Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Ekspozitë

Tonçi Staniçiq: Miniatura e Adriatikut

Kuruar nga: Shkëlzen Maliqi

12 03 2026

Çdo fotografi, a duhet vallë theksuar kjo, nuk është vetëm një regjistrim drite, por edhe një odë e vogël për dritën e madhe; të tilla janë edhe fotografitë e Tonço Staniçić-it, diplomatit me aparat fotografik në dorë dhe mjeshtrit të fotografisë me portofol diplomatik në xhep. Motivet e tij janë në lëvizje të vazhdueshme, të ekzaltuara dhe të trazuar, sikur duan të mbajnë brenda vetes sa më shumë dritë; nuk u mjafton ajo që objektivi kap në çastin e klikimit, por sikur duan të thonë se bota nuk është vetëm ashtu siç e shohim, por edhe ashtu siç dëshirojmë të jetë. Edhe kjo ekspozitë dëshmon se fotografia nuk është aspak një ndalim i thjeshtë i momentit, por një vizion autorial i botës përreth nesh përmes një syri të veçantë, ku ndërthuren sfidat e jashtme dhe gjendjet e brendshme; një sy që nuk “kopjon” atë që shihet objektivisht, por e përkthen të dukshmen në një esencë subjektive dhe, sipas nevojës, e shpërndan në dritë, e cila është në fillim dhe në fund të çdo fotografie – dhe jo vetëm fotografie. Kështu përftojmë forma (të) çuditshme: herë sinjale lineare fluide, herë forma të shtrira ose drithëruese, vezulluese, por edhe abstraksione strukturash që shpërndahen, paksa fantastike, madje edhe onirike. Në to mezi dallohet motivi fillestar, i cili në lojën e dritës nuk është as vendimtar, por mbetet i tëri në aludim – shkurt, ai “hap pas realitetit” plot emocion.

Vërtet, fotografitë e Staniçiq-it janë hapësira të parandjenjës, ndonjëherë edhe të dyzuara; figurat janë silueta, objektet vetëm konture dhe shenja, të kompozuara në mënyrë që përmes shpalosjes së ngjyrave dhe formave të ngacmojnë imagjinatën. Më saktë, sikur duan të thonë se gjithçka përreth nesh ka një jetë të fshehtë, latente, që rrezaton energji dhe na lejon ta shohim edhe nga brenda, t’i zgjojmë kuptime diskrete, që në vallëzimin (ilu)zor të ngjyrave dhe formave të njohim plotësinë e jetës me ritme të ndryshme dhe imagjinatë magjepsëse – qofshin këto, për shembull, reflektime dinamike në ujë apo vegjetacion i përvëluar nga vorbulla, lëvizje meteorologjike në qiell apo figura të çuditshme, të reduktuara në një “hije në lëvizje”. Nga foto në foto, motive të ngjashme alternohen, si një varg palimpsestesh me përfundime të paparashikueshme koloristike, në një orkestracion të plotë ngjyrash, të cilat nuk kanë hequr dorë nga lëvizja, por sikur vazhdojnë të shkruajnë ligjin e përjetshëm dhe të gjithpranishëm të ndryshimit. E – a nuk tha poeti – “në këtë botë vetëm ndryshimi është i përjetshëm”.

Jakša Fiamengo

(Nga ekspozita “Hap pas realitetit”, 2011)

***

Ekspozita “Miniatura Adriatike” përbëhet nga një përzgjedhje fotografish kryesisht nga albumi me të njëjtin titull në faqen fotografike të autorit në platformën Flickr, si edhe nga albumet Abstraksione DetarePasdite e Vonë dhe të tjerë. Autori përpiqet, nga bollëku i motiveve të Adriatikut dhe bregdetit kroat, të gjejë ato që mund t’i shndërrojë në një shprehje fotografike të fuqishme dhe domethënëse.

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Besa Kicaj: Copëza shpirti në kohësi

27 Maj 2026

Tonçi Staniçiq: Miniatura e Adriatikut

26 Maj 2026

Wahwa: WINDFALL

9 Maj 2026

Manushaqe Ibrahimi & Yll Avdiu: Pambuk

16 Shk 2026

Rron Qena: Qyteti neoromantik

28 Jan 2026

Arbër Sahiti: Çka s’shoh

27 Jan 2026