Nga Diona Kusari
Gjatë një vikendi të majit 2026 patëm rastin t’iu mbajmë ture rreth skenës kulturore prishtinase dhe ndikimin e Manifesta14 një grupi studentësh të HBK Braunschweig, së bashku me kolegen time Amalia Koleka. Puna jonë së bashku me Amalian në konceptimin e mbajtjen e tureve kulturore vazhdon dhe ka filluar që prej vitit 2022 kur departamenti i edukimit të Manifesta14 bëri bashkë një grup të të rinjve të përfshirë në skenën kulturore që t’i bashkangjiten programit të ndërmjetësimit (cultural and arts mediation), përmes së cilit punonim bashkë për të hulumtuar, mbledhur tekste, konceptuar dhe mbajtur 5 lloje turesh gjatë 100 ditëve të bienales, të cilat përfshinin 25 lokacione në qytet dhe kapacitetin për të rrëfyer mbi praktikën e veprat e 102 artistëve dhe kolektiveve pjesëmarrëse. Përgjatë këtij vikendi, e gjenim veten duke tentuar të përfaqësojmë realitetin e tanishëm të skenës kulturore në Prishtinë dhe në diskutime të thelluara për ndikimin e Manifestës me ish-punonjës tjerë të bienales dhe me një grup të të rinjve të cilët nuk e kishin vizituar bienalen por korniza mbi të cilën realizohej vizita kishte të bënte me të mësuarit prej pabarazive e ekstraktivizmit që institucionet e mëdha të artit krijojnë e shfaqin.
Relevante është për vetë institucionet e artit të krijojnë, kritikojnë dhe rimendojnë termat dhe ndikimin e vetë e të merren me ndikimin e institucioneve më të dukshme të artit. Kjo skenë globale veçse është e vetë-mjaftueshme, ekskluzive në gjuhën e mënyrën e saj të funksionimit po aq sa tenton të jetë përfshirëse, duke i shërbyer krijimit të një self-perpetuating loop (një cikël që e ushqen vetveten a mekanizëm vetë-përforcues).
Manifesta përgjatë 100 ditëve të saj hapur në Prishtinë i’a doli t’a vendos Prishtinën për një moment në hartën e vendeve botërore për art bashkëkohor në njërën anë, por dhe të mbledhë edhe brenda vendit një publik i cili nuk është usual suspect (i dyshuari i zakonshëm) i skenës artistike të Prishtinës, në anën tjetër.
Po si të aplikojmë idenë se bota është pasqyrë e jona në mënyrën se si i qasemi ngjarjeve a politikave kulturore?
Argumentet për sukseset e dështimet e Manifesta14 ishin të shumta e gjithëfarë llojesh. Manifesta14 edhe e mundësoi hapjen e mendimit për shfrytëzimin e hapësirave thuajse të braktisura, si Hotel Grandi, që tani është vendi i një sërë hapësirave ekspozuese e iniciativave kulturore (Hajde Foundation, Arti për Artistët, Barabar Center), edhe bëri eksperimente “të dështuara” si Green Corridor apo morri në përdorim hapësira të cilat ende janë në njëfarë limbo sa i përket kapacitetit për t’i bërë të përdorshme apo me interes për publikun lokal si Tulltorja e Hamami i Prishtinës. Ndoshta Manifesta14 mund të ketë pasur ndikimin edhe në rihapjen e shtëpisë së mallrave Gërmia si Reporting House, një soj muzeu i luftës së Kosovës.
Manifesta e mblodhi thuajse gjithë skenën kulturore përreth vetes, i punësoi e ekspozoi akterët kulturorë e artistët më aktivë të vendit, gjë që u tha se i’a pamundësoi kritikën e hapur ndaj institucionit vetë atyre që ishin bërë pjesë. Rrjedhimisht, u duk se kritika ishte e pakët a e vobekët, pasi të gjithë u përfshin në një formë apo tjetrën. Këtë gjë normalisht që e bën institucioni i cili arrin të merr aq shumë besim, resurse e mirëkuptim institucional se sa që do të mund të merrte ndonjëherë një akter i vetëm në skenën kulturore të Prishtinës. Kjo skenë, në njërën anë është e pasuruar me subjekte vetanake e të fragmentuara po në tjetrën anë është e unifikuar kur vjen puna te ndërhyrjet reaktive (reactionary) siç ishte rasti me reagimin e Punëtorëve në Art kundrejt ‘okupimit’ institucional të objektit të Qendrës për Praktikë Rrëfyese (CNP, ish-Bibloteka Hivzi Sylejmani te Qafa).
Disa do të thonin që Manifesta u’a mblodhi dijen dhe e përdori sipas nevojave të veta, gjë që duket se prek në njëfarë traume kolektive tonen apo edhe njëfarë vetë-sabotazhi (self-sabotage) që e shfaq shoqëria jonë si njëfarë mosbesimi e droje kundrejt forcave ‘të ardhura nga jashtë, institucioneve e donatorëve të huaj’. Diskursi kur flasim për ndikimin e Manifesta14 vazhdon të mbetet në një nivel të shfrytëzimit e përdorjes që na e bën ‘i huaji’ a institucioni ‘i ardhur’. Megjithatë, mua më duket se me këtë nivel diskutimi dështojmë të marrim mësimet që mund të marrim prej Manifestës – ato të autonomisë, agjencisë e vetë-pronësisë mbi mënyrën si punojmë, çka zgjedhim e si e trajtojmë hapësirën publike.
Në punën time si ndërmjetësuese për Manifesta14, kishte momente të thyerjes së besimit ndaj institucionit, si në rastin kur e gjithë ekipa e ndërmjetësuesve mblodhi shkrimet, punët krijuese e reflektimet e veta mbi eksperiencën e ndërmjetësimit për t’u botuar nga Manifesta14, gjë të cilën institucioni nuk deshi t’a përkrahë më tutje edhe pasi u përmbledh botimi. Pa mbështetje institucionale, financim e qartësi ligjore nëse kjo ishte puna kreative e jona, nuk mundëm t’a publikojmë botimin vetë. Megjithatë, Manifesta e prezantoi në njërfarë forme konceptin e ndërmjetësimit tek institucionet kosovare të artit , gjë e cila u morr përsipër më pas edhe nga të tjerë si Galeria Kombëtare. Shpeshherë, skena globale artistike duket se e sheh ndërmjetësuesin si forcë të lirë punëtore, një i ri i cili nuk ka nevojë të paguhet shumë, por që prapë mund të kryejë punën e domosdoshme të udhërrëfimit nëpër ekspozita për publikun. Termi ‘ndërmjetësim artistik e kulturor’ ishte njëfarë missing piece (copë që mungonte) e vetë praktikës time krijuese e edukative, me të cilën vazhdova të merrem, t’a përdor e rikonceptoj në formate të ndryshme të punës time si artiste e si njëfarë guide a edukatore arti. Punën time si guidë për institucione kulturore, nuk e shoh as si prurje të Manifestës as si terminologji ‘e ardhur’, por si koncept e metodologji pune të cilën e kam bërë timen që katër vite tashmë. Unë në këtë diskurs besoj – se krijimi e puna është e jona edhe nëse është e ardhur dhe jo se pavetëdijshëm na cënoi dikush me diçka të re, na preku plagën e hapur se mos do të na keqshfrytëzojë dhe kësisoj atë realitet e materializojmë.
Institucionet kulturore duket të jenë po aq të frikësuar nga e reja dhe kontradiktorja (apo nga vetë paaftësia e tyre), sa është edhe individi, andaj individi duhet mësuar se s’i ta mbajë këtë kontradiktë dhe të avokojë për veten kundrejt institucionit. Gjatë kohës që kalova vitin e kaluar në Budapest, bashkëjetoja me një vajzë me aftësi të kufizuara e vështirësi mobiliteti në ndërkohë që ishim bashkë në një program për performancë dhe lëvizje. Pavarësisht vetëdijes dhe gjuhës kritike që institucioni shfaqte në këtë program, kriteret e tyre të formalizuara i’a mundësonin hudhjen poshtë të kërkesave që t’a njihnin realitetin e shoqes dhe akomodimin e nevojave të saja, gjë për të cilën i mbeti vetë asaj në dorë të avokonte për veten.
A kemi nevojë ende për reflektim?
Pandërprerë ekziston nevoja për reflektim e integrim, anipse institucioni, pala më e fortë, e ‘abuzuesi’ me raste, duket se nuk arrin kurrë t’a njohë e t’a pranojë realitetin e atij të cilin e ka afektuar e lënduar. Nuk është e pranueshme një qasje e njejtë e përshpejtuar, si kjo e jonja e pasluftës, as në mikro-nivele e as në nivel kombëtar: kalimi prej sistemit socialist jugoslav në kapitalizëm neoliberal pa kurrfarë procesimi a integrimi, gjë e cila vërehet në nevojën e vazhdueshme për të trajtuar ndikimet e luftës, edhe tani gati 30 vite pas. Këto mbesin historitë kyçe të cilat guida e ka për detyrë t’ia përfaqësojë një grupi të të huajve në vizita nëpër muzeje, ekspozita apo kur flasim për skenën kinematografike të Kosovës sot. Nuk munda të gjejë informata nëse Hani i 2 Robertëve ka qenë ndonjëherë i përfshirë në emër në hulumtimin e publikuar nga Manifesta14 mbi hartëzimin e subkulturave në Prishtinë, Shkup e Tiranë. Hani është ai lloj institucioni jashtë-institucional, trashëgimia e të cilit shpeshherë anashkalohet a mbetet në fjalët e një gjeneratë më të vjetër. Por ndarja gjeneracionale është dukuri që skena lokale kulturore vetë e riprodhon.
Manifesta14 nuk ka bërë asgjë më shumë se sa të shpërfaq ngërçet e dobësitë ekzistuese në komunikimin mes institucioneve kulturore dhe vetë skenës së pavarur kosovare siç janë: mosbesimi në institucione, frika nga e reja dhe e panjohura, fragmentimi i vetë skenës përpos në raste ku rritet tensioni dhe ka nevojë për solidarizim. Në momentin ku jemi, qeverisja lokale e Prishtinës flet për krijimin e më shumë hapësirave kulturore, përfaqësuesit e hapësirave ekzistuese flasin për mungesën e mbështetjes së qëndrueshme që e kanë, e artistët e rinjë përfshihen me këto hapësira pos duke pritur një ftesë apo me hezitim kundrejt figurave që drejtojnë institucionet.
Mbi të gjitha, është e qartë se dukshmëria e bjen qoftë institucionin, qoftë individin para vështrimit hetues, para të qenurit i dashur e të qenurit i urryer njëkohësisht. Por ekzistojnë kontradikta tek ne, në atë se si veçse i qasemi kritikës a reflektimit për kulturën. Ne këto biseda i ruajmë për mbledhi private ku e shajmë personin që sapo shkoi prej paaftësisë për të qenë të drejtpërdrejtë e të sinqertë me të, për postime pa emra në storie të Instagramit, po jo t’i bëjmë publike, ngase skena është e vogël dhe duhet t’a ruajmë fytyrën e mundësitë që do të mund të na jipen potencialisht nga vetë ata që s’i duam a i kritikojmë.
Këtë e vërej te dinamika e pushtetit që institucionet arsimore e ngjizin dhe ushqejnë e te forcimi i saj në hierarkinë mes profesorit e studentit, sa që personi i cili ndjehet më i vogël a i parëndësishëm duket se konstant do t’a monitorojë se çka flet, bën a si sillet dhe t’a ruajë emrin, fytyrën a personën e vetë publike. Kontradikta ekziston në besimin se që të afirmohesh e legjitimohesh duhesh të jesh i pëlqyeshëm mes akterëve të skenës ekzistuese e figurave të legjitimuara, por në realitet respektin e fitojnë ata që kanë guxim të kundërshtojnë.
Shenja më e qartë se kemi nevojë për kritikë, anipse ruhemi nga vetë potenciali për t’a pranuar kritikën deri sa e mikro-menaxhojmë pamjen tonë publike, është reagimi kundërshtues apo rezistenca që e kemi ndaj vetë kritikës.
Diona Kusari

Artiste multidisiplinare, shkrimtare, hulumtuese dhe ndërmjetësuese kulturore me bazë në Kosovë. Puna e saj fokusohet në materializimin e të padukshmes, qoftë kjo besimi apo ideologjia, si dhe sfidimin e ndarjes së presupozuar mes privates dhe publikes. Ajo punon në kolektive me parime horizontale, si Potpuri, e cila fokusohet në praktikat e vetë-publikimit dhe vetë-prodhimit të dijes. Shkruan poezi eksperimentale, blogje, recensione e artikuj që përqendrohen në reflektim e kritikë kulturore, mbi virtualen e simboliken dhe teorizimin mbi tema të të ashtuquajturit interes publik.
Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shprehjes Kulturore”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Agjencionit Zviceran për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
