Jam shumë i kënaqur dhe i nderuar që mund t’ju prezantoj ekspozitën e fotografive nga Tonçi Staniçiq “Miniaturat e Adriatikut”. Tonçi është diplomat kroat i karrierës, i cili, si hobi, por edhe me shumë talent dhe me sukses të jashtëzakonshëm, merret me fotografi.
Për këtë rast, në Galerinë e Hanit të 2 Robertëve, ai zgjodhi të ekspozojë motivet e njërit prej deteve më të bukura në planet, Adriatiku. Ai zgjodhi rreth pesëdhjetë foto emocionuese nga jeta e përditshme në Split, qytetin e tij të vendlindjes, si dhe nga vendbanimet bregdetare dhe ishujt e famshëm të Dalmacisë.
Mendoj se do të bini dakord që galeria jonë sonte është e mbushur me skena parajse. Këto fotografi na zbulojnë se sa i bukur është planeti ynë, dhe sa është edhe tmerrësisht, dhimbëshurisht, papërmbajtshëm, papërsëritshëm dhe në mënyrë sublime magjik!
Më lindi nevoja t’i rendisja të gjitha këto epitete për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet bota jonë sot, në kushtet e krizës aktuale politike dhe ekonomike globale dhe luftërat e njëpasnjëshme.
Sot të gjithë jemi në rrezik ekzistencial! Ka zëra seriozë që paralajmërojnë se ndoshta Lufta e Tretë Botërore ka filluar tashmë! Ka edhe zëra që profetizojnë kataklizmën, një luftë bërthamore që do të shkatërrojë jetën në tokë.
E di që jemi në rrezik, por nuk dua t’i besoj këtyre profecive të errëta. Kjo është arsyeja pse kjo ekspozitë më duket si një kërkese dhe lutje e dëshpëruar, që zezona të mos ndodhë, të mos ketë kataklizmë!
Nuk jam fetar, por do të doja që bukuria që shohim te këto fotografi të na ruajë, dhe që bota të shpëtohet; që arsyeja të mbizotërojë mbi të keqen dhe marrëzinë e mujësharëve që, nga dëshira për të sunduar botën, të mos e lejojnë shkatërrimin e saj.
Le të zhduken zezonat!
Shkëlzen Maliqi
Filozof, kritik arti, analist politik