Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Kritikë Artistike

Si e lexojmë botën: letërsia, filmi dhe kultura e popullarizuar

06 06 2026

Nga Lindita Aliu Tahiri

Kritika letrare nuk gjendet vetëm në revista akademike dhe konferenca universitare, sot ajo është e pranishme në kulturën publike, shpesh në forma më jo formale, por jo më pak të rëndësishme. Interpretimi, vlerësimi dhe reflektimi kritik hasen jo vetëm në libra dhe mjedise akademike, por edhe në filma, rrjete sociale, podkaste, recensione online dhe biseda të përditshme. Në këtë kuptim, kritika letrare është bërë pjesë e një praktike më të gjerë kulturore: përpjekjes për të kuptuar se si krijohet, komunikohet dhe sfidohet kuptimi.

Një nga zhvillimet më të rëndësishme në kritikën bashkëkohore është pranimi i faktit se letërsia është pjesë e një rrjeti më të gjerë kulturor që përfshin filmin, muzikën, mediat digjitale dhe diskursin publik, që mund të trajtohen si tekste të cilat kërkojnë interpretim. Prandaj pyetja tradicionale se “Çfarë do të thotë ky tekst?”, riformulohet me pyetje të tipit “Si prodhohet kuptimi?” dhe “Kush merr pjesë në krijimin e tij?”. Ky kuptim më i gjerë i kritikës lidhet ngushtë me zhvillimet e teorisë letrare bashkëkohore, e sidomos me konceptin e literaritetit, që mund të kuptohet jo si një cilësi e veçuar e teksteve letrare, por si një potencial brenda vetë gjuhës. Çdo përdorim i gjuhës—qoftë në poezi, film, reklamë, rrjete sociale apo komunikim të përditshëm—mund të bëhet letrar kur tërheq vëmendjen te gjuha: kur krijon ritëm, imazh, shumëkuptimësi, metaforë ose intensitet emocional. Nga kjo perspektivë, letërsia nuk është një gjuhë e veçantë, por një theksim i mundësive që tashmë ekzistojnë në gjuhë. 

Për të ilustruar këtë larmi qasjesh po e shohim Sonetin18 të Shekspirit, që tradicionalisht është lexuar si një kremtim i bukurisë dhe i fuqisë së poezisë për ta ruajtur atë përtej kohës. Megjithatë, perspektiva të ndryshme teorike nxjerrin në pah aspekte të ndryshme të të njëjtit tekst.

Leximi feminist mund të pyesë se pse të drejtën për të folur e ka mashkulli dhe ndërkaq objektivizohet femra. Leximi psikanalitik mund të përqendrohet te ankthi i fshehur përballë vdekjes dhe humbjes. Dekonstruksioni mund të vërë në pikëpyetje besimin e poezisë se gjuha mund ta mposhtë vërtet kohën, duke theksuar paqëndrueshmërinë e kuptimeve. Historicizmi i ri do ta vendoste poezinë në kontekstin kulturor dhe intelektual të Rilindjes Evropiane, ndërsa ekokritika do të shqyrtonte mënyrën se si paraqitet natyra me supozimin antropocentrik se arti mund ta tejkalojë atë. Teoria e receptimit do të theksonte se kuptimi i poezisë nuk është i fiksuar, por krijohet në marrëdhënien midis tekstit dhe lexuesit.

Këto qasje nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato tregojnë se tekstet janë mjaftueshëm të pasura për të prodhuar interpretime të shumta. I njëjti parim vlen edhe përtej letërsisë. Për shembull, çdo adaptim filmik i një vepre letrare është njëkohësisht edhe një lexim i saj. Versionet e ndryshme nuk e riprodhojnë thjesht letërsinë,  ato e interpretojnë atë dhe mund të shihen si një formë kritike. Një adaptim bashkëkohor i Shekspirit mund të nxjerrë në pah çështje të gjinisë, racës, klasës apo pushtetit politik, të cilat nuk kanë qenë domosdoshmërisht në qendër të leximeve të mëparshme. Po kështu, filmat e bazuar në romane shpesh i riformulojnë historitë për t’iu përgjigjur shqetësimeve të kohës sonë. Duke vepruar kështu, ata i ftojnë shikuesit të rishqyrtojnë tekste të njohura nga këndvështrime të reja.

Teatri i William Shakespeare nuk funksiononte mbi idenë se publiku ndahej sipas inteligjencës, arsimit apo nivelit kulturor. Përkundrazi, teatri ishte një hapësirë publike e përbashkët në të cilën bashkekzistonin audienca të ndryshme : e njëjta shfaqje mund të prodhonte të qeshura përmes komedisë, përfshirje emocionale përmes ngjarjes dramatike dhe reflektim intelektual përmes gjuhës retorike apo referencave filozofike. 

Ky model krijon një paralelizëm të fortë me kulturën bashkëkohore të mediave, sidomos me rrjetet sociale. Edhe sot, platformat digjitale mbledhin audienca heterogjene rreth të njëjtës përmbajtje, ku një postim mund të lexohet njëkohësisht si humor, emocion, koment politik ose objekt estetik, varësisht nga mënyra si shpërndahet dhe interpretohet. Ashtu si teatri elizabetian, edhe rrjetet sociale funksionojnë përmes spektaklit, atypëratyshmërisë dhe interpretimit të shtresuar, ku kuptimi bashkë-prodhohet nga krijuesit dhe publiku në kohë reale. Megjithatë, ndryshe nga hapësira fizike e teatrit, platformat digjitale e përshpejtojnë këtë proces dhe e fragmentojnë më tej vëmendjen, duke prodhuar një fushë interpretimi edhe më fluide dhe të paqëndrueshme.

Kritika shfaqet edhe në forma që tradicionalisht nuk janë konsideruar akademike. Podkaste, klube leximi, recensione filmash, dhe diskutime në rrjetet sociale marrin pjesë në prodhimin e kuptimit kulturor dhe dëshmojnë se interpretimi nuk është më monopol i ekspertëve. Lexuesit, shikuesit dhe publiku në përgjithësi kontribuojnë në mënyrë aktive në bisedat e vazhdueshme mbi tekstet dhe rëndësinë e tyre.

Ky demokratizim i kritikës ngre pyetje të rëndësishme. Nëse kuptimi prodhohet nga shumë zëra të ndryshëm, kush ka autoritet? Pse disa vepra bëhen pjesë e kanonit, ndërsa të tjera mbeten në margjina? Këto pyetje na kujtojnë se letërsia dhe kultura nuk janë hapësira neutrale, por vende ku negociohen vlera, identitete dhe marrëdhënie pushteti.

Veçanërisht për të rinjtë, kritika mund të kuptohet jo si një veprimtari e specializuar akademike, por si një mënyrë për t’u angazhuar me botën në mënyrë kritike dhe krijuese. Të analizosh një poezi, të interpretosh një film, të diskutosh një këngë apo të vësh në pikëpyetje një rrëfim kulturor do të thotë të marrësh pjesë në një mendim kritik. Aftësitë që zhvillohen përmes kritikës letrare – leximi i vëmendshëm, interpretimi, argumentimi dhe reflektimi – janë të rëndësishme për kulturën mediatike të sotme.

Në këtë kuptim, kritika letrare është vetëm një mënyrë për të lexuar libra; ajo është edhe një mënyrë për të lexuar botën.

Prof. Asoc. Dr. Lindita Aliu Tahiri

Lindita Aliu është gjuhëtare, kritike letrare, studiuese e medias dhe komunikimit masiv, poete, përkthyese letrare dhe mësimdhënëse në Universitetin e Prishtinës prej vitit 1984. Ka botuar libra dhe studime në fushën e gjuhësisë kritike, kritikës letrare, stilistikës, dhe analizës së diskursit.

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shprehjes Kulturore”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Agjencionit Zviceran për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Si e lexojmë botën: letërsia, filmi dhe kultura e popullarizuar

6 Qer 2026

Shpëtim Selmani: Anarki në KS

5 Qer 2026

Diona Kusari: Ouroboros – Kritika e artit në Kosovë, dukshmëria dhe hija e tejpërtejshme e Manifesta14 

5 Qer 2026

Adriana Kabashi: Destan Gashi – Midis kujtesës së gurit dhe poezisë së formës

2 Qer 2026

Dhurata Hoti: Die, My Love 

31 Maj 2026

Hana Kastrati: Pse arti bashkëkohor në Kosovë shpesh duket i huazuar

31 Maj 2026