Arti im lind nga çastet e pavetëdijes, duke lënë gjurmë, shtresa ngjyrash dhe, ndonjëherë, edhe gërvishtje. Gjurmët janë herë të ashpra, herë të lehta, të buta sa mezi shihen, shenja që pasqyrojnë botën time të brendshme: gjendjen emocionale, shpirtërore dhe mendore.
Nga pavetëdija, në qendër të artit tim depërtojnë ndjenjat dhe perceptimet, aty buron gjithçka: temat e identitetit, familjes, kulturës, historisë, të djeshmes, të sotmes dhe të ardhmes ende të mjegullt.
Punët e mia i ngjiz imagjinata, me përzierje ndjenjash bashkëjetuese: kureshtje dhe dyshime; kujtime dhe ëndrra; frikëra dhe shpresa; dashuri dhe zemërim.
Temë e rëndësishme është lufta me traumat që ajo lë pas. Por preken edhe liria, e njohura dhe e panjohura, lëvizja, krijimi, si dhe natyra me bukurinë e saj magjike.
Figura e femrës është me prani të vazhdueshme, simbol force, ndjeshmërie, kujtese historish dhe transformimesh. Ajo shfaqet si trup, si shpirt i thyer; mbart në vete identitet, dhimbje, durim, bukuri dhe fuqi krijuese.
Arti im buron nga unë si metaforë, si ironi, si paradoks, si gjuhë e lirë.
Arti, si formë e lirë e shprehjes, më shërben si terapi meditative.
Besa Kicaj, Artiste
Ekspozita u organizua me mbështetjen financiare të Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shprehjes Kulturore”. Përmbajtja e ekspozitës është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Agjencionit Zviceran për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
