Më 12 mars 2026, në Prishtinë u shpalos një mbrëmje me valët e Adriatikut, njëkohësisht gjeografike, kulturore, emocionale dhe identitare.

Ekspozita Miniaturat Adriatike e fotografit kroat Tonçi Staniçiq, e prezantuar në hapësirën kulturore Hani i 2 Robertëve në Prishtinë, sjell një seri fotografish që nuk synojnë thjesht të paraqesin peisazhin adriatik, por të ndërtojnë një përvojë vizuale të tij. Në një mbrëmje ku u mblodhën artistë, fotografë, studiues arti dhe dashamirë të kulturës, ekspozita u hap nën patronatin e Shkëlqesisë së Saj, Ambasadores së Republikës së Kroacisë në Republikën e Kosovës, znj. Danijela Barishiq, duke e vendosur ngjarjen në një kornizë që shkon përtej një prezantimi të thjeshtë artistik dhe hyn në një dialog më të gjerë kulturor.
Në thelb të kësaj serie qëndron një qëndrim i qartë autorial: Staniçiq nuk i qaset një peizazhi që nuk e ka jetuar personalisht. Fotografitë e tij lindin nga një marrëdhënie e gjatë dhe e drejtpërdrejtë me Adriatikun, një lidhje që është njëkohësisht gjeografike, kulturore, emocionale dhe identitare. Në këtë kuptim, ekspozita mund të lexohet si një akt ndarjeje: një lidhje e thellë me Kroacinë dhe detin e saj, që autori e komunikon me publikun.
Kjo marrëdhënie personale me vendin e shndërron fotografinë në një gjuhë që u drejtohet njëkohësisht dy përvojave të ndryshme të shikuesit. Për ata që e njohin Adriatikun, imazhet funksionojnë si një kujtesë e rizgjuar, një rikthim i qetë te drita, ajri dhe ritmi i atij peizazhi. Për ata që nuk e kanë përjetuar kurrë këtë det, fotografitë bëhen një hyrje estetike në një realitet të panjohur, ku Adriatiku shfaqet më pak si vend dhe më shumë si atmosferë.
Gjatë hapjes, autori shprehu shpresën që publiku të ndiente të paktën një pjesë të vogël të kënaqësisë që ai vetë përjetoi gjatë realizimit të këtyre imazheve. Ndërkohë, ambasadorja kroate theksoi se ekspozita mund të lexohet edhe si një ftesë për ta vizituar dhe përjetuar Adriatikun nga afër, duke sugjeruar se arti mund të shërbejë si një urë e butë dhe elegante ndërmjet kulturave dhe vendeve.
Nga një këndvështrim formal, fotografia e Staniçiq ndërtohet mbi një disiplinë të përmbajtur të elementeve vizuale. Drita nuk shërben thjesht për të ndriçuar skenën; ajo bëhet boshti strukturor që organizon dhe formëson vetë imazhin. Në këtë mënyrë, fotografia fiton një qartësi ku çdo element duket pothuajse i vendosur me kujdes, i udhëhequr nga një ndjeshmëri e matur ndaj marrëdhënies ndërmjet subjektit dhe hapësirës përreth. Megjithatë, Staniçiq nuk fotografon nga një magjepsje ndaj imazhit si objekt. Përkundrazi, ai ndan me shikuesin përvojën e një momenti përmes pamjes që e përfaqëson atë në mënyrën më të vërtetë, një fragment që mbart më shumë histori pas vetes dhe më shumë ndjenjë brenda tij sesa objektet apo subjektet që shohim përpara.
Në ekspozitën e prezantuar në Prishtinë, narracioni vizual shpaloset si një lëvizje e ngadaltë përgjatë një dite të vetme. Ai nis me mëngjesin, duke na udhëhequr përmes lojës së dritës mbi sipërfaqen e ujit, dhe vazhdon deri në mbrëmjen e vonë, kur valët e Adriatikut fillojnë të dëgjohen më shumë sesa të shihen. Kështu, sekuenca e imazheve fillon me dritën e valëve dhe përfundon me këngën e tyre natën, duke e shndërruar ekspozitën në një përvojë që gradualisht kalon nga shikimi drejt ndjesisë.
Ekspozita fton gjithashtu reflektim mbi rolin e fotografit. Në vend që të imponojë një interpretim dramatik të natyrës, Staniçiq merr pozicionin e një ndërmjetësi të përulur mes peizazhit dhe shikuesit. Natyra mbetet protagonisti i vërtetë; fotografia shërben si mjeti përmes të cilit prania dhe përvoja e saj ruhen dhe ndahen.
Prezantimi i kësaj ekspozite në Hani i 2 Robertëve, një hapësirë që prej vitesh ka mirëpritur takime artistike dhe debate kulturore në Prishtinë, krijon një kontekst veçanërisht domethënës për këtë seri. Në këtë mjedis, ku kujtesa urbane dhe arti bashkëkohor bashkëjetojnë, miniaturat adriatike funksionojnë si një urë imagjinare mes brigjeve të detit dhe një publiku që e përjeton atë përmes artit.
Në fund, Miniaturat Adriatike nuk janë thjesht një ekspozitë fotografike mbi një peizazh bregdetar. Ato janë një ftesë për t’iu afruar Adriatikut si një përvojë estetike e përbashkët, ku përballja personale e fotografit me detin shndërrohet në një hapësirë në të cilën shikuesit mund të rizbulojnë kujtimet e tyre, ose të zbulojnë një botë që ende nuk e kanë parë.
Skënder Boshtrakaj