SHKRIME KREATIVE
Fotografia na shfaq neve në mes të asaj mbrëmjeje dimri, nga ato që mbërrijnë ngadalë, pa zhurmë, pak përpara se Viti i Ri të vij. Unë jam e vogël, pesë a gjashtë vjeçe ndoshta, e ngritur mbi shpinën e tij. Krahët i kam hedhur lehtë rreth qafës, më shumë për të ruajtur ekuilibrin sesa për t’u mbajtur. Këmbët më lëkunden sa herë ai lëviz dhe majat e këpucëve prekin herë pas here pallton e tij. Leshi i pulovrës së tij më fërkon duart me atë ashpërsinë e butë që kanë rrobat e dimrit. Nga ajo lartësi e huazuar, dhoma më duket ndryshe. Karriget nuk më duken më aq të mëdha. Të rriturit sikur janë larguar pak. Për pak çaste, bota nuk shihet më nga lartësia e një fëmije.
Vëllai im është shumë më i madh se unë. Mes nesh shtrihen shtatëmbëdhjetë vite diferencë. Mjaftueshëm sa ai të ketë ikje e kthime, rrugë dhe vende që unë ende nuk mund t’i përfytyroj. Mbi të ka gjithmonë diçka nga jashtë: pak të ftohtë të mbetur në mëngët e palltos, erën e udhës, largësinë e vendeve nga ku sapo ka ardhur. Për mua ai është gjigant. Nuk i kuptoj ende vitet, por i kuptoj ardhjet e tij. E kuptoj gëzimin që përhapet nëpër shtëpi sa herë hap derën dhe shfaqet në prag.
Kapela që më ka sjellë më rri pak e madhe. Herë pas here më rrëshqet mbi vetull dhe unë e shtyj lart pa menduar. Ka ende atë ndjesinë e sendeve të reja. Mban një aromë të lehtë letre, kartoni dhe dyqanesh të largëta, sikur bashkë me të të ketë udhëtuar edhe një copëz bote që unë nuk e njoh. Brenda pak orësh ajo është bërë pjesë e mbrëmjes, si të kishte qenë gjithmonë e imja.
Përkulem përpara dhe qesh në supin e tij. Është ajo e qeshura e lirë e fëmijëve, që shpërthen pa paralajmërim dhe pa asnjë kujdes. E ndiej trupin e tij të lëkundet lehtë teksa qesh edhe ai. Për një çast mbështes faqen mbi pallton e tij dhe shoh vetëm pëlhurën e errët, fijet e leshta pranë jakës. Gjithçka më duket e sigurt aty.
Ai e kthen kokën paksa anash, jo krejt drejt aparatit, ndërsa motra ime bën fotografinë. Ndoshta i ka thënë diçka një sekondë më parë. Ndoshta dikush e ka thirrur nga një dhomë tjetër. Aparati e kap pikërisht në atë çast të ndërmjetëm, mes lëvizjes dhe qetësisë, mes pozimit dhe natyrshmërisë. Fotografia ruan një sekondë që nuk është krejtësisht e ngrirë.
Rreth nesh, shtëpia vazhdon të jetojë. Një karrige tërhiqet mbi dysheme. Dikush kalon në korridor me pjata në duar. Pranë derës varen pallto të lagura nga të ftohtit. Perdet lëkunden lehtë sa herë që dera hapet. Nga një dhomë tjetër dëgjohet zëri i ulët i radios, që humbet mes bisedave dhe lëvizjeve.
Diku jashtë fotografisë, zërat ngrihen e bien. Pjatat preken lehtë me njëra-tjetrën. Në kuzhinë dikush nxiton të mbarojë diçka. Aroma e bukës së pjekur përzihet me erën e mishit dhe të erëzave. Një kapak tenxhereje kërcet shkurt. Një pyetje hidhet nga kuzhina dhe përgjigjja vjen nga një dhomë tjetër. Një kushëri qesh me zë të lartë. Një i moshuar përsërit një histori që të gjithë e njohin, por që askush nuk lodhet duke e dëgjuar sërish. Shtëpia merr frymë përmes gjithë këtyre tingujve.
Një derë hapet e mbyllet. Një valë ajri të ftohtë hyn për pak sekonda dhe zhduket. Të sapoardhurit shkundin baltën ose lagështinë nga këpucët. Përshëndetjet mbushin korridorin. Hiqen palltot. Shtrëngohen duart. Dikush kërkon edhe disa karrige të tjera.
Ajri është i mbushur, por jo i zhurmshëm. Është ajo plotësia që krijohet kur njerëzit mblidhen pas një kohe larg njëri-tjetrit. Në çdo dhomë ka lëvizje. Drita pasqyrohet në gota. Hijet zgjaten mbi mure. Diku, pa u vënë re nga askush, ora vazhdon të numërojë minutat.
Pastaj e qeshura ime e çan gjithë atë gjallëri. E kthjellët, e papritur, ngrihet mbi çdo tingull tjetër. Disa kthejnë kokën. Dikush buzëqesh. Është e qeshura e një fëmije që ende nuk e di se çastet ikin, se vitet kalojnë, se një ditë do të mbetet vetëm fotografia.
Më vonë, mbrëmja do të vazhdojë rrugën e saj. Njerëzit do të afrohen rreth tavolinës. Herë pas here do të hedhin sytë nga ora. Pritja e mesnatës do të përhapet ngadalë nëpër shtëpi. Bisedat do të ndërpriten e do të rifillojnë. Pjatat bosh do të zënë vendin e atyre plot. Ora do të rrëshqasë drejt një nate më të qetë.
Pastaj gjithçka do të marrë fund dhe ai do të largohet përsëri. Valixhet do të mbyllen. Përshëndetjet do të thuhen. Do të rikthehet ajo mungesë që atëherë nuk dija ta emërtoja. Shtëpia do të bëhet më e heshtur pas ikjes së tij, me atë zbrazëtinë e çuditshme që lënë pas njerëzit prania e të cilëve zë më shumë vend se vetë trupi i tyre.
Por këtu, në këtë fotografi, ai sapo është kthyer. Unë jam ende mbi shpinën e tij dhe ende po qesh. E ardhmja nuk ka hyrë ende në dhomë. Asnjë ndarje nuk ka hedhur hijen e vet mbi mbrëmje. Ekziston vetëm ky çast: kapela pak e madhe, krahët e mi rreth qafës së tij, motra ime pas aparatit dhe shtëpia plot jetë përreth nesh. Një mbrëmje dimri e mbetur pezull mes ardhjes dhe ikjes, e ruajtur përgjithmonë në një fotografi, shumë kohë pasi zërat janë shuar dhe nata ka kaluar.
Edmonda Bajraktari
Studente e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze. E apasionuar pas leximit, shpeshherë edhe shkrimit kreativ.
Me profesion mësuese e gjuhës angleze, pëlqen ndjesinë t’i mësoj të tjerëve dicka të re, sidomos fjalë të reja.

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shprehjes Kulturore”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Agjencionit Zviceran për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
