Ekspozitë në retrovizor MAKE ART NOT WAR Happeningu në Çarshinë e Gjatë të Pejës, 30 tetor 1999
(Organizator i Happeningut 1999) SOKOL BEQIRI & BALKAN SUN FLOWERS KOSOVA
Pjesëmarrës: Artistët: Sokol Beqiri, Erzen Shkololli, Mehmet Behluli, Albert Heta, Gani Bajraktari, Haxhi Kastrati, Zymber Mulliqi, Eduard Çarri, Kushtrim Deva;
Arch.: Sokol Malushaga; Solo kangëtare: Besa Berberi;
Rock bendi: Babuka dhe Gola; Qindra fëmijë;
Kori i fëmijëve nga Peja Më 30 tetor 1999
Sokol Beqiri dhe OJQ Balkan Sun Flowers Kosova, organizuan një happening në ambientet e Çarshisë së Gjatë të Pejës, e shkatërruar dhe djegur tërësisht gjatë luftës. Në Pejën që ishte çliruar disa muaj më parë, përditëshmëria e gërmadhave të dyqaneve të Çarshisë, ku po mbizotëronin plehërat, sfidonte durimin e qytetarëve. Si arterie kryesore e jetës urbane, Çarshia “vajtonte” kthimin në funksion.. Ish pronarët vendosnin standa të improvizuara në trotuare.
Rrënojat në prapavi qëndronin si skenografi e tmerrit të përjetuar. Organizatorët e Heppeningut Çarshia synonin ndërgjegjësimin mbi nevojën e aktivizmit qytetar. Artistët, në sfondin e tingujve të rok muzikës, solo këndimit, gumëzhimit të qindra fëmijëve, aktivizuan imagjinatën e tyre. Çarshia gjatë katër orëve ndërroi pamjen e trishtë duke u kthyer në ambient të ngadhënimit të haresë. “Përjetuam kënaqësinë e ditës tjetërfare në zymtësinë e jetës së pasluftës” – tha njëri prej artistëve.
Grupi i artistëve reagoi me koncepte të ndryshme në ballafaqimin me mizoritë e luftës. Intervenimet në ambient, që edhe ashtu kishte një ekspresivitet të theksuar figurativ, ishte sfidë për ta, aq më parë që koha e performansës ishte e kufizuar në disa orë, pa përgatitjet paraprake dhe skica. Artistët, si edhe fëmijët, ndoqën vrullin e spontanitetit, me ndërhyrje të atypëratyshme.
Mëngjesin tjetër, pas mbarimit të performansës, artistët panë një grup të mjeshtërve që kishin filluar riparimin e një dyqani në Çarshi. Jeta po ringjallej… I futar si spektator, në performansën e 30 tetorit të vitit 1999, u pata nisur me një foto aparat dhe disa rolna filmi. Fotografitë që i bëra regjistruan rrjedhën e happeningut. Doli se ishin të vetmet që dokumentonin thuajse tërësinë e ngjarjes.
E pata bëra edhe një shkrim për happeningun, që e botova në revistën Sheshi, me titullin “Make Art Not War”. Për rihapjen e Galerisë “Hani i 2 Robertëve”, mendova se do të është e përshtatshme që, pas çerek shekulli, publiku artdashës i sotëm ta sheh këtë foto storie si një dëshmi e rëndësisë dhe ekskluzivitetit të Happeningut në Çarshinë e Gjatë të Pejës.
Shkëlzen Maliqi