Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Ekspozitë

Bardhyl Bejtullahu: Qysh sheh AI

Kuruar nga: Shkëlzen Maliqi

21 05 2026

Inteligjenca artificiale (AI), viteve të fundit, është bërë një nga temat kryesore të diskutimeve për të ardhmen e njerëzimit. Madje, nuk mungojnë as parashikimet alarmante për fundin e njeriut, të ushqyera nga frika se AI do të ngadhënjejë në çdo fushë të veprimtarisë njerëzore.

Artisti Bardhyl Bejtullahu vjen me një ekspozitë në Hani i 2 Robertëve, ku ballafaqon motivacionin, emocionin dhe kreativitetin burimor të artistit me fuqinë imagjinative të inteligjencës artificiale. AI-së i jepet detyra të realizojë të njëjtat tema si origjinalet e autorit, duke i gjeneruar ato sikur të shiheshin me sytë e një fëmije, të një të moshuari, të një arkitekti, të një psikiatri etj. Rezultati i këtij sfidimi shpalos një diapazon interesant imazhesh simotra, ku ballafaqohemi me çështjen e autorësisë origjinale dhe asaj të gjeneruar.

Në këtë eksperiment, AI bëhet mjet për realizimin e varianteve të së njëjtës vepër, variante që mund të gjenerohen pothuajse pafundësisht. Ato nuk janë thjesht kopje, por mbajnë edhe vulën e autorësisë së Bejtullahut, si një formë e autorësisë së zgjeruar, një lloj multiversi autorësie.

Piktura burimore e Bardhyl Bejtullahut shquhet për kompozicione të studiuara dhe të mirëbalancuara, përgjithësisht harmonike dhe tërheqëse. Ato rrezatojnë optimizëm, sepse artisti shpesh i vendos motivet brenda një bardhësie kumbuese, e cila u jep një aurë ndriçuese. Njëkohësisht, fluiditeti dhe transparenca u japin ngjyrave të vajit spontanitetin dhe delikatesën e akuarelit.

Një tjetër veçori kompozicionale është zgjatja e formave strukturore, që peizazhet i paraqet të stilizuara. Pemët dhe shtëpitë marrin zgjatime vertikale, ndërsa veprat abstrakte ndërtohen mbi raporte dinamike të kryqëzimit subtil ndërmjet vektorit pamor vertikal dhe horizontal, apo mes qiellores dhe tokësores, në gjenerimin dhe strukturimin e një realiteti estetik të perceptueshëm.

Drita dhe bardhësia mbizotërojnë në veprën e Bejtullahut jo si mbyllje e syve para errësirës dhe toksicitetit të jetës bashkëkohore, por si kontrast i qëllimshëm ndaj të këqijave që arti i angazhuar i sinjalizon si rreziqet më të mëdha për mbijetesën. Ne, njerëzit, kemi ende nevojë ta shohim edhe bukurinë e oazave.

Megjithatë, intenca kryesore e kësaj ekspozite mbetet trajtimi i sfidës që paraqet inteligjenca artificiale. Optimizmi perceptiv i artistit e sprovon AI-në si një gjeni kreativ, por njëkohësisht na kujton se ajo, si një mjet i krijuar nga njeriu, nuk duhet të na tejkalojë në atë që kemi më të çmuar, zemrën dhe shpirtin.

Shkëlzen Maliqi

Filozof, Kritik arti, Analist politik

Ekspozita u organizua me mbështetjen financiare të Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shprehjes Kulturore”. Përmbajtja e ekspozitës është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Agjencionit Zviceran për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Thomas Krempke: ËNDËRR

28 Qer 2026

Besa Kicaj: Copëza shpirti në kohësi

27 Maj 2026

Tonçi Staniçiq: Miniatura e Adriatikut

26 Maj 2026

Wahwa: WINDFALL

9 Maj 2026

Manushaqe Ibrahimi & Yll Avdiu: Pambuk

16 Shk 2026

Rron Qena: Qyteti neoromantik

28 Jan 2026