Post-Mortem
Koha është një fuqi që askush nuk mund ta mposhtë. Ajo mbetet gjithmonë mbretëreshë e pandalshme, që na sjell risi, jo gjithnjë të pranueshme dhe jo për secilin prej nesh. Ecim përmes jetës duke regjistruar momente shpesh të pavetëdijshme, por frymëzuese. Edhe pse rritemi, fëmijëria kërkon përgjegjësinë tonë dhe rikthimin e saj me vlera para opinionit.
Si artistë, ne e fokusojmë kujtesën aty ku kemi vetëbesim dhe e shprehim përmes rijetësimit të saj në vepër. Në këtë rast, autorja kthehet tek ngjarjet që na kanë rrethuar e na rrethojnë: ambiente të brendshme, lodra, elemente hapësinore dhe figura që ndërtojnë vazhdimësinë e brezave, nga gjyshërit, prindërit, deri te ne.
Gjenerata e Jetës është e lidhur me kohën e tranzicionit rapid, marramendës, fizik dhe teknologjik. Veprat duken të kapshme në shikim dhe në mendje për shumë kënd. Ato asociojnë edhe me fëmijërinë edhe me ngjarjet konfuze në vitet e para pas luftës. Duke u bazuar në konceptet dhe përshkrimet artistike të autores, që për kohën janë mjaft të guximshme, me titujt dhe teknikën aplikative dhe figurative që ka përdorur në punën e saj, vërehet guximi në prerje duke ruajtur anën e rëndomtë.
POST-MORTEM I LIBRIT DHE KARRIGA NË PRITJE TË LEXUESIT
Jeta Kalaveshi, nëpërmjet veprave universale, na bën me dije se duhet pranuar fakti se tek pjesa vitale e lexuesve, për fat të keq, koha e leximit është duke u rrezikuar, ndoshta prej arritjeve elektronike, që mund të jenë të dhimbshme e ndoshta edhe të shpallura si post-mortem. Atëherë kur gjenerata jonë kishte dëshirën dhe të vetmen mundësi për të lexuar libra, revista dhe gazeta, ne kishim nevojë dhe dëshirë të jetonim dhe të ishim me dashuri fizike pranë njëri-tjetrit, ku emocionet dhe ndjeshmërinë e përjetonim përafërsisht njësoj.
Koha e tashme e leximit elektronik sikur na ka tjetërësuar, duke na mbyllur në një ego që nuk arrin kurrë ndjenjat. Si duket emocionet për librin, për fat të keq, janë gjithnjë e më të ftohta dhe rruga për te biblioteka na duket gjithnjë e më e largët, saqë edhe objekti i saj duket si monument me pak vizitorë.
Autorja, nëpërmjet koncepteve dhe kreativitetit imagjinativ, shpreh dëshirën të krijojë një lidhje të lehtë mes librit dhe mediumit elektronik, edhe pse e kupton që koha është e paparashikueshme dhe krejt ndryshe në pranimin e njohurive të gjithanshme.
Diçka e veçantë në brendinë e veprave të autores qëndron në faktin se ajo shpalos anën tjetër të dashurisë, e cila tani ka humbur natyrshmërinë dhe është bërë rutinë mekanike, ndërsa emocionalja dhe shpirtërorja kanë mbetur diku larg.
VELLOJA E KUJTIMIT SI DRAMË
Në ciklin e pikturave që mbajnë titullin “Velloja e kujtimit si dramë”, ajo bën një shpërthim kujtimesh përmes hijes dhe mjegullës së vellos, me dramatizëm dhe forma dinamike. Ajo përpiqet të tregojë se porosia dhe besimi janë humbur me fillimin e shekullit të ri, duke paralajmëruar se kemi hyrë në një rrugë të panjohur, ndoshta në një të ardhme të ashpër e sfiduese për ne si subjekte të kohës që po e jetojmë.
Digjitalizimi, ose arkivimi i vlerave kulturore, na bën më aktualë me kohën, edhe pse paksa hezitues. Rezultatet e veprave të paraqitura tregojnë se, sipas autores, shumë pasuri shpirtërore, duke filluar prej bibliotekave familjare dhe publike, si duket janë bërë problem për familjet e reja “bashkëkohore”, të cilat marrin rrugën e riciklimit.
Sa mund t’i rezistojmë kujtesës dhe kohës dhe si? Këtë na e tregon jeta, dhe Jeta me krijimet e saj, me motivet origjinale që na bëjnë nostalgjikë dhe na kujtojnë veprat artistike, respektin dhe mënyrën e të jetuarit.
Se dikur ishim fëmijë, vërehet në çdo element të përdorur në piktura dhe brenda saj përmes shprehjeve të veta artistike. Autorja, përveç ambientit që e ka rrethuar, inkorporon edhe elementet e etnosit si simbole autoktone, por njëkohësisht pikturon edhe këndin e dhomës me librat e gjyshit.
Në ciklin e veprave të Post-Mortem, qëndrojnë një apo më shumë individë të ulur mbi dollapin e librave, duke treguar shpërfilljen e pasurisë së tyre, duke mos vërejtur mbi çfarë pasurie janë ulur. Mënyra e pikturimit është lazure, e përcjellë me kontura që përcaktojnë hapësirën dhe detajet.
Këtë paraqitje të saj do ta quaja shprehje reale me tendencë konceptuale, një qasje të cilës sot rrallë kush dëshiron t’i afrohet, duke hulumtuar kohë pas kohe motive dhe shprehje për të gjetur vetveten, duke jetësuar synimet dhe përjetimet e veta, qofshin ato momentale apo të fëmijërisë.
Kompozicioni dhe shumësia e ngjyrave, qofshin lazure apo pastuoze, i japin veprës një dimension specifik duke marrë copëzat e kohës për t’i jetësuar në vepra me synim për të dhuruar shoqërisë një porosi universale.

Mr. Prof. Zake Prelvukaj

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Zhvillimi i kritikës artistike”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.