këtyre të drejtave.

Zgjedhjet dhe mundësitë janë gjithmonë të shumta, dhe përkujtimet, sidomos ato vizuale, e lehtësojnë të shohim më qartë një të ardhme të synuar.

Orhan Kurtolli

Autori është mjek-stomatolog me profesion dhe pikturën e kultivon prej vitesh si formë të shprehjes estetike dhe reflektimit personal; përvojën e tij krijuese ai e artikulon edhe në tekste kritike, përmes të cilave reagon ndaj realiteteve shoqërore dhe kulturore që e rrethojnë.

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Zhvillimi i kritikës artistike”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Foto: Kushtrim Haxha

Donjeta Abazi: Imagjinata në bankën e të akuzuarve

23 Shk 2026

Diona Kusari: Identiteti poroz në veprat e “Pambuk” të artistëve Manushaqe Ibrahimi dhe Yll Avdiu

5 Shk 2026

Shkëlzen Maliqi: Qyteti neoromantik i Rron Qenës

17 Dhj 2025

Klara Buda: Marie-Françoise Allain Portret Postume

17 Dhj 2025

Labinot Balaj: Teatri, Kujtesa dhe Filozofia e Dokumentimit në Dodonën e viteve 1991-2001

17 Dhj 2025

Orhan Kurtolli: Kush jemi ne pa kujtesën tonë?

3 Dhj 2025