Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Kritikë Artistike

Valentina Elshani: AVE Bohemia Festival

22 11 2025

Një udhëtim në Pragë ku arti të merr përdore

Ka qytete që thjesht i viziton… dhe ka qytete që të ftojnë t’i përjetosh. Praga është pikërisht e dyta. E kam parë në stinë të ndryshme, por këtë vit ajo më priti ndryshe: e veshur me gjallërinë e AVE Bohemia Festival 2025, një ngjarje ku duket sikur arti merr frymë në çdo cep të qytetit.

Kur arrin në Pragë dhe e kupton që arti është gjithkund

Ndërsa ecja nëpër rrugicat me kalldrëm, shikoja grupe të rinjsh me kostume, balerina me flokët e kapura lart, instrumentistë me violinë në shpinë… ishte e pamundur të mos kuptoje që Praga këto ditë ishte kthyer në një qendër të madhe arti. Nuk ishte thjesht festival – ishte një energji që ndjeje në ajër.

E dija që festivali kishte dy edicione në 2025, pranveror dhe vjeshtor, por ta përjetoje nga afër ishte krejt tjetër gjë. Nga sallat e performancave e deri te urat mbi Vltavë, arti të ndiqte kudo.

Anija mbi Vltavë, teatri i dritave të zeza dhe magjia e qytetit

Një nga ditët më të bukura ishte ajo e shëtitjes me anije në Vltavë. Ndërsa varka lëkundej lehtë, skenografia e Pragës shpalosej para syve si një film: ura e Karlit, kulla gotike, fasadat baroke… ndërkohë që në bord artistët qeshnin, fotografonin, flisnin për numrat që i prisnin në skenë.

Në mbrëmje, teatri “Black Light” e mbylli ditën me një magji të veçantë: lëvizje në errësirë, drita që formojnë figura, një iluzion i pastër që ta kthen fëmijërinë.

Kur talentet bashkohen – dhe spikat një emër shqiptar

Por një nga momentet më të bukura për mua ishte takimi me një nga grupet pjesëmarrëse: shkolla e baletit “Dance Performance” nga Gjermania, e udhëhequr nga koreografja dhe pedagogia e talentuar Svetlana Hacker. Repertori i tyre ishte një udhëtim nga baleti klasik e deri te koreografia moderne – një llojllojshmëri që e mbushi skenën me ngjyra, ritme dhe histori.

Dhe aty, mes gjithë atyre balerinëve të bukur e të talentuar, një emër shqiptar më bëri të ndihem si në shtëpi: Debora Zogaj, balerinë me prejardhje nga Kosova.

Elegante, e fortë, plot emocion. Performanca e saj ishte nga ato momente që të mbeten gjatë në sy, jo vetëm për teknikën, por për shpirtin që i jepte çdo lëvizjeje.

Ishte bukur të shihje se si arti jo vetëm bashkon kultura, por edhe i jep zë rrënjëve tona, kudo që shkojmë.

AVE Bohemia – më shumë se një festival

Ka një moment gjatë festivalit kur ndalon, merr frymë dhe kupton diçka: ky qytet, këta njerëz, kjo energji… nuk janë rastësi. Janë dëshmia se arti është një gjuhë e përbashkët.

Nuk ka rëndësi nga vjen – Praga i’u përqafon të gjithëve njësoj.

Pse ia vlen të shkosh edhe ti?

Nëse ke ndërmend ta vizitosh Pragën ndonjëherë, provo të shkosh gjatë AVE Bohemia Festival.

Do ta shohësh qytetin me sy të tjerë.

Do të ndjesh ritmin e tij

Do të përjetosh artin jo vetëm si spektator, por si pjesë e tij

Dhe kush e di… ndoshta edhe ti do të kesh një moment që të mbetet gjatë në kujtesë – ashtu siç më mbeti mua Debora Zogaj duke fluturuar mbi skenë.

Valentina Elshani

Artiste

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Zhvillimi i kritikës artistike”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Foto: Kushtrim Haxha

Donjeta Abazi: Imagjinata në bankën e të akuzuarve

23 Shk 2026

Diona Kusari: Identiteti poroz në veprat e “Pambuk” të artistëve Manushaqe Ibrahimi dhe Yll Avdiu

5 Shk 2026

Shkëlzen Maliqi: Qyteti neoromantik i Rron Qenës

17 Dhj 2025

Klara Buda: Marie-Françoise Allain Portret Postume

17 Dhj 2025

Labinot Balaj: Teatri, Kujtesa dhe Filozofia e Dokumentimit në Dodonën e viteve 1991-2001

17 Dhj 2025

Orhan Kurtolli: Kush jemi ne pa kujtesën tonë?

3 Dhj 2025