Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Kritike Artistike

Shpëtim Selmani: Mbi kritikën letrare

16 04 2026

Ky artikull është lexuar në kuadër të programit kuratorial të Hani i 2 Robertëve, në njërin nga debatet publike në kuadër të serisë ,,Fuqizimi i Kulturës, me temën Kritika Letrare Sot.

Atëherë më lejoni të ju falëndëroj për këtë ftesë në kuadër të diskutimeve që po mbahen në Hani i 2 Robertëve, një vend me një trashëgimi të rëndësishme kulturore e shoqërore. E falendëroj Xenin i cili në fillimet e mia si autor i ri e kishte vlerësuar punën time pra kishte qenë një kritik i mirë dhe unë i dua kritikët që e duan punën time. Besoj që me Xenin e kemi sqaruar njëherë e mirë dhe këtu nuk kam se çfarë të shtoj pos kritikave që tashmë janë bërë këshilla. Ekziston një vijë e hollë ndarëse mes këshillës dhe kritikës. Kur kritikët bëhën miqtë tanë, kritika transformohet në këshillë. Por të kthehemi tek përvoja sepse mençurakët na e kanë thënë qartë se është ajo nëna e dijes. Unë do të thoja në këtë rast, është nëna e shembujve. Pasi Ali Podrimja e kishte redaktuar librin tim të parë, kur më shihte rrugëve (gjithnjë ishte në nguti) më godiste pas koke pa më përshëndetur fare derisa fshihej pas një buzagazi. Nuk e kuptoja mirë arsyen e sjelljes por hamendësoja se kishte të bënte me procesin e botimit të librit meqë kisha guxuar që në një moment ta kundërshtoja sepse ishte ai që po mbikqyrte mbarëvajtjen e librit tim të parë dhe libri i parë gjithmonë është i rëndësishëm, të tjerët pas tij janë pasues rëndësish. Pasi kishte marrë në dorë dorëshkrimin, shumë vjersha të asaj kohe i kishte fshirë bash para syve të mi me një stilolaps që për mua kishte karakter barbar, kishte hequr tituj nga një vjershë dhe ja kishte vendosur një vjershe tjetër, madje ma kishte ndërruar edhe titullin e librit duke ma përqeshur atë që kisha menduar se i shkonte. Mbase ai ka qenë kritiku i parë me peshë letrare dhe ta themi hapur, më kishte lënduar pasi kohë pas kohe ushtronte një qortim të ashpër ndaj një sentimenti letrar që po bluhej brenda meje. Si i ri, si ëndërrimtar (kush do t’i arsyetoj ëndërrimtarët), po përballesha me një kritikë letrare e cila ishte e mprehtë, e ashpër dhe invazive. 

Një kritikë e cila më kishte sakatuar dhe pas disa tentativash të dështuara, ma kishte humbur aftësinë për ta kundërshtuar dhe në këtë mënyrë për ta mbrojtur atë autencititet të hershëm që pretendoja se e kisha. Pra le t’i falim edhe pretenduesit. Krejt në fund, natyrisht e kisha miratuar në heshtje për shkak të autoritetit të tij në letërsinë shqipe (më vonë do të bëhem një anti autoritar i papërmirësueshëm).

Është e thjeshtë dhe ne të gjithë e dimë që kritika letrare është vlerësim i veprave letrare. Podrimja më vlerësonte e më zhvlerësonte. Bënte kërdi mbi poezitë e mia të hershme, në oborrin e Galerisë së Arteve derisa më dukej që çdo poezi që ai e hiqte nga libri me një lehtësi të hatashme, ma hiqte një pjesë të trupit. Kisha edhe dhimbje fizike. Por një dhimbje që ishte asgjësuar para kritikës letrare. Në thelb kritika letrare në një mënyrë edhe mund ta asgjësoj një autor. Ky është shkaku që unë më vonë kam qenë një adhurues i madh i shkrimtarëve që kanë ushqyer një kritikë të ashpër ndaj vetë kritikëve. Disa nga ta nuk kanë pasur këtë nevojë të një ndërmjetësuesi mes veprave të tyre dhe lexuesit. Pra ndërmjetësues. Sikur shumë ndërmjetësues martesash në kuadër të kujtesës sonë kolektive, që kanë ushtruar zanatin e tyre. Që ta zbërthejmë edhe pak më shumë në kuadër të kësaj gjuhe arkaike, kritiku në një mënyrë është njëlloj mësiti, mes veprës dhe lexuesit. Ka martesa funksionale e ka martesa jo funksionale. Ka raporte të mira mes lexuesve dhe një vepre e poashtu ka raporte jo të mira, të tensionuara mes lexuesve e një vepre tjetër. Ka edhe armiqësi dhe luftë të hapur madje nëse shkrimtari jeton e vepron mes një vendi ku sundojnë ideologji të sëmura. Në fund fare kritika përfundon tek gjykimi i lexuesit që për autorët mbetet mbase më e rëndësishmja pa çka se ka autor që edhe lexuesin e asgjësojnë meqë mund të ndihen të asgjësuar nga ky relacion i brishtë. Por mos ta harrojmë, aktiviteti letrar është në thelb një akt vetjak, konsiston në një vetmi dhe ballafaqimi me lexuesit ka mundësi të jetë traumatik, ka mundësi të jetë i papëlqyeshëm dhe për këtë arsye ka autor që në këtë marrëdhënie kaq komplekse marrin pamjen e nje anarkisti dhe e mbrojnë këtë filozofi ngase në fund të fundit shkrimi për ta mund të jetë diçka që prek kufijtë ekzistencial, mund të jetë diçka pa të cilën ata nuk kanë kuptim dhe madje as nuk përpiqen ta zgjidhin këtë raport të tyre me natyrën apo me shkaqet se pse janë, pse kanë lindur të tillë (është fjala për ata që nuk e mashtrojnë veten sa i përket kësaj çështjeje). Në këtë mënyrë ata i shpallin luftë kritikës së çfarëdo lloj forme. Dhe kritikët më interesant për mua janë vetë krijuesit të cilët shpesh i akuzojnë kritikët si shkrimtar të dështuar. Njëri ndër aktet më interesante ta zëmë, gjithnjë për mua, është protesta e një grupi shkrimtarësh që e quanin veten infrarealist në Meksikë, në krye me kilianin e mrekullueshëm Roberto Bolano. 

Ata në shenjë kundërshtie ndaj kulturës zyrtare e cila sipas tyre udhëhiqej nga intelektuali, poeti e nobelisti Oktavio Paz shpesh thuhet se kanë bërtitur gjatë mbrëmjeve poetike me të, kanë derdhur verë të kuqe në këmishën e Pazit apo edhe kanë hedhur poezitë e Pazit, të bëra shuk në drejtim të tij. Arsyeja e pëlqimit të këtij akti ka të bëj edhe me guximin e përballjen intelektuale që ka mbizotëruar në këtë dualitet. Mos të harrojmë kritika ka nivelet e saj. Do të çmendesha nëse norvegjezi i cili bëri pakt me djallin Karl Ove Knausgaard apo zotëriu anglez Julian Barnes jep një kritikë të mirë të një vargu, që mund ta pjellë mendja ime prej vjershëtori. Do ta merrja krejt shtruar nëse dikush në rrjete sociale do ta cilësonte punën time si të mjerë, si të padenjë dhe si poshtëruese, për ta strehuar bukurinë e kritikës stilistike. E vërteta e një vepre artistike provokon dhjetëra të vërteta tjera. Ne jemi të kredhur në këtë shumësi të vërtetash. Zbulimi i së vërtetës së vërtetë, do të ishte tragjik. Ne nuk e duam atë. Të paktën unë jo. Kërkimi për të më jep kuptim. Ose dembelia për ta gjetur atë ose edhe për ta mënjanuar. Duke e marrë si të vetmen të vërtetë faktin e variacioneve të saj. Pra variacionet e kritikës. Mëgjithatë ta themi këtë, lufta e gjigantëve gjithmonë është joshëse. Dhe aty fillojnë betejat. Pas betejave pasojnë erërat.

Sa për veten time nuk e kam ditur se përmes letërsisë ushqehem me bukën e pesimizmit konciz derisa një kritik anglez më kishte vënë në dijeni të kësaj gjëje. Pra kritikët shpesh japin edhe dimensione të reja dhe ndërtojnë fizionominë e një autori, i cili në mjedise të huaja lexuesish mbetet përfytyrim mbase i përjetshëm. Përshtypje mbase e pathyeshme.

Zhgualli që shpesh ata hedhin mbi autorët i përcakton në mjediset letrare, të panjohura për ta. Ama autorët e mirë do të dinë të ecin si breshkat. Qetë dhe sigurt. Në mes thonjëve kritik që fërshellejnë kudo. 

Machoman-i Hemingway thoshte se kritikët janë njerëz që e shohin betejen nga një vend i lartë, pastaj zbresin dhe qëllojnë mbi ata që kanë mbijetuar. Meqë ra fjala tek ky njeri i pashmangshëm në mjediset letrare, ta përmendim edhe një skenë nga filmi Hemingway&Gellhorn bazuar në një periudhë të jetës së tij. Pasi një kritik kishte shkruar një vlerësim përçmues për punën e tij, ata takohen rastësisht në një atmosferë ta themi aristokrate megjithëse ndjej se kam dicka kundër kësaj fjale dhe ajo që ndodhë më pas është edhe komike por edhe interesante për ta përshkruar raportin mes një autori dhe kritiku. Hemingway pasi i vërsulet e shqyen këmishën, duke ja treguar qimet e gjoksit. Dhe duke e kërcënuar fizikisht. E kam përjetuar skenën si komike por në të njëjtën kohë kam empatizuar egërsinë e karakterit Hemingway. Dhe më kanë pëlqyer kopsat e këmishës që flatrojnë, në çastin që shpartallon këmishën. Kush ka lexuar për Hemingwayn e din se ishte një njeri që preferonte rrezikun, një njeri që kishte marrë pjesë në luftëra, kishte raportuar nga vijat e parë të frontit, ishte plagosur, kishte shpëtuar nga aksidente ajrore dhe pa asnjë dyshim, vërtet ishte një i mbijetuar. Përveç letërsisë këtë ja kishte dëshmuar edhe jeta. Beteja kishte marrë fund dhe me gjasë pasi kritiku kishte zbritur nga vendi i lartë, e kishte qëlluar. Hemingway kishte fituar Nobelin dhe pas shtatë vitesh ja kishte hedhur trutë në erë vetes. Me gjasë as vlerësimi prestigjioz i akademisë suedeze, nuk kishte arritur ta shpëtonte nga vetja. Nga demonët që ladronin brenda tij. Kritikët nuk kishin thënë asnjë fjalë për këta demonë.

Kam pasur fatin që të jem pjesë e një programi një mujor për shkrimtar në një fshat zvicerran në Lavigny, në një kështjellë të botuesit të madh gjerman Rowoholt dhe kënaqesha që shumë vite para meje pikërisht në ato hapësira kishte shkelur këmba e Hemingway. Ndërkaq demonët për të cilët kritikët nuk kishin thënë gjë, i ndjeja kudo, edhe aty, të përjetshëm.

(Shtesë)

Megjithatë çdo gjë që vuan mungesën e interpretimit rrezikon të shuhet ngadalë. Në këtë pikëvështrim, kritikët mbajnë gjallë veprat. Edhe nëqoftëse i përbuzin, edhe nëqoftëse i shohin të pamjaftueshme në mjedisin e pasur letrar. Përderisa diskutohet për ta do të thotë se veprat po kalojnë në procese të ndryshme gjallërimi. Sot po jetojmë në një kohë zhvlerësimesh të mëdha dhe më vjen keq për këtë. Pra edhe brenda fushës së kritikës letrare duket se autori zhvlerëson gjykimin e kritikut dhe poashtu kritiku zhvlerëson autorin. Kritika në një masë të madhe është shtrirë në platformat sociale dhe dominohet nga një gjuhë agresive apo edhe nga një gjuhë sipërfaqësore apo edhe nga interesa të ndryshme që po dominojnë jetën shoqërore.

Ngase edhe lexuesi është i ngulfatur nga sasia e informacionit që shpesh është e papërballueshme. Në një shoqëri e cila vuan nga fashizmi në dije, zhvlerësimi është armë. Në çdo fushë njerëzore zhvlerësimi duket se është vlerë apo niset drejt përkufizimit të vlerës. Sa më shumë të zhvlerësosh aq më shumë je i pranishëm. Njerëzit këtë duan të jenë prezent. Sundimi i narcisit më në fund është total. 

Kritika letrare është një degë komplekse e letërsisë dhe nuk po përpiqem që të ja vendosë pikën me anë të një shkrimi e as nuk e kam si qëllim këtë gjë, por të mundohemi të jemi të këndshëm dhe të arsyeshëm. Raporti shkrimtar kritik në shumë pikëvështrime është një raport cfarë dominon në mes një aktori dhe regjisori. Dhe për fund le të shërbehemi me njërin nga kritikët më të mirë, me amerikani Harold Bloom, i cili thotë se është shumë e vështirë jetesa pa shpresuar se do të ballafaqohesh me të jashtëzakonshmen. Atëherë po le të ballafaqohemi dhe le të shpresojmë. Le ta njohim të jashtëzakonshmen. 

Shpëtim Selmani, Shkrimtar dhe aktor

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shprehjes Kulturore”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Agjencionit Zviceran për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Ouroboros: Kritika e artit në Kosovë, dukshmëria dhe hija e tejpërtejshme e Manifesta14 

5 Qer 2026

Adriana Kabashi: Destan Gashi – Midis kujtesës së gurit dhe poezisë së formës

2 Qer 2026

Dhurata Hoti: Die, My Love 

31 Maj 2026

Hana Kastrati: Pse arti bashkëkohor në Kosovë shpesh duket i huazuar

31 Maj 2026

Shpëtim Selmani: Mbi kritikën letrare

31 Maj 2026

Diona Kusari: Kultura Publike dhe Kultura e Pavarur

25 Maj 2026