Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Kritikë Artistike

Skënder Boshtrakaj: Kintsugi – Arti i transformimit estetik në kulturë dhe filozofi jete

25 11 2025

Kintsugi, arti japonez i riparimit të enëve të thyera me ngjitës natyror dhe pluhur ari, ka tejkaluar prej kohësh kufijtë e një teknike estetike restaurimi, duke u bërë një filozofi jetese dhe një model kulturor për të kuptuar simbolikisht, thyerjen, pranimin dhe rilindjen. Koncepti i tij shfaqet njëkohësisht si proces artistik, qëndrim kulturor dhe metaforë e fuqishme për mënyrën se si individët e shoqëritë i trajtojnë frakturat e tyre. Në thelb qëndron ideja se çarjet nuk janë fundi i një forme, por fillimi i një forme të re të bukurisë dhe integritetit, duke e bërë kështu Kintsugi-n një paradigmë të qartë të rikthimit të vlerës përmes kujdesit, durimit dhe pranimit.

Në diskursin bashkëkohor të artit dhe antropologjisë kulturore, Kintsugi vendoset si një nga shembujt më domethënës të mënyrës se si arti mund të tejkalojë dimensionin estetik dhe të shndërrohet në mënyrë jetese. Edhe pse teknikisht është një proces riparimi i qeramikës së thyer me një përzierje ngjitësi natyror (urushi) dhe pluhuri ari, kuptimi simbolik i këtij akti i tejkalon larg dimensionet materiale të restaurimit. Kintsugi përfaqëson idenë se thyerja është pjesë e pandashme e ekzistencës dhe se ajo nuk duhet fshirë apo fshehur, por pranuar e nderuar. Përmes këtij qëndrimi, çarja shndërrohet në vlerë, dëmtimi në estetikë, humbja në formë të re jete, duke e kthyer Kintsugi-n në një udhëzues kulturor që na mëson se si të përballemi me thyerjet tona personale dhe kolektive.

Teknika e Kintsugi-t, pavarësisht natyrës së saj të thjeshtë, pasqyron një strukturë menditimi të thellë. Procesi nisë me pranimin e thyerjes dhe mbledhjen e çdo cope, sado e vogël, duke mishëruar parimin se asnjë pjesë nuk është e panevojshme. Përzierja e ngjitësit natyror me pluhur ari nuk është thjesht një material teknik: ajo simbolizon vlerën dhe nderimin që i jepet trajtimit të plagës. Bashkimi i fragmenteve kryhet me kujdes të veçantë, duke mos synuar rikthimin e enës në formën e saj të mëparshme dhe duke mos fshehur deformimet përmes patinimit, por duke e pranuar reformimin si pjesë të identitetit të saj të ri. Çarjet mbushen me ar jo për t’i maskuar, por për t’i bërë të dukshme, për t’i afirmuar si histori të gdhendura në vetë formën e objektit. Në fund, lëmimi i sipërfaqes i jep enës një shkëlqim të ri që buron pikërisht nga fragiliteti i tejkaluar.

Kintsugi kështu shndërrohet në një metaforë të fuqishme të jetës, duke u studiuar sot në kuadër të artit, trashëgimisë kulturore, psikologjisë, antropologjisë dhe filozofisë. Në kulturën japoneze, ai mishëron konceptin e “wabi-sabi” bukurinë e të papërsosurës dhe të së përkohshmes. Kjo mënyrë të menduarit e kthen Kintsugi-n në një model kulturor që nxitë pranimin e thyerjes si pjesë të natyrshme të përvojës njerëzore dhe të identitetit. Brenda kësaj “filozofie”, thyerja na reformëson; çarja bëhet tregues i përvojës së kaluar; rilindja shndërrohet në akt vullneti dhe ndërgjegjeje; ndërsa ari bëhet metaforë e vëmendjes, dashurisë dhe kujdesit që u kushtojmë vetes dhe të tjerëve.

Në diskursin e identitetit, Kintsugi, një art i vjetër që ka fituar dimensione të reja, ofron një paradigmë të thellë për të kuptuar individin si një qenie në transformim të vazhdueshëm. Çarjet nuk konsiderohen më si shenja dëmtimi, por si elemente të karakterit dhe historisë personale. Mbushja e tyre me ar i shndërron në tregues të narrativës intime, në simbole të durimit dhe në pjesë të pandashme të një identiteti të ri, më të thellë. Kjo e bën Kintsugi-n një model të vlefshëm të terapisë kulturore, sepse individi, njësoj si ena, nuk synon kthimin në gjendjen fillestare dhe fshehjen e plagëve, por krijimin e një forme të re, më të fortë dhe më të bukur përmes pranimit të reformimit.

Në kontekstet bashkëkohore të traumës, konfliktit dhe ndryshimit social, Kintsugi (mund të) shërben si metodologji e edukimit emocional, e terapisë përmes artit dhe e dialogut kulturor. Ai ofron një model të qartë të pranimit të së kaluarës, të shërimit të plagëve, të rindërtimit të identitetit personal dhe kolektiv pa humbur formën, dhe të ndërtimit të një kulture të kujdesit dhe ndërgjegjësimit. Kintsugi, si metaforë kulturore, na kujton se kulturat mund të thyhen, por edhe mund të rilindin në forma më të maturuara dhe më të qëndrueshme, për sa kohë që copat nuk hidhen dhe çarjet mbushen me “ar”, me kujdes, me vëmendje dhe me dashuri ndaj së vërtetës. Trashëgimia mbetet aty si formë që nuk zhduket, ndërsa historia e re ndërtohet duke rilidhur copat që dallgët e jetës i kanë zhvendosur, dhe disa prej tyre i kanë dëmtuar deri në palcë. Prandaj, pikërisht aty shfaqet “lëngu i arit”, ai damar i ndritshëm që përshkruan identitetin e ri, të shëruar, të brumosur nga përvoja dhe të fuqizuar nga pranimi i së vërtetës.

Në fund, Kintsugi na mëson se bukuria nuk qëndron në të pandryshueshmen, por në reformimin që e tejkalon thyerjen. Arti i mbushjes së çarjeve me ar na fton ta shohim dëmtimin si mundësi për një fillim të ri. Nëpërmjet Kintsugi-t, arti bëhet kulturë, kultura bëhet filozofi, dhe filozofia kthehet në udhëzim jetesor që na mëson se thyerjet nuk duhen fshehur. Ato janë thesari ynë i fshehtë që nuk fshehet, vendet ku ne mësojmë të rilindim. Në ato çarje ruhen kujtimet më të thella, përjetimet që na kanë formësuar dhe brishtësitë që na kanë mësuar të qëndrojmë. Kur copat ribashkohen, ngjitjet nuk janë thjesht materiale që mbajnë formën, por vetë përvoja jonë e kristalizuar, mënyra se si kemi mësuar të ecim përpara. Ato shndërrohen në damarë ari që na përkufizojnë, duke krijuar identitetin tonë të ri, më të vetëdijshëm, më të fortë dhe më të ndritshëm se para thyerjes. Në këtë mënyrë, rrëfimi ynë personal nuk zhduket, por rritet duke e pranuar plagën si pikënisje të rilindjes.

Nga çdo art mësojmë diçka dhe për diçka, por nga ky art mësojmë shumë, sepse ai na mëson t’i shohim plagët si dritë dhe thyerjet si fillime të reja.

Skënder Boshtrakaj

Artist

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Zhvillimi i kritikës artistike”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Foto: Kushtrim Haxha

Donjeta Abazi: Imagjinata në bankën e të akuzuarve

23 Shk 2026

Diona Kusari: Identiteti poroz në veprat e “Pambuk” të artistëve Manushaqe Ibrahimi dhe Yll Avdiu

5 Shk 2026

Shkëlzen Maliqi: Qyteti neoromantik i Rron Qenës

17 Dhj 2025

Klara Buda: Marie-Françoise Allain Portret Postume

17 Dhj 2025

Labinot Balaj: Teatri, Kujtesa dhe Filozofia e Dokumentimit në Dodonën e viteve 1991-2001

17 Dhj 2025

Orhan Kurtolli: Kush jemi ne pa kujtesën tonë?

3 Dhj 2025