Ekspozita përmbyllëse e HANI FEST në Hanin e 2 Robertëve nuk është vetëm një prezantim i veprave të krijuara gjatë pesë ditëve; ajo është dëshmi e një atmosfere të rrallë krijuese, ku arti nuk rri i mbyllur në kornizë, por hyn në bisedë, në hapësirë, në miqësi dhe në kujtesë.
Në këtë festë të artit morën pjesë artistët: Adriana Marku Sedaj, Bardhyl Bejtullahu, Bujar Kabashi, Arbër Sahiti, Skënder Boshtrakaj, Arianit Lakna, Fatos Kabashi, Gjon Mirdita dhe Adnan Dragaj. Secili prej tyre solli një ndjeshmëri të veçantë, një gjuhë personale dhe një prani krijuese që, së bashku, e formësuan ekspozitën si një trup të përbashkët artistik.
Vetë ambienti i Hanit e bart një peshë të veçantë. Muret e tij, drita e ngrohtë, struktura intime dhe karakteri paksa i papërpunuar i hapësirës, krijojnë një mjedis ku veprat nuk duken të vendosura thjesht për ekspozim, por sikur kanë gjetur një vendbanim të natyrshëm. Këtu arti nuk prezantohet në distancë muzeale; ai rri pranë njeriut, pranë tavolinës, pranë bisedës, pranë gotës, pranë pyetjes së thjeshtë: çka po shohim dhe çka po na ndodh përmes shikimit?
Në këtë ekspozitë vërehet një shumësi gjuhësh pamore: figura ekspresive, forma të fragmentuara, portrete të brendshme, ngjyra të forta, vizatime të buta, kompozime që lëvizin mes kujtesës, trupit, lojës dhe simbolit. Disa vepra flasin me një energji të hapur koloristike, gati festive; të tjera janë më të heshtura, më të mbyllura, më meditative. Kjo shumësi nuk krijon shpërndarje, por një lloj kori pamor, ku secili artist sjell zërin e vet, pa e humbur ritmin e përbashkët.
Në disa punime, figura njerëzore shfaqet si maskë, si kujtesë, si gjendje psikologjike. Në të tjera, hapësira ndërtohet me shenja arkitektonike, me kafshë simbolike, me forma që duken si mbetje ëndrre apo si fragmente të një tregimi të papërfunduar. Ka vepra që e mbajnë afër frymën e vizatimit spontan; ka të tjera që shkojnë drejt strukturës dekorative, tekstilit, ornamentit, objektit dhe instalimit. Kjo e bën ekspozitën të ndihet si një laborator i hapur: jo si përfundim i ftohtë, por si gjurmë e një procesi të gjallë.
E rëndësishme është se HANI FEST nuk e ka vetëm karakterin e një ekspozite. Ai funksionon si festë e artit, si takim i artistëve, si platformë e bisedës dhe e bashkimit të energjive krijuese. Pesë ditë krijim nuk janë vetëm pesë ditë pune; janë pesë ditë shkëmbimi, afërsie, kundrimi, mendimi e ndërtimi të një atmosfere ku arti bëhet shkak për me u mbledhë, me folë, me dëgju, me pa ndryshe.
Në këtë kuptim, Hani i 2 Robertëve del si më shumë se hapësirë ekspozuese. Ai bëhet një lloj strehimi kulturor, një vend ku arti nuk ka nevojë me u arsyetu shumë, sepse prania e tij ndihet menjëherë. Një mjedis i tillë është i rrallë: i ngrohtë, njerëzor, i hapur, por edhe me karakter të fortë. Aty veprat marrin frymë ndryshe, sepse nuk janë të shkëputura nga jeta; ato janë pjesë e një rrethi njerëzish që flasin, qeshin, kundrojnë, pyesin dhe rikthehen te arti si te një nevojë e brendshme.
Në mesin e shumë veprave cilësore të ekspozitës, do ta veçoja veprën “Fadili dhe Merita” të Arianit Laknës, si një punë që bart një energji të veçantë narrative dhe pamore. Me figurat e stilizuara, ngjyrën e kaltër të fuqishme dhe raportin teatral mes personazheve, vepra krijon një skenë të gjallë, paksa lozonjare e paksa intime. Fadili dhe Merita duken sikur janë ulur në fronin e vet, krejt n’ven, me një prani të sigurt e pak ceremoniale, si nikoqirë të Hanit, që nuk janë vetëm personazhe të tablosë, por edhe zotërues të atmosferës së saj.
Prandaj, kjo ekspozitë përmbyllëse mund të shihet si një moment i bukur i kulturës sonë urbane: një dëshmi se arti nuk lind vetëm në studio dhe nuk përfundon vetëm në galeri. Ai vazhdon në takim, në atmosferë, në bisedë, në kujtesën që mbetet pas mbrëmjes.
HANI FEST e dëshmon pikërisht këtë: kur artistët, hapësira dhe publiku bashkohen me sinqeritet, arti bëhet festë, dhe festa bëhet një formë e bukur e mendimit.
Skënder Boshtrakaj
Artist multimedial, Kurator
