Teksti fillimisht është shkruar në gjuhën angleze.
Asnjëherë nuk kam arritur ta kuptoj se ku fillon jeta ime, për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë apo çfarë kuptimi mbanë. Prandaj, kur fillova të bashkoj pjesë kujtimesh, duke u përpjekur t’u jap një lidhje mes tyre, mendja më çoi natyrshëm në një kohë kur e gjithë familja ime ishte ende e mbledhur bashkë. Ai kujtim më kthen në natën e Vitit të Ri 2005.
Edhe pse isha vetëm një fëmijë i vogël, ajo natë ka mbetur e gdhendur në kujtesën time. Disa pjesë janë zbehur me kalimin e viteve, ndërsa të tjera qëndrojnë të palëvizshme, sikur të kishin ndodhur vetëm dje. Mbaj mend frikën që më pushtoi nga zhurmët e forta të fishekzjarrëve. Çdo krismë më trembte, më bënte të qaja dhe të fshihesha pas nënës sime, duke u kapur për të. Festa, që për të gjithë të tjerët dukej plot gëzim, për mua ishte një rrëmujë tingujsh dhe dritash të panjohura. Nuk arrija ta kuptoja pse njerëzit qeshnin e festonin, ndërsa qielli shpërthente në dritë dhe zhurmë.
Megjithatë, mes gjithë asaj frike, vëreja me kureshtje entuziazmin e vëllaut, motrës dhe kushërinjve të mi, kur dikush, me shumë gjasë xhaxhai im, nisi t’u shpërndante xixëllonjat. Ata i merrnin pa asnjë hezitim, me fytyrat që u ndriçonin nga padurimi. Unë, përkundrazi, nuk pranova ta merrja ndonjë. U fsheha edhe më fort pas nënës, duke shikuar gjithçka nga prehëri i saj. Edhe para se ato të ndizeshin, më kujtohet aroma e çuditshme metalike që lëshonin, një erë e ftohtë dhe e panjohur, e cila, pa e kuptuar, ma shtonte edhe më shumë frikën.
Kur flaka preku majën e xixëllonjës, ajo shpërtheu në një dritë të artë verbuese, duke hedhur mijëra shkëndija të vogla në ajër. Ato shkonin lehtë, si yje të vegjël që kishin zbritur për të luajtur mes nesh. Motra ime qeshte me gjithë zemër, duke e rrotulluar xixëllonjën në ajër e duke vizatuar rrathë të ndritshëm në errësirë. Kushërinjtë vraponin përreth, duke lënë pas vetes vija drite, sikur po pikturonin natën. Të gjithë dukeshin të magjepsur nga ajo që për mua ishte ende burim frike. I shikoja nga larg, i mahnitur, pa mundur të kuptoja se si diçka mund të ishte njëkohësisht kaq e bukur dhe kaq e frikshme.
Sot, kur e kujtoj atë natë, e kuptoj se ajo frikë ishte krejt e natyrshme për një fëmijë. Zhurmat e papritura dhe dritat e forta mund ta mbushin lehtësisht një zemër të vogël me ankth. Megjithatë, nën atë frikë fshihej edhe një kureshtje e heshtur. Pas shpinës së nënës vështroja çdo shkëndijë, çdo buzëqeshje dhe çdo të qeshur, duke pyetur veten se çfarë lumturie shihnin të tjerët aty ku unë shihja vetëm frikë.
Një vit më vonë, m’u duk sikur kishte kaluar vetëm një çast. Fëmijëria ka mënyrën e saj të çuditshme për ta bërë kohën të duket njëherazi e pafund dhe kalimtare. Ndërsa Viti i Ri u afrua sërish, nuk doja më të isha vetëm një shikues. Kujtoja si të gjithë kishin qeshur një vit më parë, ndërsa unë kisha mbetur i ngrirë nga frika. Këtë herë doja që kujtimi të ishte ndryshe.
Mblodha gjithë guximin që kisha dhe vendosa të mos fshihesha më pas nënës sime. Edhe pse zemra më rrihte fort sa herë që dëgjoja zhurmët e fishekzjarrëve, nuk doja të lejoja që frika të më mbante larg gëzimit. Duke parë lumturinë që një xixëllonjë e vogël sillte në fytyrat e të tjerëve, desha ta përjetoja edhe unë atë ndjenjë. Xhaxhai ma zgjati njërën dhe, megjithëse hezitova për një çast, e mora në dorë.
Kur flaka e ndezi, ajo mori jetë menjëherë. Shkëndijat e arta shpërthyen në ajër, të shoqëruara nga aroma tashmë e njohur e tymit dhe metalit të djegur. Këtë herë nuk u tremba. Qëndrova mes familjes sime, duke e lëkundur ngadalë xixëllonjën e duke parë shenjat e ndritshme që linte në errësirë, si vijat e bardha që lë pas një aeroplan në qiell. E qeshura ime u bashkua me të qeshurat e motrës, vëllaut dhe kushërinjve të mi, dhe për herë të parë kuptova pse një vit më parë ata kishin buzëqeshur aq shumë. Të njëjtat tinguj, e njëjta erë dhe e njëjta dritë që dikur më kishin trembur, ishin shndërruar tashmë në pjesë të një kujtimi të bukur, të ndarë me njerëzit që doja më shumë. Ndoshta frika, në një mënyrë na lidh më fort me njëri-tjetrin.
Arbër Rudi

Arbër Rudi është student nga Kosova, i cili po ndjek studimet Master në Letërsi Angleze në Universitetin e Prishtinës. Ai gjithashtu analizon filma herë pas here.
Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shprehjes Kulturore”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Agjencionit Zviceran për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
