Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Kritikë Artistike

Skender Boshtrakaj: Teatri dhe Realiteti

05 07 2026

Premiera e realitetit
e (për)shkruar, me gjithë pasojat e mundshme, nga Skender Boshtrakaj

Data e premierës: çdo ditë që kalon.
Vendi: aty ku jeta luhet më dobët se teatri, por paguhet më mirë.
Koha: pas humbjes së turpit dhe para duartrokitjes së radhës.

Një tregim i shkurtër për teatrin që humbi garën jo pse aktorët u bënë më të dobët, por pse jeta u bë më e paturpshme; jo pse skena u zbraz, por pse shoqëria vendosi të luajë pa prova, pa tekst, pa regji dhe, ç’është më tragjikomike, pa ndjenjën më të vogël të fajit.

Çdo ngjashmëri me persona, institucione, konferenca shtypi, panele televizive, komisione, fushata, moralistë me pagesë, patriotë me kontratë dhe reformatorë të përhershëm është, natyrisht, krejtësisht e rastësishme, aq e rastësishme sa zakonisht ndodh çdo ditë.

Premiera e realitetit

Qyteti kishte tri teatro, dy salla alternative dhe një skenë eksperimentale, por shfaqja më e ndjekur luhej çdo ditë në rrugë, në zyra, në studio televizive, në kafene, në mbledhje bordesh, në komisione, në konferenca shtypi dhe në funerale morale me muzikë të gjallë.

Dikur njerëzit thoshin: “Po shkojmë në teatër, me pa jetën.”

Pastaj jeta u përmirësua teknikisht.

Vendosi drita më të forta, grim më të trashë, kostume më të shtrenjta, pauza dramatike më të gjata dhe rrena më bindëse. Teatri mbeti aty ku ishte: me aktorë që lodheshin për ta thënë një të vërtetë. Ndërsa jeta, pa asnjë provë gjenerale, nisi me prodhu kryevepra të rreme me një natyrshmëri të frikshme.

Në teatër, aktori qante për rolin.

Në jetë, roli qante për aktorin.

Në teatër, publiku e dinte se ajo që po shihte ishte lojë.

Në jetë, publiku duartrokiste sepse nuk guxonte të pyeste a ishte lojë.

Një mbrëmje, drejtori i teatrit doli para trupës me fytyrë të zbehtë.

“Kam një lajm të keq,” tha. “Kemi humbur garën.”

Aktorët u panë mes veti.

“Prej kujt?” pyeti aktori i vjetër, ai që kishte vdekur në skenë 217 herë dhe asnjëherë nuk ishte paguar për rrezikshmëri.

“Prej jetës,” tha drejtori.

Ra heshtja.

Një aktore e re, që kishte studiuar metodën e brendshme të vuajtjes, pyeti:

“Po çka ka jeta që nuk e kemi ne?”

Drejtori nxori një letër nga xhepi.

“Ka më shumë buxhet për hipokrizi. Ka aktorë pa diplomë. Ka skenografi të përditshme. Ka tragjedi pa tekst. Ka komedi pa përgjegjësi. Ka personazhe që ndërrojnë bindje më shpejt se kostumet. Ka monologë nëpër studio ku askush nuk dëgjon askënd. Ka duartrokitje me pagesë morale. Dhe, mbi të gjitha, ka publik që nuk del kurrë nga salla.”

Aktorët u tmerruan. Ishte hera e parë që dikush ua thoshte se realiteti kishte kaluar në repertor.

Atë natë vendosën ta shpëtonin teatrin. Do të bënin një shfaqje krejt ndryshe. Pa maska, pa aktrim, pa metafora, pa simbolikë. Vetëm realitet.

E quajtën: “Pak realitet, ju lutem.”

Në mbrëmjen e premierës, salla ishte pothuajse bosh. Kishin ardhur vetëm tre spektatorë: një kritik që flinte me sy hapur, një ish-ministër që kishte ardhur gabimisht duke menduar se ishte panel, dhe një plak që kishte hyrë aty për t’u ngrohur.

Shfaqja nisi pa muzikë.

Në skenë doli një njeri i zakonshëm. Nuk bërtiti. Nuk akuzoi. Nuk u përkul. Nuk kërkoi fond. Nuk shpalli vizion. Nuk tha “historike”. Nuk tha “transparencë”. Nuk tha “reformë”. Vetëm u ul në një karrige dhe tha:

“Jam lodhë.”

Publiku u shqetësua.

Kritiku hapi njërin sy. Ish-ministri u kollit. Plaku tha: “Kjo po duket serioze.”

Njeriu në skenë vazhdoi:

“Jam lodhë prej njerëzve që flasin si profetë dhe jetojnë si tregtarë. Jam lodhë prej atyre që qajnë për popullin me zë operistik, por faturën ia lënë popullit. Jam lodhë prej fytyrave që ndërrohen sipas kamerës. Jam lodhë prej moralit me regji, prej dhimbjes me sponsor, prej patriotizmit me kontratë, prej artit si dekor për fotografi.”

Në atë moment, një spektator i padukshëm nga errësira bërtiti:

“Po ku është drama?”

Njeriu në skenë u kthye ngadalë.

“Kjo është drama,” tha. “Që nuk po ju duket dramë.”

Pas pesë minutash, gjysma e sallës së zbrazët u largua.

Të nesërmen gazetat shkruan: “Shfaqje e dobët. Mungon teatraliteti.”

Një portal e quajti “provokim pa energji”. Një analist tha se publiku ynë nuk është ende gati për kaq pak aktrim. Një tjetër propozoi që realiteti të futet në skenë vetëm me masa mbrojtëse, sepse mund të shkaktojë njohje të vetvetes.

Drejtori i teatrit, i dëshpëruar, thirri përsëri trupën.

“Gabimi ynë,” tha, “ishte se menduam se njerëzit duan realitet.”

“Po çka duan?” pyeti aktorja.

“Duan teatrin e jetës,” tha ai. “Por pa biletë, pa përgjegjësi dhe pa fund.”

Atëherë aktori i vjetër, ai që kishte vdekur 217 herë në skenë, u ngrit ngadalë dhe tha:

“Ndoshta teatri nuk e ka humbur garën pse jeta u bë më teatrale. Ndoshta e ka humbur sepse në teatër ende turpërohemi me rrejtë keq.”

Të gjithë heshtën.

Pastaj, për herë të parë pas shumë vitesh, vendosën të mos bënin premierë.

Dolën jashtë, në shesh.

Aty po luhej një tragjikomedi madhështore: një njeri premtonte të nesërmen, një tjetër shiste të djeshmen, një i tretë qante për të sotmen, ndërsa turma duartrokiste si të ishte në festival.

Aktorët u ulën në trotuar dhe panë.

Pa pagesë.

Pa ftesa.

Pa kritikë.

Pas pak, aktorja e re pëshpëriti:

“Po këtu qenka teatri.”

Aktori i vjetër e shikoi gjatë sheshin dhe tha:

“Jo, bijë. Këtu është arsyeja pse ndoshta ende ia vlen me shku n’teater: me pa pak realitet, të paktën aty ku rrena pranohet se është rrenë.”

Dhe kështu, teatri nuk fitoi garën.

Por shpëtoi një gjë të vogël, gati qesharake, gati të pavlefshme, gati njerëzore:

turpin për të aktruar jetën deri në fund.

Pasthënie: Teatri pas humbjes së garës

Ky tregim nuk është vetëm një ironi mbi teatrin që e ka humbur garën me jetën. Është, ndoshta, një procesverbal i vonuar i disfatës sonë publike.

Sepse teatri nuk u mund nga arti tjetër. Nuk u mund nga filmi, televizioni, rrjetet sociale, algoritmi, lajmi i shpejtë apo telefoni në dorë. Teatri u mund nga vetë realiteti kur realiteti mësoi të aktrojë më mirë se aktorët.

Politika e mori patosin. Mediat e morën konfliktin. Rrjetet sociale e morën monologun. Konferencat e shtypit e morën skenografinë. Fushatat zgjedhore e morën koreografinë. Skandalet e morën kulmin dramatik. Panelet televizive e morën absurditetin. Ndërsa institucionet e morën heshtjen, atë heshtjen e rëndë, administrative, kafkiane, ku askush nuk është fajtor, por të gjithë janë të dënuar.

Në këtë botë, njeriu nuk hyn më në teatër për të parë maska. Ai i sheh maskat çdo ditë. I sheh në fytyra që flasin për moral, ndërsa e menaxhojnë interesin. I sheh në zëra që thërrasin për liri, ndërsa e kontraktojnë bindjen. I sheh në kamera ku dhimbja bëhet dekor, varfëria bëhet sfond, kultura bëhet fotografi, ndërsa e vërteta trajtohet si pengesë protokollare.

Prandaj teatri nuk mund të ringjallet duke u bërë më i zhurmshëm se politika, më spektakolar se televizioni, më viral se rrjetet sociale, më cinik se analistët, apo më i ngjyrshëm se propaganda. Në atë garë ai është i humbur që në nisje. Teatri nuk ka pse të bëhet një panel tjetër, një studio tjetër, një kronikë tjetër, një konferencë tjetër, një ceremoni tjetër ku fjalët dalin të krehura dhe kthehen të vdekura.

Nëse teatri do të refunksionalizohet, ai duhet ta pranojë humbjen si pikënisje.

Jo humbjen si dorëzim, por humbjen si metodë.

Teatri i ri duhet të fillojë aty ku publiku nuk duartroket më automatikisht. Aty ku fjala “reformë” tingëllon si rekuizitë e lodhur. Aty ku “transparenca” hyn në skenë me dritë të fortë, por pa fytyrë. Aty ku “interesi publik” rri në karrigen e parë, ndërsa askush nuk e njeh personalisht. Aty ku aktori nuk ka nevojë të bërtasë, sepse vetë heshtja e tij është akuzë.

Refunksionalizimi i teatrit nuk është vetëm çështje repertori, as vetëm çështje publiku, bileta, marketingu, festivalesh apo bashkëpunimesh ndërkombëtare. Është çështje guximi institucional dhe moral: a mundet teatri të bëhet sërish vendi ku shoqëria sheh jo atë që dëshiron të shohë, por atë që mundohet ta fshehë?

Teatri nuk duhet ta imitojë realitetin. Realiteti tashmë e ka bërë këtë punë me tepri. Teatri duhet ta ndërpresë realitetin. Ta çajë si plagë. Ta vendosë në tavolinë. Ta lërë pa grim. Ta zhveshë nga titujt, protokollet, deklaratat, flamujt dekorativë, kamerat e gatshme dhe duartrokitjet e porositura.

Në një kohë kur të gjithë performojnë, funksioni i teatrit nuk është të performojë më shumë.

Funksioni i tij është të krijojë një hapësirë ku performanca dështon.

Ku politikani mbetet pa fjali. Ku analisti mbetet pa zhurmë. Ku gazetari mbetet pa urgjencë. Ku qytetari mbetet pa alibi. Ku aktori mbetet pa maskë. Ku publiku, për pak çaste, nuk mund të fshihet pas publikut.

Kjo është strategjia e re: jo teatër si zbavitje e butë për një qytet të lodhur, por teatër si dhomë e marrjes në pyetje. Jo skenë si dekor kulturor, por skenë si vend ballafaqimi. Jo institucion që pret publikun me afishe të bukura, por institucion që e thërret publikun në përgjegjësi.

Nëse jeta është bërë teatër i madh grotesk, atëherë teatri i vërtetë duhet të bëhet vendi i fundit ku grotesku nuk festohet, por kuptohet. Ku e qeshura nuk shërben për ta harruar turpin, por për ta ekspozuar atë. Ku absurdi nuk përdoret si stil, por si diagnozë. Ku kafkiania nuk është dekor intelektual, por përditshmëri administrative, politike dhe njerëzore.

Sepse sot nuk mungon drama.

Mungon vendi ku drama pranohet si e tillë.

Nuk mungojnë aktorët.

Mungon turpi për aktrimin e keq.

Nuk mungon publiku.

Mungon qytetari që nuk pajtohet të mbetet vetëm spektator.

Prandaj ky tregim mund të lexohet si bazë për një strategji të re të refunksionalizimit të teatrit: një teatër që nuk konkurron me spektaklin publik, por e demaskon atë; një teatër që nuk i ikën politikës, por nuk bëhet shërbëtor i saj; një teatër që nuk i përkëdhel mediat, por ua kthen pasqyrën; një teatër që nuk kërkon vetëm sallë të mbushur, por ndërgjegje të trazuar.

Në fund, ndoshta teatri nuk shpëton botën.

Por mund ta shpëtojë një gjë më të vogël dhe më të rrezikshme: aftësinë për ta dalluar lojën nga jeta, rrenën nga arti, skenën nga mashtrimi, duartrokitjen nga pajtimi.

Dhe në një shoqëri ku gjithçka luhet para nesh, kjo mund të jetë arsyeja më e fortë për t’u kthyer në teatër.

Jo për të parë më shumë aktrim.

Por për të parë çka mbetet prej nesh kur aktrimi ndalet.

Skender Boshtrakaj

Artist Multimedia, Kurator

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Skender Boshtrakaj: Teatri dhe Realiteti

5 Kor 2026

Arbër Rudi: Nga Frika në Mahnitje

5 Kor 2026

Skender Boshtrakaj: HANI FEST – arti n’ven

4 Kor 2026

Edmonda Bajraktari: Eseja e pambaruar

28 Qer 2026

Hadisa Zllanoga: Çfarë ka mbetur pas? 

26 Qer 2026

Endrit Gashi: Pse artistët lavdërohen, ndërsa fëmijët qortohen?

26 Qer 2026