Hapur sot nga ora 16:00 - 23:30 | Të dielën mbyllur

Kritikë Artistike

Adriana Kabashi: Destan Gashi – Midis kujtesës së gurit dhe poezisë së formës

30 05 2026

Trupat e tij nuk kërkojnë spektakël. Në një kohë kur gjithçka është e mbërthyer nga imazhi digjital dhe i menjëhershëm, nga shpejtësia e shijimit dhe interpretimit, duket sikur skulpturat e Destan Gashit, po na vijnë si një medium kokëfortë që duan t`i rezistojë dinamikës së epokës. Thua se kanë vendosur me çdo kusht të dëshmojnë për një botë të ngadalshme në rikrijim të vazhdueshëm që do të mbijetojë.

Skulptori i jep materies mundësinë që të ëndërrojë, ka thënë filozofi francez, Gaston Bachelard. Guri, druri, balta, nuk janë thjeshtë materiale fizike, por ato janë edhe forma që banojnë hapësirën dhe zgjojnë imagjinatën. Dhe kjo hapësirë artistike sipas Bachelard, nuk është vetëm gjeometri, por edhe përvojë, kujtesë e poezi. Prandaj, skulpturat e Destan Gashit kërkojnë më shumë kohë për t`u parë, kuptuar e ndier. Sepse format që qëndrojnë në kohë e hapesirë hapen para syve të shikuesit me mundësi të shumta të interpretimit. Ato herë dalin nga guri, herë pushojnë në të, herë të thërrasin të pushosh sytë mbi paplotëninë e papersosmërinë e ekzistencës.

Artisti vizual, Henry Moore, shkruante se format njerezore dhe format natyrore kanë të njejtën origjinë estetike. Eshtë e njohur thënia e tij se „për të kuptuar gurin, njeriu duhet të punojë me të e jo kundër tij“. Edhe Destan Gashi e ka kuptuar këtë. Ai nuk kërkon ta nënshtrojë gurin, ai e respekton banimin e tij dhe vetëm vazhdon rikrijimin që ka nis natyra një herë e një kohë. Trupat dalin nga masa e papërpunuar. Trupat janë të pastër, të qetë dhe pushojnë në bazën e paprekur të gurit, si pjesë e një relievi natyror. Prandaj vijat dhe format e trupave nuk duken thjeshtë të skalitur, por më shumë dëshmojnë për një proces lindjeje, për një clirim nga materia, për një zbulim të rastësishem të shpirtit të saj.

Destan Gashi, skulptori që jeton e punon në Vjenë, i linur në Zoçishtë të Rahovecit, është pjesë e një tradite të njohur të skulpturës moderne, ku rëndësi nuk ka vetëm forma përfundimtare, por edhe marrëdhënia dhe dialogu midis formës dhe materialit prej ku buron. Prandaj artisti nuk e fsheh materialin e tij bruto, ai e potencon atë dhe fuqinë e natyrës, në krijimin e së cilës Destani nuk dëshiron të ndërhyjë me brutalitet, por me ndërveprim, prekje pas prekjes. Kjo ndodhë edhe me figurën e gruas që ai e rikrijon vazhdimisht. Ajo duket e pacenuar nga ndërhyrja e skulptorit dhe duket sikur vazhdon e lirë lojën e saj të rikrijimit të vetvetes.

Skulpturat nudo shpesh mbushin hapësirën e ekspozimit, që skulptorit i pëlqen të jetë oborri i tij apo natyra. Por, gruaja e nudos së tij nuk është objekt sensualiteti dhe as nuk deshiron të dëshmojë perfeksionizmin e mjeshtrinë anatomike. Ajo reduktohet në linjat që përbëjnë esencën e saj, në format e saj natyrore dhe bëhet njësh me natyrën ku shfaqet. Ajo mediton, ngre kokën lart, kërkon dhe pret, në një tension të brendshëm me kohën. Sepse Destani nuk synon paraqitjen e relitetit por thelbin e tij. Prandaj, figura e gruas te ai nuk përfaqëson një grua konkrete, por vetë konceptin e feminitetit.

Destan Gashi nuk bën vijë ndarëse midis gurit dhe fytyrës së njeriut që del prej tij. Kufiri mes tyre është i paqartë duke e bërë veprën një metaforë kujtese, origjine dhe e lidhjes së njeriut me tokën. Ndoshta jo rastesisht ndodhi edhe përzgjedhja e tij për të punuar me gurin, si një simbol i vazhdimësisë, qëndresës dhe i dëshirës njerëzore për të sfiduar harresësn. Në këtë mënyrë ai krijon një dialog midis kohës së gjatë të natyrës dhe kohës së shkurtër të jetës njerëzore, një pikëtakim i kujtesës së tokës me kujtesën e njeriut.

Ajo që e dallon Destan Gashin është se skulpturat e  tij nuk kërkojnë spektakël të menjëhershëm, nuk imponohen, nuk dramatizojnë. Ato qëndrojnë duke u krijuar dhe duke dal nga materia pambarimisht edhe pasi ta ketë përfunduar skulptori punën e tij. Prandaj skulpturat e tij, që flasin jo vetëm për atë që paraqesin por sidomos për procesin e shndërrimit që i ka sjellë në jetë, mund të shihen edhe si një kërkim i vazhdueshëm për harmoni mes njeriut, formës dhe materies. Dhe kjo haromoni ndjehet edhe në përvojën e shikuesit përballë skulptures se tij, që nuk janë vetëm objekte, por janë një mënyrë e përjetimit të botës. Sepse hapësira e banuar në to tejkalon hapësirën gjeometrike ku janë krijuar.

Në krijimet e Gestan Gashit guri nuk është vetëm material. Ai është histori, kohë, kujtesë. Destani duket se nuk imponon formën e tij, por vetëm zbulon atë që prej kohësh ishte aty. Dhe në këtë marrëdhënie e dialog mes dorës së artistit dhe rezistencës së gurit, lind poezia e skulpturave të tij, të cilat shikuesi kosovar ka pas rastin t`i shikojë këto ditë në vendlindjen e tij në Zocisht.

Adriana Kabashi

Adriana Kabashi është gazetare, kritike e kulturës, artit dhe letërsisë. Ajo shkruan rregullisht për zhvillimet kulturore, botimet letrare dhe artin bashkëkohor, duke kontribuar në diskursin kritik në hapësirën publike. Është gjithashtu autore e emisionit kulturor dhe teknologjik Sense, i cili transmetohet në Radio Televisionin e Kosovës, ku trajton tema që ndërlidhin kulturën, artin, mediat dhe teknologjinë.

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shprehjes Kulturore”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Hani i 2 Robertëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Agjencionit Zviceran për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Facebook
X
WhatsApp
LinkedIn
Email
Facebook

Lexoni më shumë

Ouroboros: Kritika e artit në Kosovë, dukshmëria dhe hija e tejpërtejshme e Manifesta14 

5 Qer 2026

Adriana Kabashi: Destan Gashi – Midis kujtesës së gurit dhe poezisë së formës

2 Qer 2026

Dhurata Hoti: Die, My Love 

31 Maj 2026

Hana Kastrati: Pse arti bashkëkohor në Kosovë shpesh duket i huazuar

31 Maj 2026

Shpëtim Selmani: Mbi kritikën letrare

31 Maj 2026

Diona Kusari: Kultura Publike dhe Kultura e Pavarur

25 Maj 2026