“Po pija Fërnet të zi, dëgjoja zhurmën e kondicionerit dhe mendoja për ditët e kaluara…Isha I rraskapitur. Doja të largohesha. Shqipëria të lodh. Nuk ka çlodhje sepse nuk je kurrë vetëm. Madje edhe në hotelin e zbrazët, të heshtur e me ajër të kondicionuar, vetmia është një iluzion sepse ke në mendje vetëm atë, Shqipërinë; njerëzit e saj, erërat e saj, lashtësinë e saj, bukurinë e saj, ekzistencën e saj, çmenduritë e saj. Në Bajram Curr apo Kukës nuk mund t’i thuash vetes : “ ….tani do të mendoj për diçka tjetër, për fëmijërinë time për shembull. Është e kotë! Kur je në Shqipëri, nuk mund të mendosh për asgjë tjetër”.
Kur lexova këtë fjali të shkrimtarit polak Andrzej Stasiuk, ndalova përgatitjet e një udhëtimi në Japoni dhe në vend të tij vendosa të shkoj në Shqipëri. Nuk e di pse. Ndoshta sepse nuk doja të mendoja për diçka tjetër, sigurisht që jo për fëmijërinë time p.sh. Fillova të mësoja shqip dhe nisa të ëndërroja në këtë gjuhë të çuditshme me fjalorin tim të kufizuar. Natë pas nate, unë numëroja nga një deri në dhjetë dhe kërkoja mes fjalëve që nuk I kuptoja. Një natë pashë në ëndërr sikur të gjitha rrugët e Zyrihut kishin tani emra shqiptarë duke ma sjellë kështu më afër e duke ma bërë më të njohur qytetin tim. Shqipëria kishte zënë vend në kokën time. Groteske dhe pak romantike, por kështu filloi gjithçka.
Por romanticizmi u zhduk shpejt, u avullua sapo u përball me realitetin. Megjithatë, titulli I projektit tim fotografik mbeti I njejti, si ai që kisha pagëzuar që herët – ËNDËRR! Ajo shfaqej kudo, në romane, poezi dhe lirika të këngëve shqiptare. Por edhe ndryshe – në ëndrrën e përhershme të çdo emigranti për gjetur pasuri e lumturi nëpër botë ose së paku në Tiranë, kryeqytetin e mbipopulluar. Në një drejtim të kundërt ishte edhe ëndrra jonë, e europianëve qendrorë, për natyrë të virgjër, për relaksime e pushime të lira, për një destinacion turistik “autentik”, ende të pazbuluar. Ajo që më magjepsi ishte fakti se si këto ëndrra kryqëzoheshin në një vend që askush nuk mund t’i gjente. Pikërisht këtë doja të tregoja me fotografitë e mija.
Më në fund mbërrita në Tiranë ,në nëntor të 2019-ës. Doja të fotografoja flamujt që valëviteshin për nder të dy festave kombëtare, si emblema të ëndrrës për liri e pavarësi. Por ëndrrat janë të paparashikueshme. Dy ditë para festave, u zgjova nga gjumi në mes të natës nga dridhjet e fuqishme të një tërmeti. Flamujt nuk u valëvitën për festë, por u ulën gjysmë shtizë. Festa u kthye në zi kombëtare dhe unë u largova. Pas disa muajsh, qëndrimi im I dytë ishte edhe më I shkurtër – Covid, shtetrrethimi dhe …rruga e kthimit. Ishte groteske; Shqipëria më rrëshqiti nga duart si një imazh ëndrre në dritën e mëngjesit.
Kur më në fund u bë e mundur të udhëtohej sërish, dukej sikur isha I vetmi udhëtar- ishte e mrekullueshme ,të paktën për një kohë të shkurtër. Vendi akoma nuk ishte I përmbytur nga turistët, kishte gjysmë milioni banorë më shumë se sa sot- të gjithë ata janë tashmë të emigruar. Vërtetë që këto dy ëndrra e kanë tronditur vendin në këto pesë vjet, madje ndoshta e kanë shkatërruar atë. Kush e di….sepse ëndrrat janë të ngatërruara dhe të vështira për t’u kuptuar. Gjatë këtyre viteve të pakta, por të vrullshme, edhe unë e humba vazhdimisht sensin e orientimit, ashtu si në një ëndërr ,që nuk ka as kohë e as vend dhe ku gjithçka mund të jetë kudo dhe të ndodhë njëkohësisht.
Dhe kështu m’u duk se ky vend ekzistonte në një kohë të ndryshme nga ajo e Europës, diku mes kohëve ose në një realitet jashtë kohe. Shqipëria dukej sikur notonte mes një të kaluare jo shumë të largët , që njëkohësisht dukej pafundësisht distante, dhe një të ardhmeje që të jepte përshtypjen se do të shpërbëhej në asgjë, ashtu si në një prag ëndërre, duke iu bashkuar shumë të shkuarave, që me sa duket nuk kishin filluar kurrë. Por ndoshta gjërat janë krejt ndryshe – të gjitha kohët ekzistojnë bashkë në Shqipëri, por luftojnë me njëra – tjetrën për epërsi. Kohët përleshen mes tyre, ato janë viktima të shpejtësisë; përshtypja ime ishte se e ardhmja përpiqej të shtynte të shkuarën me gjithë fuqinë e saj prej betoni, pa qenë në gjendje ta shkatërronte plotësisht. Në mënyrë të vazhduar e kokëfortë, e shkuara duket se rikthehet e tinëzisht minon themelet e së ardhmes. Dhe tani kur jam në fund të projektit tim, me gjithë imazhet e shumta ,me gjithë fotografitë e bëra në të tashmen e atëhershme, që tani është e shkuar, del pyetja : po tani? Disa nga këto çaste dëshmonin për dëshirën drejt së ardhmes, por tani edhe ato janë një e shkuar…një e ardhme e shkuar si të thuash. Vërtetë, fotografia ime vinte gjithmonë pak me vonesë, ashtu si ndoshta vjen çdo art fotografik.
Ndonjëherë zgjohem në mes të natës, i rraskapitur dhe e kam të pamundur të fle. Nuk mbaj mend asgjë dhe nuk e di në cilën ëndërr kam rënë… Të paktën imazhet e fotografitë mbeten gjithnjë me mua duke më ngushëlluar se ndoshta ndonjëherë ia kam dalë që të kap të paktën një hije të së kaluarës ose të së ardhmes.
Thomas Krempke, Fotograf

Kjo ekspozitë u realizua me mbështetjen financiare të Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Këshilli Zviceran i Arteve Pro Helvetia. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Agjencioni Zviceran për Bashkëpunim dhe Zhvillim, apo të Këshilli Zviceran i Arteve Pro Helvetia.








