Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Ekspozitë

Emma Bilbilaj: Art beyond function II

Kuruar nga: Shkëlzen Maliqi

04 09 2025

Vepra e artistes së re, Ema Bilbilaj, një vlonjate që artin e studioi në Prishtinë dhe është në hapat e parë të ndërtimit të karierës artistike në Kosovë, në shikim të parë mund të duket si një mini panair mobilesh dhe gjësendesh antikuare, mbi të cilat ajo intervenon lirshëm me ngjyra gjallëruese, të ridizajnuara për një shije më bashkëkohore konsumatore. Kështu ajo dekoron mobilierinë me ca intervenime, në të shumtën me tekste, kryesisht në gjuhën mbizotëruese angleze, të vendosura në trajta të klithmave rebeluese që karakterizon grafitet e street artit.

Megjithatë, përshtypja e panairit është sipërfaqësore dhe simplifikuese, kur të kihet parasysh përmbajtja e “klithmave” të Ema Bilbilajt, e cila, në të vërtetë, mbi mobilet, por edhe në disa piktura që e plotësojnë ansamblin e ekspozitës, shpërfaqet si artiste që reflekton një bagazh konceptual mbase më esencial të traumave sociale të bashkëkohësisë, që konsiston në përmbysjen e vlerave që do të duhej të ishin shtyllat e qytetërimit.

Kështu, në njërën nga veprat e bëra mbi pasqyre ajo shkruan në anglisht “IF NOT LOVE, I WONT POWER” (Nëse jo dashurinë, e dua fuqinë!), që e dekonstrukton në mënyrë sentencioze shëndërimin e mungesës së dashurisë në dëshirë për sundim me fuqi ose dhunë. Me këtë përmbysje autorja e trajton edhe imazhin e engjëllit të ditëve të sotëm, në trajtën e një oksimoroni konceptaul, ku vetë engjëlli paraqitet në trajtat klasike të padjallëzisë, si foshnje e buzëqeshur dhe simpatike me krahë zogjësh, por që në duartë e saj/të tij (engjëjt mbahen të pa gjini!) ia vë një pushkë automatike që e shndërron atë në vrasës serial(!) Nga një blasfemi e tillë përmbysëse, imagjinata që e krijojë këtë pikturë mbase do të mund të shfajësohej deridiku me një argumentim të avokatit të djallit (ose engjëllit), duka e titulluar veprën “Engjëll i hakmarrjes”, sikur është luftëtar për drejtësi, por me çka po kështu do të fuqizoheshte një oksimoron komprometues mbi vetë Perëndinë supreme, që i ka krijuar vetë engjëjt dhe dreqërit!

Nëntekstet dhe referencat mjaftë subtile kulturore fshehen edhe në shkrimet tjera që lexohen në pasqyret e stolisura dhe objektet tjera antikuare të ekspozitës, që në të vërtetë janë citate me referenca te autorëve të traditës letrare të tabanit kombëtarë, p.sh. disa vargje nga “Kanga e kandarit” e Andon Zako Çajupit, një poezi erotike e ndaluar nga regjimet puritane, si dhe vargjet e Letrës të Tatjanës dërguar Onjeginit, nga poema e famshme e Pushkinit. Edhe citatet të tjera të shkruara nëpër pasqyre dhe copa mobilerish trajtojnë frustimet e ndryshme rreth dashurive, tradhtive, trishtimeve të jetës etj. që duhet zbërthyer në kontekstulitetet e tyre socio-patologjike por edhe si ironizime këndjellëse që mëtojnë detabuizimet e dëshirave mëkatore, që në të vërtetë nuk janë mëkate.Në përgjithësi, ekspozita është një ansambël i përbërë nga mobileri të ndryshme që sikur inskenojnë një prapavijë të vlerave të amshueshme, p.sh. është një qyp i kuq “antik” me mbishkrimin “Timeless”, krahas një qypi tjetër, më kiç për nga stili, ku gjejmë të përsëritur pshërëtimën “Blah, Blah, Blah…” që ironizon fjalamaninë e pakuptimtë që po e bënë gjithnjë e më toksike përditshmërinë e botës së sotme, ku përfshihet edhe “kultura e lartë” e rreme.

Shkëlzen Maliqi

Ekspozita është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Manushaqe Ibrahimi & Yll Avdiu: Pambuk

16 Shk 2026

Rron Qena: Qyteti neoromantik

28 Jan 2026

Arbër Sahiti: Çka s’shoh

27 Jan 2026

Zoran Filipović: 1991

4 Nën 2025

Agron Dragaj: What time could not erase

12 Tet 2025

Emma Bilbilaj: Art beyond function II

11 Tet 2025