Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Kritikë Artistike

Diona Kusari: Kultura Publike dhe Kultura e Pavarur

14 03 2026

Me datën 11 mars 2026, u mbajt paneli me temën “Kultura Publike dhe Kultura e Pavarur” me moderatore Diona Kusari dhe pjesëmarrës drejtoreshën e kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, drejtoreshën e Kino Armata, Rozafa Maliqi dhe drejtorin e Qendrës Multimedia, Jeton Neziraj, tek Hani i 2 Robertëve.

Diskutimi u drejtua gjerësisht në marrëdhënien mes kulturës publike dhe kulturës së pavarur, asaj se a kemi arritur një model të drejtë dhe të barabartë të mbështetjes së vlerave së të dy sektorëve dhe se si do të mund të reformohej kultura publike përmes autonomisë më të madhe programore dhe financiare.

Në skenën kulturore kosovare akterët që shfaqen zakonshëm janë institucionet publike, të cilat përfaqësojnë njëfarë qëndrueshmërie stoike, iniciativat e pavarura, që përfaqësojnë më shumë inovacion e risi dhe hapësirat komunitare, që fokusohen dhe ndërtohen nga pjesëmarrja qytetare. Në vetvete, këto që po i quajmë kulturë e pavarur dhe kulturë publike janë dy ekosisteme që dallohen për nga modelet e financimit, infrastruktura dhe logjika e qeverisjes. Skena e pavarur shpeshherë karakterizohet nga (ri)marrja e hapësirave publike me vetë-iniciativë apo iniciativë komunitare, autonomi të vendimmarrjes, si dhe shpesh nga praktika jokomerciale dhe një pozicionim kritik ndaj pushtetit. Tensionet mes të dyjave kanë të bëjnë me: fondet publike përkundër granteve të bazuara në projekte afatshkurtra, stabilitetit institucional përkundër fleksibilitetit në programim, profesionalizmit dhe iniciativës komunitare, që zhvillohet vetë, natyrshëm dhe bottoms-up, kontrollit përkundër lirisë në menaxhim dhe përzgjedhje të temave. 

Kohëve të fundit problematikat kyçe në mes këtyre dy ekosistemeve kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pyetja se kush ka qasje në hapësira publike dhe nevoja për një databaze e regulacion të qartë për shfrytëzimin e hapësirave publike, ngërçet politike të cilat kanë pamundësuar bartjen e fondeve nga niveli qëndror te ai lokal dhe akterët e ndryshëm, nevoja për qëndrueshmëri dhe njohje e statutit të iniciativave dhe organizatave me shumë përvojë si dhe mosnjohja e iniciativave joformale. Se a janë këto dy ekosisteme konkurruese në mes veti, komplementare apo strukturalisht të pabarabarta, kjo pyetje mbetet e hapur në vazhdimësi. E qartë është se institucionet publike e kanë të garantuar njëfarë infrastrukture bazë dhe financim të qëndrueshëm, ndërsa ato të pavarura detyrohen që me atë pak personel që kanë të veprojnë si producent, administrator, krijues e menaxher, duke mbetur prapë në krah të fondeve të huaja nëse duan të rriten, një skemë poashtu e paqëndrueshme.

Gjatë diskutimit u theksua nevoja për autonomi më të lartë të iniciativave të pavarura kulturore, për infrastrukturë serioze e të dinjitetshme dhe mirëmbajtjen e këtyre iniciativave që veçse ekzistojnë dhe që e kanë dëshmuar veten. Në njërën anë fokusi për këtë mandat ka qenë krijimi i hapësirave të reja të financuara nga Komuna për të rritur kapacitete për artistët dhe punonjësit kulturorë në kryeqytet, ku dhe Strategjia e re për Kulturë 2026-2031 e cila, siç u shpreh Sibel Halimi, është informuar nga vetë komuniteti, nga pjesëmarrja e 300 artistëve, ndërsa në anën tjetër akterët e skenës së pavarur theksojnë faktin se nuk kanë përkrahje të mjaftueshme për hapësirat që menaxhojnë dhe nevojën e mëtutjeshme për autonomi programore.

Debati tregoi se kufiri mes kulturës publike dhe asaj të pavarur po zbehet. Institucionet po hapen më shumë ndaj bashkëpunimit, ndërsa skena e pavarur kërkon mbështetje strukturore dhe jo vetëm simbolike. Historia na tregon se përparimet kanë ardhur kryesisht nga këmbëngulja e vetë artistëve dhe organizatave të pavarura.

Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës u shpreh se e sheh kulturën publike dhe atë të pavarur afër me njëra tjetrën ngase janë mekanizma institucionalë që e rregullojnë marrëdhënien mes tyre. Anipse, shpeshherë politika e instrumentalizon artin dhe kulturën, sipas saj, roli i institucioneve është të krijojnë fonde, infrastrukturë dhe njohje e legjitimim të diversitetit kulturor. “Institucionet duhet ta rishikojnë veten karshi artit të pavarur” tha ajo. Njëkohësisht, ekziston njëfarë ngërçi në definimin e artit apo skenës së pavarur pasi që konsiderohet se kur institucioni publik e financon një hapësirë apo iniciativë duhet të jetë i përfshirë në të.

Për të, fokus i këtij mandati ka qenë krijimi i hapësirave fizike për artistët. Anipse financimi mund të jetë i pakët për vazhdimësinë e akterëve të pavarur, ajo theksoi se komuna ka sjellë modele të suksesshme të hapësirave që financohen nga komuna dhe menaxhohen nga artistët, gjë që nuk ndodh në komuna tjera, shembuj ekzistues si Qendra kulturore në Llukar e menaxhuar nga Stereospace. Ndër arritjet e reja nga ana e Drejtorisë së Kulturës ajo përmend revitalizimin e dy bunkerave në Ulpianë në qendra kulturore, krijimin e Orkestrës së Qytetit, Baletin Modern dhe Galerinë e Arteve të Prishtinës në Pallatin e Rinisë. Përpos tyre, përmendi planet e ardhshme për kthimin e Shtëpisë-Shkollë të Herticëve në muze, qendrën e re kulturore te shkolla “Ramiz Sadiku” në Marec, hapësirën e dhënë për Artpolis te Stacioni i Trenit. Ajo përmendi rëndësinë e decentralizimit kulturor e njëherit krijimit të hapësirave në periferi të kryeqytetit, krijimin e hapësirave të reja në Prishtinë dhe krijimin e marrëdhënieve më horizontale me punëtorët kulturorë. 

Qendra për Praktikë Rrëfyese (CNP) apo ish-Biblioteka Hivzi Sylejmani te Qafa, në këtë kontekst është një rast interesant i lënë pas si pjesë e trashëgimisë së Manifesta14, e cila më pas mbet në shfrytëzim të Komunës, por që përmes avokimit të Punëtorë në Art (PART) i’u kthye një komisioni të përbërë nga Komuna dhe anëtarët e PART-it, përmes të cilëve po krijohet një model pjesëmarrës për shfrytëzimin dhe menaxhimin e hapësirës në të ardhmen, ku këto kritere dhe vendime informohen nga diskutimet e hapura dhe publike.

Rozafa Maliqi e rivendosi theksin te mungesa e sigurisë dhe barrës së vetë-menaxhimit që e mbajnë organizatat e pavarura, si dhe nevojat e përditshme të mirëmbajtjes fizike të hapësirave. Sipas saj, këto hapësira prodhojnë pjesën më të madhe të përmbajtjes kulturore në qytet, por shpenzojnë shumë energji duke siguruar mbijetesën bazike në vend që të fokusohen te programi artistik. Ajo u shpreh se ka ende shumë nevojë për formalizim të përkrahjes institucionale, njohje të punës ekzistuese dhe mekanizma të qartë brenda komunës që i ndihmojnë këto hapësira me burokraci, financim dhe përdorim të qëndrueshëm të objekteve publike. “Ka nevojë me u njoft më shumë puna që e bëjmë, e jo me shpenzu kaq shumë energji për me i rikthy këto tema. Po përfundojmë duke bë shumë punë për t’ia rregullu vetes kushtet për me vazhdu punën që veçse e bëjmë.” tha ajo.

Jeton Neziraj argumentoi se ndarja mes kulturës publike dhe të pavarur ka qenë për shumë kohë ideologjike. Skena e pavarur dikur shihej me dyshim si “private” ose e lidhur me donatorë të huaj, ndërsa sot është dëshmuar si më dinamike, inovative dhe shpesh më e gjallë, duke i dedektuar temat më atraktive dhe estetikat më aktuale më shpejtë se institucionet publike që janë të ngarkuara nga burokracia dhe jo aq lehtë të adaptueshme. “Skena kulturore është demonizuar shumë gjatë tek ne, dhe tek vonë është bërë faktor, kur kanë ardhur mediat e huaja dhe kur prodhimtaria vendore ka filluar të eksportojë jashtë, tek atëherë shteti ka filluar të ketë qasje më ndryshe” tha ai. Ai vëren se institucionet publike tashmë po adoptojnë praktika të skenës së pavarur. Sipas tij, sukseset e kulturës së pavarur nuk janë dhuratë institucionale, por rezultat i presionit dhe punës shumëvjeçare të vetë akterëve kulturorë. 

Ai theksoi se në Holandë 80% e buxhetit për teatër i ndahet teatrove të pavarura dhe se edhe te ne nuk duhet të ketë barriera të llojit t’i financojmë institucionet publike dhe çka mbetet t’iu ndahet akterëve të pavaruar, por t’i jipet një mbështetje më proporcionale me punën dhe vlerën kulturore që gjenerojnë. Për skenën e pavarur kulturore kosovare ai thotë se asgjë nuk i është ofruar por është marrë vetë, duke përmend faktin se në Pejë një organizatë kulturore, Anibar, luan më shumë rol në kulturën publike se çfarëdo inciative nga Komuna, dhe se edhe për teatrin Oda, shpenzimet bazike komuna ka filluar t’ia paguajë vetëm pas shumë viteve presion, shpenzime të cilat janë bazike ku kostet reale dhe ambiciet janë shumë të mëdha.

Ai shprehet se problematikë për të si drejtor i Qendrës Multimedia është që anipse shfaqjet e tyre po mbahen në hapësirat e Teatrit Kombëtar, hapësira aktuale prapë nuk është e dinjitetshme, dhe se renovimet e Teatrit Oda do të marrin kohë.

Gjatë diskutimit poashtu u përmend dhe ardhja e formatit të granteve institucionale nga MKRS, gjë që ka rritur mbështetjen programore për institucionet e pavarura, megjithatë Jetoni shprehet se këto grante kanë mundësuar vetëm mbijetesën. Mes panelistëve nga skena e pavarur është e qartë se skena vendore me ngadalësi përgjigjet ndaj nevojave reale të akterëve të pavarur apo edhe t’i njeh realisht a t’i jep mbështetje substanciale, duke i shërbyer edhe njëfarë kulture ku pa u legjitimuar nga jashtë vendit nuk njihesh edhe brenda. Një prej shembujve është edhe Termokiss, që prej gati 10 vitesh, mirëmbahet kryesisht nga puna vullnetare. Avokimi dhe puna e përditshme e akterëve të pavarur në formë të decentralizuar po vazhdon që një kohë të gjatë.

Diona Kusari

Artiste multidisiplinare, shkrimtare, hulumtuese dhe ndërmjetësuese kulturore me bazë në Kosovë. Puna e saj fokusohet në materializimin e të padukshmes, qoftë kjo besimi apo ideologjia, si dhe sfidimin e ndarjes së presupozuar mes privates dhe publikes. Ajo punon në kolektive me parime horizontale, si Potpuri, e cila fokusohet në praktikat e vetë-publikimit dhe vetë-prodhimit të dijes. Shkruan poezi eksperimentale, blogje, recensione e artikuj që përqendrohen në reflektim e kritikë kulturore, mbi virtualen e simboliken dhe teorizimin mbi tema të të ashtuquajturit interes publik.

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shprehjes Kulturore”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Agjencionit Zviceran për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Ouroboros: Kritika e artit në Kosovë, dukshmëria dhe hija e tejpërtejshme e Manifesta14 

5 Qer 2026

Adriana Kabashi: Destan Gashi – Midis kujtesës së gurit dhe poezisë së formës

2 Qer 2026

Dhurata Hoti: Die, My Love 

31 Maj 2026

Hana Kastrati: Pse arti bashkëkohor në Kosovë shpesh duket i huazuar

31 Maj 2026

Shpëtim Selmani: Mbi kritikën letrare

31 Maj 2026

Diona Kusari: Kultura Publike dhe Kultura e Pavarur

25 Maj 2026