
Liudmyla Makei punon në stilin tradicional të pikturës Petrykivka, një praktikë dekorative e njohur nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale. Ky stil karakterizohet nga një lidhje e thellë me natyrën dhe traditat popullore.

“Kjo përvojë e zhvendosjes e ka ndryshuar rrënjësisht praktikën time artistike. Ajo që dikur ishte një mënyrë për të ruajtur trashëgiminë kulturore, është shndërruar në një proces të rishqyrtimit të saj. Zbulova se arti im mund të udhëtojë me mua, të përshtatet dhe të lëshojë rrënjë në një mjedis të ri. Duke jetuar në Kosovë, u preka thellë nga mikpritja, bujaria dhe forca e brendshme e njerëzve. Kjo më ndihmoi të ndiej lidhjen emocionale dhe historike ndërmjet Ukrainës dhe Kosovës. Vendet tona i bashkon përvoja e përbashkët e luftës, por edhe dinjiteti dhe aftësia për ta rindërtuar jetën pas humbjes,” thotë artistja.

Projekti i saj, “Rerooting”, eksploron mënyrën se si ornamentika tradicionale mund të shërbejë si bartëse e kujtesës përtej kufijve dhe të transformohet në kontekste të reja. Në këtë kuadër, ajo ka krijuar një seri pikturash ku motivet floreale ukrainase dhe zogjtë e përrallave ndërthuren me peizazhin vizual dhe emocional të Kosovës. Bëhet fjalë për një proces transformimi, në të cilin imazhet e njohura lëshojnë rrënjë mbi një themel të ri.

Liudmyla Makei

Gazetare, artiste dhe muzikante ukrainase. Para fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, ajo drejtonte një gazetë në qytetin e saj të lindjes. Në bashkëpunim me partnerë evropianë, menaxhoi projekte mediatike të përqendruara në integrimin evropian të Ukrainës, fuqizimin e lidershipit të grave dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Që nga prilli i vitit 2022, ajo jeton dhe vepron në Prishtinë si pjesëmarrëse e programit për mbrojtje profesionale “Residence në Kosovë”. Gjatë kësaj periudhe, ka shkruar dhjetëra artikuj për media ukrainase dhe ndërkombëtare mbi përvojën e vendeve të Ballkanit në rehabilitimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Aktualisht drejton versionin në gjuhën ukrainase të The Geopost në Prishtinë, një platformë mediatike e specializuar në demaskimin e dezinformatave dhe adresimin e sfidave të informacionit në kontekstin e luftës hibride.
Si artiste, ajo ka realizuar disa ekspozita personale në Prishtinë dhe Shkup. Në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT) dhe Jesuit Refugee Service (JRS), ka zhvilluar një seri punëtorish të terapisë përmes artit për refugjatë, persona të zhvendosur brenda vendit dhe udhëheqës të komunitetit.
Si artiste, ajo përfaqëson kulturën ukrainase në Ballkanin Perëndimor dhe është e bindur se diplomacia kulturore është po aq e fuqishme sa diplomacia zyrtare.
Ekspozita është pjesë e Programit të Rezidencës Artistike, organizuar me mbështetjen financiare të Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shprehjes Kulturore”. Përmbajtja e ekspozitës është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Agjencionit Zviceran për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
