Foto: gjeneruar me AI, 2026.
Kam qenë adhurues i madh i anarkizmit. I një anarkizmi që konsiston në një bashkëpunim të vetëdijshëm mes njerëzve e komuniteteve. Pra gjatë kohës sa po rritesha dhe po zhytesha në lëvizje të ndryshme shoqërore kisha përqafuar në një mënyrë këtë rrymë e këtë filozofi politike, që kundërshtonte autoritetin e hierarkinë shoqërore. Nuk kam qenë muzikant por ndjej një lidhje të fuqishme me muzikën dhe ndjej se jam bir i përjetshëm i Rock and Rollit. Dhe përmes muzikës e letërsisë kam ushqyer gjithnjë një besim të patundshëm se qeveritë përgjithësisht janë shtypëse e ndonjëherë të panevojshme. Në të vërtetë kjo sot në një mënyrë po dëshmohet. Bota po vuan nga emigrimi masiv njerëzor, sisteme të dobëta të arsimit e të shëndetësisë, pabarazia gjinore e margjinalizmi, korrupsioni institucional, polarizimi politik e rritja e kostos së jetesës, kërcënimet, uria, luftërat e mutsihane të pafundme.
*
Kosova jonë e vogël po përballet me kriza institucionale si pasojë e mosmarrëveshjeve në mes partive politike dhe në këtë mënyrë kanë arritur të shkaktojnë një përçarje të madhe shoqërore, linçime të pabesueshme, konflikte e raporte toksike mes qytetarëve të saj. Sa të duash le tē jenë konstruktiv në emisione televizive me analistë narcisistë. E gjithë kjo urrejtje është ujitur nga të gjitha partitë politike dhe gjithnjë ka ekzistuar një rezistencë qytetare. Dhe mirë që ka ekzistuar. Sot fatkeqësisht rezistenca e tillë sidomos rezistenca e cila dikur ishte ushqyer nga elita të ndryshme kulturore, të cilët prireshin drejtë një jetese të mirë mes njerëzve është në vdekje klinike. Ata që deri dje ishin të zëshëm sot kanë futur veshët në lesh. Punker e artist bashkëkohor, aktor e regjisor, shkrimtar e muzikant, poet e analist, kurator e ëndërrimtar, të gjithë kthejnë kokën mënjanë. Amaneti i Clown-it nga Troja sot nuk ka kuptim. Jo vetëm te Troja por në asnjë rock grup e më gjërë bashkëkohor kosovar nuk mund të gjesh më elemente të tilla të një kundërshtie autoritare. Artistët i thurrin lavde përkatësive të tyre politike dhe mbijetesa i çarmatosë.
Sot nuk ka asnjë iniciativë artistike që e kundërshton pushtetin aktual. Protesta artistike është e vdekur dhe liria individuale duket tipar i përdhunuar nga autokracia. Shpirti është material lehtësisht i shkëmbyër me qetësinë e një fshati ndërkombëtar apo me një shtëpi bregdetare. Feministet të cilat deri dje kishin një raport përçudnues me pushtetin sot e aspirojnë atë. Ironikisht nën një ombrellë me klerikët fetar dhe traditën për të cilën ushqenin neveri. Fatkeqësisht punkerët kanë braktisur gjakun e tyre rinor apo simpatitë për Clash-at, për Sex Pistols-at duke e kthyer atë në simpati për liderin apo edhe duke u shëndrruar në punonjës institucional. Ne e dimë, punk-u kryekëput lidhet me protestën shoqërore, rebelimin kundër sistemit, papunësisë e politikave shtypëse. Elitat urbane e elitare janë shëndrruar në elita politike dhe ata që deri dje ishin kundër bordeve të emëruara politike, kundër përdorimit të fëmijëve në fushata, kundër makinave të zeza qeveritare sot heshtin dhe përqafojnë këtë realitet politik tash e disa vite. Anatomia e pushtetit të sotëm përbëhet në masë të madhe nga këto grupe ose ishuj kulturor siç i referohej një shok i imi këtyre strukturave elitare. Kritika artistike duhet të jetë aktive dhe duhet ta ndjekë rrjedhën e saj të përjetshme. Atë të një qytetarie të shëndoshë e gjithmonë të zëshme. Nuk mund ta kundërshtosh një pushtet në mënyrë që ta përqafosh tjetrin. Teatri Kombëtar më shumë se katër vite është në rikonstruktim. Galeria Kombëtare në renovim tash e dy vjet. Muzeu Kombëtar në renovim. Teatri i pavarur Oda. Teatri në Ferizaj është në renovim. Teatri në Pejë nuk e di a ekziston. Teatro tjera presin në radhë për këtë gjë (ai i Gjilanit). Opera është fiksion. Filharmonia dhe Baleti Kombëtar janë pa shtëpi. Bordi i Teatrit Kombëtar është kryekëput bord i emëruar politik. Ta zëmë, vite më herët po të ishte kështu do të ja hanin shpirtin kryeministrit paraprak duke e tallur madje edhe mbi baza të fashizmit kulturor. Ndërkaq sot është normalizuar kjo gjë dhe arti ka marrë kuptimin e propagandës me disa përjashtime. Teatri Kombëtar i shërben atyre që besojnë njëjtë, që kanë bindje të njëjta politike. Dhe ka vite që në asnjërën nga shfaqjet në repertoarin e tyre të varfër nuk ka pasur një shfaqje me karakter të thelluar politik, me karakter të një proteste politike. Viteve të fundit shumë artistë ja mësyjnë karrigeve të kuvendit dhe braktisin idetë kryesore që arti i shtron para nesh. Amerikani Paul Leroy Robeson thotë që artistët janë rojtarët e së vërtetës, zëra radikal qytetërues. Volteri e shihte politikën si arti i gënjeshtrës së qëllimtë. Por ka kohë që volterët janë tallur e janë përmbysur.
*
Ne e kundërshtojmë këtë por atë pasuesen e duam. Thotë alternativa qytetare.
Shpëtim Selmani
Shkrimtar dhe aktor

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shprehjes Kulturore”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Agjencionit Zviceran për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
