Premisat e lumturisë
Ajo zgjohet çdo ditë brenda një jete që nuk e refuzon hapur, por që trupi i saj nuk arrin më ta fshehë. Dashuria është aty. Shtëpia është aty. Fëmija është aty. Të gjitha në vendin e duhur, të gjitha funksionale. Dhe megjithatë, diçka në të mbetet e pashprehshme; si një gumëzhimë e ulët që nuk pushon kurrë. Një mungesë që nuk lidhet me asgjë konkrete, por që përshkon gjithçka.
Kjo nuk është histori për një grua që nuk di të dojë, por për një grua që nuk di si të jetojë brenda formës së dashurisë që i ofrohet. Gjendja e saj mendore nuk kërkon shpjegim moral, as shërim narrativ. Ajo kërkon vëmendje. Si çdo simptomë, ajo flet për diçka më të madhe se vetja: për presionin e rolit, për dhunën e konstrukteve sociale, për çmimin e stabilitetit.
Die, My Love ndjek Grace (Jennifer Lawrence), një grua e re që zhvendoset në një zonë rurale me bashkëshortin e saj Jackson (Robert Pattinson), aty ku ai ka kaluar fëmijërinë, përderisa presin fëmijën e parë. Filmi nis me fragmente lumturie dhe afërsie, por paleta e ngjyrave dhe filmat e kaluar të Lynne Ramsay paralajmërojnë se kjo nuk do të jetë një histori romance. Stabiliteti i jashtëm nuk përputhet me gjendjen e brendshme të Grace. Ajo fillon të tërhiqet, të izolohet, të përjetojë ankth, shpërthime emocionale dhe një raport gjithnjë e më të tensionuar me trupin, seksualitetin dhe rolin e saj si nënë dhe partnere.
Pas lindjes së fëmijës, shikimi i bashkëshortit ndaj saj ndryshon në mënyrë të padukshme, por vendimtare. Trupi i Grace-s nuk lexohet më si hapësirë dëshire, por si trup funksional: nënë, kujdestare, garanci e stabilitetit. Ky transformim nuk artikulohet kurrë drejtpërdrejt; ai shfaqet përmes distancës fizike dhe refuzimit intim. Grace zhvendoset nga objekti i dëshirës në funksion simbolik. Erotizmi përjashtohet nga marrëdhënia, jo si akt dhune i hapur, por si rregull i pashkruar. Refuzimi nuk është personal; ai është strukturor. Një rend ku materniteti e përjashton seksualitetin dhe gruaja, sapo bëhet nënë, pushon së qeni e dëshirueshme.
Personazhi femëror në Die, My Love nuk ndërtohet si figurë e paqëndrueshme që duhet korrigjuar. Ajo nuk është “unstable”, sepse paqëndrueshmëria nënkupton devijim nga norma. Këtu, është vetë norma ajo që bëhet e padurueshme. Martesa, materniteti, dashuria, format që premtojnë qetësi, shfaqen si struktura të mbyllura, brenda të cilave subjekti femëror fillon të humbasë përmasën e vet dëshiruese. Trupi bëhet i tepërt, i zhurmshëm, i rrezikshëm. Jo sepse është jashtë kontrollit, por sepse refuzon të mbetet i rregulluar, i lexueshëm, i dobishëm. Në këtë refuzim, ajo nuk çmendet por bëhet simptomë.
Intimiteti si strukturë kontrolli
Marrëdhënia ndërtohet si strukturë pushteti emocional, ku njëra palë mban peshën e stabilitetit dhe tjetra përpiqet ta mbijetojë atë. Burri nuk paraqitet si antagonist klasik. Ai funksionon “si duhet”: i pranishëm, racional, i përmbajtur. Pikërisht kjo përputhje me normën e bën marrëdhënien të pashmangshme dhe, për subjektin femëror, vdekjeprurëse. Ajo nuk po e shkatërron familjen; ajo po shkatërrohet nga forma e saj.
Refuzimi intim nuk ndodh përmes konfliktit, por përmes shtyrjes së vazhdueshme: lodhje, mungesë kohe, nevojë për qetësi. Trupi i saj nuk përballet me ndalim, por me mungesë përgjigjeje. Kjo mungesë funksionon si mekanizëm pushteti: dëshira e saj fillon të duket e tepruar, e papërshtatshme, ndërsa struktura e marrëdhënies mbetet e paprekur. Dëshira nuk zhduket, ajo radikalizohet.
Dëshira jashtë formës
Kur rendi simbolik dështon, filmi zhvendoset te trupi. Në Die, My Love, trupi bëhet vendi ku shpërfaqet ajo që nuk mund të përpunohet më përmes gjuhës, dashurisë apo rolit. Impulset seksuale, agresioni dhe aktet e papritura nuk janë provokim narrativ, por shenja të një konflikti që ka dalë jashtë kontrollit simbolik.
Këtu shfaqet Thanatos, jo si dëshirë për vdekje, por si lodhje ekzistenciale, si refuzim për të vazhduar të funksionosh. Kur Eros-i nuk arrin më të lidhë, Thanatos-i ndërhyn për të shkëputur. Trupi bëhet i rrezikshëm sepse refuzon të jetë i dobishëm: ai nuk prodhon më kuptim, por intensitet.
Në këtë kontekst, skenat ku Grace lëndon veten nuk funksionojnë si shenja të dëshirës për vetëzhdukje, por si forma ekstreme të asaj që Georges Bataille e përshkruan si erotizëm i lidhur me vdekjen. Për Bataille-in, erotizmi është gjithmonë shkelje e kufijve të trupit të rregulluar dhe të dobishëm; një përvojë që e afron subjektin me humbjen, rrezikun dhe sakrificën.
Lëndimi i trupit mund të lexohet si një lloj ndëshkimi të pavetëdijshëm për dëshirën, jo sepse ajo është “e gabuar”, por sepse është bërë e pambarueshme brenda rendit që e përjashton. Trupi shkatërrohet jo për t’u zhdukur, por për të thyer kufijtë e një ekzistence që kërkon qetësi, funksion dhe përmbajtje. Në këtë sens, dhuna nuk është kundër jetës, por kundër formës së jetës që i është ofruar.
Por ky trup që shpërthen nuk ekziston në boshllëk: ai është formuar, kufizuar dhe menaxhuar brenda strukturave që e quajnë këtë shpërthim devijim.
Trupi femëror si hapësirë politike
Në Die, My Love, trupi femëror nuk funksionon si territor privat, por si hapësirë politike ku inskriptohen pritshmëritë e rendit shoqëror. Martesa, materniteti dhe dashuria nuk janë thjesht struktura intime; ato janë mekanizma për menaxhimin e trupit, të dëshirës dhe të intensitetit femëror. Trupi i Grace-s nuk i përket vetëm vetes, ai i përket stabilitetit që duhet ruajtur.
Skenat ku ajo e lëndon veten ose e shtyn trupin drejt shkatërrimit nuk mund të lexohen si akte individuale patologjie. Ato funksionojnë si gjeste politike, sepse ndodhin pikërisht aty ku trupi femëror ka humbur të drejtën për të qenë dëshirues, i paqëndrueshëm dhe i papërdorshëm. Vetëdëmtimi shfaqet si reagim ndaj një rendi që kërkon nga trupi femëror të jetë funksional pa qenë i gjallë, i qetë pa qenë i lirë.
Në këtë kuptim, trupi i Grace-s bëhet altar i rendit shoqëror. Ai mban mbi vete barrën e stabilitetit familjar, qetësinë emocionale të tjetrit dhe vazhdimësinë simbolike të jetës. Sakrifica femërore nuk është heroike dhe as e artikuluar; ajo është e heshtur, e normalizuar dhe e pritshme. Trupi lejohet të dëmtohet për aq kohë sa struktura mbetet në këmbë.
Duke e dëmtuar trupin e saj, Grace nuk po e shkatërron rendin, por po e bën të dukshëm. Dhuna nuk vjen nga jashtë, por është e brendësuar si disiplinë e dëshirës. Trupi ndëshkohet për tepricën e vet, për pamundësinë për t’u përshtatur plotësisht me rolin e nënës së qetë, gruas së kuptueshme dhe partneres stabile. Kjo është politika e trupit femëror: ai menaxhohet, kufizohet dhe, kur nuk bindet, sakrifikohet.
Në Die, My Love, refuzimi për të qenë trup i dobishëm bëhet akt subversiv. Trupi nuk prodhon më kuptim moral dhe as pajtim narrativ; ai prodhon shqetësim. Pikërisht ky shqetësim e bën figurën e Grace-s politike. Ajo nuk kërkon të rimarrë trupin si autonomi individuale, por e ekspozon faktin se autonomia ka qenë gjithmonë e kushtëzuar. Trupi i saj nuk çlirohet; ai reziston duke u bërë i padurueshëm për rendin që e kërkon të qetë.
Gruaja si rrezik epistemik
Figura e gruas në Die, My Love i përket një linje gjithnjë e më të dukshme të kinemasë bashkëkohore: gruaja që nuk kërkon më të kuptohet dhe as të shpëtohet. Ajo nuk artikulohet si viktimë klasike, sepse nuk kërkon empati; por as si figurë emancipuese në kuptimin tradicional, sepse nuk ofron model, dalje apo mësim. Prania e saj është e parehatshme pikërisht sepse refuzon të funksionojë si shenjë morale. Ajo nuk shpjegon veten dhe nuk kërkon falje për gjendjen e saj.
Rreziku që kjo figurë përfaqëson nuk lidhet me dhunën e saj të mundshme, por me mungesën e kuptimit që prodhon. Ajo nuk kanalizon konfliktin drejt një armiku të qartë, as nuk e zhvendos atë jashtë vetes. Përkundrazi, ajo e mban tensionin si gjendje; të pazgjidhur, të pashpjeguar, të vazhdueshme. Kjo e dallon nga figura klasike e femme fatale, e cila në kinemanë tradicionale ndërtohej përmes seksualitetit si kërcënim ndaj rendit mashkullor dhe që, në fund, neutralizohej ose ndëshkohej.
Gruaja në Die, My Love është pasardhësja e kësaj figure, por e zhbërë nga logjika e fabulës. Ajo nuk manipulon, nuk josh me strategji dhe nuk ushtron pushtet mbi të tjerët. Rreziku i saj nuk është aktiv, por strukturor. Ajo nuk e sulmon rendin; ajo refuzon të funksionojë brenda tij. Nuk është dëshira e saj ajo që kërcënon, por fakti që kjo dëshirë nuk gjen më formë të pranueshme shprehjeje.
Në kontekstin post-MeToo, kjo figurë shfaqet si një reagim ndaj narrativave që kërkojnë shërim, integrim dhe rikthim në normalitet. Ndryshe nga historitë që përqendrohen te trauma si diçka që duhet përpunuar dhe tejkaluar, Die, My Love refuzon idenë e riparimit. Gruaja nuk “mëson” dhe nuk arrin në një ekuilibër të ri. Ajo nuk bëhet version më i mirë i vetes. Ky refuzim për të ofruar mbyllje është thelbësor: filmi nuk propozon zgjidhje, sepse vetë kërkesa për zgjidhje është pjesë e dhunës që ai po ekspozon.
Në këtë kuptim, figura e Grace-s nuk është e rrezikshme sepse mund të shkatërrojë familjen, por sepse e bën të dukshme kufirin e formave përmes të cilave ne dimë të tregojmë histori për gratë. Ajo nuk është metaforë e shpresës, as e sakrificës, as e qëndrueshmërisë emocionale. Ajo nuk ofron asnjë narrativë kompensuese. Prandaj rreziku që ajo përfaqëson nuk është destruktiv në kuptimin klasik, por epistemik: ajo vë në krizë vetë mënyrën se si e kuptojmë subjektin femëror, dëshirën dhe normalitetin.
Die, My Love e vendos këtë figurë jo si përjashtim, por si simptomë kulturore. Një shenjë se kinemaja bashkëkohore po fillon të pranojë subjekte femërore që nuk janë më projeksione morale, por hapësira konflikti të pazgjidhshëm. Dhe pikërisht aty, në mungesën e pajtimit dhe të kuptimit të plotë, qëndron fuqia e saj politike dhe estetike.
Dhurata Hoti

Dhurata Hoti është shkrimtare, dramaturge dhe skenariste nga Kosova.
Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shprehjes Kulturore”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Agjencionit Zviceran për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
